Fillon rrjedhja nga PD tek FRD në këshillin bashkiak të Tiranës. Skena politike, më e paparashikueshme
Një ditë më parë mazhoranca në pushtet u katandis në vetëm 68 vota kur u miratua ligji për pronësinë. Gazmend Oketa dhe Fatmir Mediu votuan kundër ligjit.
Tani në prag të zgjedhjes së presidentit, skena politike po bëhet gjithmonë e më e paparashikueshme.
Siç raporton e përditshmja Shqip, ujërat po turbullohen dhe brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Partia e sapokrijuar, Fryma e Re Demokratike shprehet se shumë shpejt do të rrisin në numër edhe grupin e tyre parlamentar.
Por ndërkohë turbulencat kanë mbërritur në këshillin bashkiak të Tiranës. Mësohet se një nga anëtarët e PD në këtë këshill, Gëzim Karapici, do shpallë bashkimin e tij me FRD këto ditë. Shqip shkruan se kjo lëvizje pritet të pasohet edhe me disa të tjera, të cilat lidhen me kalimin e funksionarëve të ndryshëm demokratë si përfaqësues të kësaj partie politike.