E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, z. Riçard Lugar dhe z. Sem Nan.

1 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot një delegacion amerikan, të kryesuar nga senatori Riçard Lugar dhe ish-senatori Sem Nan, të cilët i dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin “Për ndihmesë të qenësishme në forcimin e përparimin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet programit Nan-Lugar për asgjesimin e agjentëve kimikë në Shqipëri”.

Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit vlerësoi asistencën e dy senatorëve, si iniciatorë të programit Nan-Lugar, për shkatërrimin e agjentëve kimikë edhe në Shqipëri. “Shqipëria sot ndihet më e shëndetshme nga asgjesimi i armëve kimike, falë asistencës së programit tuaj”, - vuri në dukje Presidenti Topi, duke shprehur besimin se ky program nuk do të ndalet këtu dhe duke i uruar z. Lugar dhe z. Nan suksese në misionin e ndërmarrë.

Nga ana e tyre, z. Lugar dhe z. Nan vlerësuan arritjen e vendit tonë si i pari në botë që asgjeson plotësisht armët kimike. “Duke ju falenderuar, përfitojmë nga rasti për t’ia bërë të ditur mbarë botës këtë sukses të vendit tuaj”, - u shpreh senatori Lugar gjatë bisedës me Presidentin.

Në vijim të takimit, Presidenti Topi nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme ndër vite të SHBA-ve ndaj Shqipërisë, si një qëndrim konstant i një miku të veçantë, që vlerësohet nga çdo shqiptar. Një shprehje e kësaj simpatie të veçantë mbetet edhe vizita e paharruar e Presidentit amerikan, Xhorxh. U. Bush në Tiranë, në 10 qershor të këtij viti. Kryetari i Shtetit shqiptar i kërkoi senatorit Lugar që t’i përcillte Presidentit Bush përshëndetjet e tij më të përzemërta edhe nga populli shqiptar.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu mbështetjen e çmuar të SHBA-ve në rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s dhe veçanërisht për statusin e Kosovës. “Shqipëria”, - theksoi Presidenti Topi, - “mbështet Paketën Ahtisari, pavarësinë sa më shpejt që të jetë e mundur të Kosovës dhe është kundër ndarjes së saj”.

Pas takimit, Presidenti i Republikës, dekoroi gjatë një ceremonie të veçantë senatoret Lugar e Nan me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ne ceremoninë zyrtare të dekorimit ishin të pranishëm Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Dr. Xhon L. Uithers II e të ftuar të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse të rastit, senatori Riçard Lugar vuri në dukje se “Ky është një çast vlerësimi shumë i lartë për mua dhe partnerin tim Sem Nan. Jemi të ngazëllyer për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ardhur këtu për të përgëzuar vendin tuaj sot për udhëheqjen shtetërore të shkëlqyer, duke u bërë vendi i parë në botë, i cili ka shkatërruar plotësisht armët kimike dhe meqë kërkuat ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’ju ndihmuar. Ky çast do të jetë një ndër momentet më shembullore në historinë botërore, sepse e ardhmja e njerëzimit varet nga kontrolli dhe shkatërrimi i armëve të shkatërrimit në masë. Jemi shumë mirënjohës për këtë çast. Ne kemi punuar së bashku dhe kjo i ka paisur amerikanët me më tepër dije për Shqipërinë, duke zbuluar dhe rrugë të shumta të reja për ne që të bashkëpunojmë së bashku. Festimi do të jetë edhe një fillim i ri dhe i ngazëllyer për marrëdhëniet tona. Faleminderit për këtë nder të jashtëzakonshëm, të cilin ne do ta mbajmë mend ngaherë!”.

Pjesmarrësve në këtë ceremoni iu drejtua me një fjalë përshëndetëse dhe z. Sem Nan. Pasi shprehu ndjenjën e mirënjohjes për këtë nderim të lartë nga ana e Presidentit të Republikës, ish-senatori amerikan “vlerësoi se ky festim është shumë i mirë jo vetëm për faktin që Shqipëria është vendi i parë, që shkatërroi gjithë stokun e vet të armëve kimike, por në saj të udhëheqjes së senatorit Lugar ky është shembulli i parë i zgjerimit të konceptit për të zvogëluar kërcënimin përtej kufijve të ish-Bashkimit Sovjetik. Ky është një shembull i bashkëpunimit për zvogëlimin e kërcënimit, i cili jo vetëm ka rritur të përmirësojë sigurinë e njerëzve të këtij vendi, por dhe sigurinë në mbarë botën”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›