Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit”, artistin Sandër Prosi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit”, artistin e madh të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, aktorin e pakrahasueshëm Sandër Prosi (pas vdekjes), me motivacionin: “Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar”. Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidencës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Aristidh Prosi, të birit të të ndjerit, Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi.