E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti kosovar Sejdiu theksojnë rolin moderator të faktorit shqiptar për stabilitetin në rajon.

8 janar 2009
Prishtinë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nisi sot vizitën zyrtare në Kosovë, me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu. Në këtë vizitë dyditore, Kryetari i Shtetit shqiptar kryeson një delegacion të zgjeruar të përbërë dhe nga Nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ylli Bufi dhe z. Neritan Ceka, deputetë të Kuvendit: Arben Malaj, Arta Dade, Besnik Dervishi, Sali Shehu, Spartak Braho, si dhe z. Sabri Godo - President Nderi i PR-së, z. Adem Allçi - Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, z. Arben Çejku - I ngarkuar me punë i RSH-së në Kosovë, po ashtu dhe nga drejtues dhe anëtarë të Dhomës së Tregtisë në Shqipëri, biznesmenë, sipërmarrës etj.

Përkujtimorja “NEWBORN” ka qenë ndalesa e parë për Presidentin Topi me mbërritjen e tij në Prishtinë. Në këtë pikë simbolike të ditës së madhe historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti Topi është ndalur për disa momente dhe ka lënë nënshkrimin e tij në njërën prej gërmave.

Në vijim, Kreu i Shtetit dhe delegacioni zyrtar janë pritur me një ceremoni solemne zyrtare nga Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu. Dy Presidentët kanë zhvilluar së pari një bisedë kokë më kokë e më pas një takim në krye të delegacioneve respektive.

Në këtë takim, Presidenti Topi pasi shprehu pikësëpari mirënjohjen për ftesën dhe për pritjen madhështore nga shteti dhe populli kosovar, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Kosovë dhe theksoi angazhimin e plotë për thellimin dhe institucionalizimin e mëtejshëm në të ardhmen, ç’ka u konfirmua edhe gjatë vizitës së fundit të Presidentit Sejdiu në Tiranë. Në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin e qartë të autoriteteve zyrtare të Kosovës për zbatimin e Paketës Ahtisari, dhe përkushtimin për ndërtimin në Kosovë të një shoqërie demokratike, ku, pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banor i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje se hyrja në fuqi e Kushtetutës së këtij shteti dh miratimi nga Kuvendi i Kosovës i ligjeve në zbatim të Paketës Ahtisari janë një arritje e rëndësishme për shtetin e ri të Kosovës. Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit shprehu qëndrimin se Shqipëria mbështet shtrirjen së misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit, në zbatim të Planit Ahtisaari, dhe me pëlqimin e autoriteteve të saj, pasi vetëm kështu garantohet sigura, stabiliteti dhe paqja jo vetëm në Kosovë, por dhe në rajonin e Ballkanit.

Temë e veçantë e bisedës mes Presidentëve ishte dhe ecuria e procesit të njohjes së Kosovës së pavarur. Në këtë kontekst, Presidenti Topi shprehu angazhimin maksimal për koordinimin e veprimeve në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe avancimin e procesit të njohjes së tij. “Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm”, - rikonfirmoi Presidenti Topi duke shtuar se “në këtë kontekst me Beogradin mund të bisedohet vetëm për probleme të karakterit teknik”.

Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu i uroi mirëseardhjen në Kosovën e pavarur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi duke vlerësuar kontributin e tij, të shtetit dhe të gjithë popullit shqiptar në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe më pas.

Në përfundim të takimit dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Presidenti Sejdiu: Përshëdetje të gjithë! Dëshiroj ta shpeh edhe para jush kënaqësinë time që sot kemi në vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotin Bamir Topi së bashku me një delegacion të nivelit të lartë shtetëror. Kjo është vizita e parë që Presidenti Topi e bën në Kosovën e pavarur. Shpreha falenderimet më të thella të institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e jashtëzakonshme që Republika e Shqipërisë, institucionet e shtetit, pozita dhe opozita dhe personalisht Presidenti Topi ka dhënë për Kosovën edhe në proceset e parapavarësimit, në proceset e gjata kohore, edhe në rrugën e mëvonshme të ndërtimit e konsolidimit, të zhvillimit të shtetit sovran e të pavarur të Kosovës duke patur parasysh gjithashtu bartjen dhe një tranzicion sa më të arsyeshëm e tepër pozitiv të përvojave më të mira që kanë në ecjen përpara të proceseve të integrimeve.

Ne na gëzon fakti që Republika e Shqipërisë ka një eskspansion dhe pasoja në zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin demokratik që shprehet mësë miri me punën e përbashkët të institucioneve, në këtë kuadër qëndrimi i përbashkët i të gjithëve për mbështetjen e Kosovës. Na gëzon po ashtu edhe fakti i rëndësishëm që Republika e Shqipërisë, në pranverën e këtij viti të mbarë që jemi, pas 2008 që ishte vit historik për Kosovën dhe për shqiptarët, natyrisht që do të jetë anëtare e NATO-s dhe të shkurtojë e të shpejtojë hapat e saj të integrimit në Bashkimin Europian.

Për ne është shumë e rëndësishme të nënvizojnë gjithë mbështetjen që ka dhënë me rrjetin e saj diplomatik në botë për njohjen e Republikës së Kosovës dhe ky përkushtim e mbështetje do të vazhdojë edhe më tej edhe gjatë proceseve ekonomike, edhe në shkurtimin e rrugëve dhe komunikimet sidomos me këtë, që mund ta quajmë edhe damar të jetës ekonomike, të jetës së përgjithshme, me rrugën Durrës-Prishtinë, damar që do të lehtësojë edhe punën tonë.

Dëshiroj të shpreh edhe njëherë falenderimet më të thella! Urdhëroni zoti President!

Presidenti Topi: I dashur President, ju falenderoj për këtë mikpritje vëllazërore që po më rezervoni në Kosovë së bashku me delegacionin e nivelit të lartë, që unë kryesoj!

Viti shkon mbarë kur fillon me Kosovën. Kujtoj vizitën time të parë në janarin e vitit 2008, në prag të shpalljes së pavarësisë. Ishte i njëjti ambient në mos gaboj, më është bërë pyetje se kur do të vijë momenti i pavarësisë së Kosovës. Ajo lexohej tek të gjithë. Ishte në mendjen e të gjithëve dhe ishte në zemrën e të gjithëve. Shqiptohej nga të gjithë që ai moment kishte ardhur. Dhe unë shpreha me shumë filozofi dhe në mënyrë shumë realiste që çështja e pavarësisë është çështje orësh.

Unë nuk munda ta filloja vitin 2009 më bukur se sa me një vizitë zyrtare në Kosovë dhe këtë ma mundësuat ju, zoti President me një ftesë, për të cilën unë ju falenderoj! Besoj që kjo vizitë ndodh në një moment kur Kosova vazhdon të konsolidojë institucionet e veta dhe të jetë pjesë e rrugës së përbashkët euro-atlantike.

Më lejoni t’ju falenderoj për të gjithë atë sjellje që lidershipi perëndimor, që të gjithë politikanët kryesorë të Kosovës: Presidenti, Kryeministri, qeveria, Kuvendi kanë demonstruar në situata mjaft delikate të administrimit edhe të gëzimit të momentit të shpalljes së pavarësisë, por edhe të ushtrimit të të gjitha kompetencave kushtetuese, duke i treguar botës së qytetëruar që Kosova i ka të gjitha kapacitetet shtetformuese dhe shumë shpejt Kosova do të jetë një partnere e denjë dhe e pandarë e rrugës së përbashkët që ne kemi për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Ne kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Politika rajonale në Ballkan ka ndryshuar shumë. Nuk është vetëm një realitet i ri gjeopolitik, por është edhe një dëshirë e madhe që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mos jetë më arenë e luftërave ndër-etnike. Ato janë skenare shumë të vjetra, madje të vdekura, pavarësisht nga rigjallërimi në zona të caktuar i elementëve ultranacionalistë, tendenca botërore, tendenca europianiste është që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, të gjithë të tjerët në rajon të kenë një të ardhme të përbashkët të bashkëpunimit, të dialogut të nivelit të lartë politik, por edhe të bashkëpunimit ekonomik.

Unë jam i bindur që Kosova, të gjitha institucionet e saj do të dinë të respektojnë të drejtat e pakicave mbi bazat e multi-etnicitetit. Dhe padyshim, e thashë edhe në takimin që patëm së bashku zoti President, çështja e respektimit të minoriteteve është një çështje që u takon të gjithëve. Sikurse institucionet e Europës, Këshilli i Europës, institucionet më prestigjioze ndërkombëtare kërkojnë që standardet për të drejtat e minoritetit duhet të respektohen, ato duhet të respektohen në Shqipëri, duhet të respektohen në Kosovë, duhet të respektohen edhe në Preshevë. Pra çështja e repektimit duhet të jetë mbi bazën e një vullneti politik për t’i respektuar sipas standardeve. Kështu që ata që mundohen të japin leksione, ndërkohë që krijojnë situata të vështira duhet të jenë të parët që të bashkëpunojnë me shtetin legjitim, të pavarur, demokratik dhe sovran të Kosovës dhe të bashkëpunojnë për respektimin e të gjitha standardeve. Unë e kam parë këtë dëshirë tek të gjithë politikanët e Kosovës dhe uroj që Kosova të ketë një vit të mbarë në të gjitha aspektet, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin dhe konsolidimin e të gjithë institucioneve kryesore dhe në partneritet me komunitetin ndërkombëtar!

Besoj që do të jetë një vit kur do të rritet gjeografia e njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm. Unë ju falenderoj edhe një herë zoti President dhe ju siguroj që Shqipëria, institucionet e saj do të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie instensive qoftë në planin politik, institucional dhe ekonomik, dhe besoj që përfundimi i aksit, i rrugës që lidh Durrësin me Prishtinën e me Merdaren do të jetë një tjetër mundësi e madhe për njerëzit të lëvizin të lirë. Edhe nënshkrimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve që do të realizohet brenda tremujorit të parë, do të japë mundësi të mëdha që të ketë një komunikim natyral.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›