E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin e arkitektit dhe urbanistit të mirënjohur, Enver Faja

6 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i bëri sot homazhe, në mjediset e Galerisë së Arteve, arkitektit dhe urbanistit të spikatur shqiptar, Enver Faja, të cilin një sëmundje e gjatë e ndau nga jeta, nga të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë dashamirësit e tij.

Kryetari i Shtetit u përshëndet nga afër dhe u shprehu ngushëllimet më të sinqerta e të përzemërta familjarëve të të ndjerit, si dhe vlerësoi personalitetin dhe veprimtarinë e arkitektit dhe studiuesit të mirëfilltë në këtë fushë në një shënim lënë në librin e përshtypjeve.

Për punën dhe veprën e Prof. Dr. Enver Faja, Presidenti Topi shprehu konsideratën më të lartë dhe gjatë një prononcimi për mediat në përfundim të vizitës homazh: “Sot i japim lamtumirën e fundit njërit prej intelektualëve më të shquar, që lindi e u rrit në këtë qytet të bukur, por vepra e tij i kaloi përmasat e këtij qyteti, sepse i shërbeu Shqipërisë në disa drejtime me profesionin e tij si arkitekt, por edhe si diplomat. Pra, tek Profesor Faja, edhe ne që kemi pasur mundësi ta njohim nga afër, mbi të gjitha mbizotëronte cilësia e tij si njeri i thjeshtë, një njeri që njihte artin e komunikimit me kolegët dhe me miqtë dhe që u bë simbol i këtij qyteti.

Veprat e tij në Tiranë janë kudo. Edhe kjo është një nga ato vepra, ku ai ka marrë pjesë në projektimin e saj, por besoj se vepra e tij më e madhe është ndërtimi i rapoteve me kolegët, me miqtë, me studentët e tij. Prandaj mbetet një figurë e ndritur në kujtesën e këtij qyteti, por edhe të Shqipërisë.

I paharruar qoftë kujtimi për të!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›