E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi feston Pashkët ortodokse në Korçë.

19 prill 2009
Korçë

Me rastin e Festës së Pashkëve ortodokse, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit, vizitoi sot qytetin e Korçës ku u prit në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë të qytetit nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, At Ilia Kotnani, klerikë dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ortodoks, drejtues të pushtetit vendor, Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, intelektualë, etj.

Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë, Presidenti Topi i shprehu Mitropolitit të Korçës, Imzot Joani, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse. Kreu i shtetit theksoi se në ditë të tilla të shprehjes së vlerave të vërteta shpirtërore njerëzore, të dominimit të shpresës, besimit e të tolerancës, të gjithë së bashku duhet të reflektojmë, por dhe të kontribuojmë për të ndërtuar një shoqëri të konsoliduar, një shoqëri të së ardhmes, të aspiratës evropiane.

Në një atmosferë festive përpara Katedrales “Ringjallja e Krishtit” në qendër të qytetit, Presidenti Topi u përshëndet me qindra besimtarë ortodoksë korçarë dhe banorë të tjerë të ardhur nga zonat përreth, duke u uruar Festën e Pashkëve ortodokse.

Më pas, Presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër me disa intelektualë të Korçës duke bashkëbiseduar me ta ngrohtësisht dhe duke nënvizuar vlerat e spikatura kulturore e intelektuale të këtij qyteti si dhe harmoninë dhe bashkëjetesën e përsosur fetare.

Me këtë rast, në një prononcim për mediat e pranishme, Presidenti Topi u shpreh: “Gëzuar dhe përshumëvjet! Gëzur Pashkët! Erdha këtu në Korçë për të festuar këtë ditë të shënuar, erdha për komunitetin fetar ortodoks.

Natyrisht erdha këtu sot, sepse Korça ka një atmosferë të veçantë, të cilën e kemi parë edhe viteve të tjera, e kemi parë edhe mbrëmë nëpëmjet pamjeve televizive, një atmosferë që zor se e gjen diku tjetër, kështu që ndava me ju këtë gëzim, me qytetarët e Korçës.

Dëshiroj të ritheksoj edhe njëherë atë që konstatova edhe këtu, harmoninë e përsosur fetare, që ekziston si kudo në të gjithë Shqipërinë, edhe në Korçë! E shikon këtë në komunitetet fetare, e shikon tek shoqëria, tek qytetarët e thjeshtë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një ripërtëritje e asaj tradite që kemi patur gjithmonë.

Paçim sa më shumë ditë të tilla kaq të bukura”!

* * *

I pyetur nga media e pranishme për të komentuar rreth qëndrimit të Partisë Socialiste mbi çështjen e kartave të identitetit, Presidenti Topi u përgjigj: “Edhe pse ju gazetarët i ngatërroni temat, do të dëshiroja të respektoja këtë tempull të shenjtë e të mos flisja për politikë! Besoj se jam shprehur edhe dje për këtë çështje. Edhe njëherë mund t’ju them, edhe këtu nga Korça, që të gjithë së bashku duhet të punojmë intensivisht, që të mos them çdo ditë, por çdo orë e çdo minutë që ky proces të realizohet sa më shpejt!

Pra edhe këtu në Korçë, të gjithë duhet të aplikojnë, pastaj të gjitha subjektet politike duhet të futen në fushatë për të arritur synimet e tyre politike, por më e rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve, Shqipëria të fitojë sa më shumë nota të tjera pozitive, për të patur mundësi të shpejta që pas anëtarësimit në NATO, të anëtarësohemi edhe në Bashkimin Evropian.

Edhe njëherë urime, dhe nga ky tempull, u uroj të gjithë qytetarëve të Korçës, gëzuar Pashkët dhe paçim gjithmonë ditë të mira”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›