E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton biznesin turk në Shqipëri

Presidenti Topi u kthye mbrëmë nga vizita e tij zyrtare në Turqi. Ai ftoi biznesin turk të investojë në energjetikë, infrastrukturë dhe industrinë e turizmit: "Këto sektore ju ftojnë të llogarisni shanset për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja”. 

TIRANE- Presidenti Topi u kthye mbrëmë nga vizita e tij zyrtare në Turqi, një vizitë e suksesshme, ku i rikonfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e mira dhe të ngushta me këtë shtet aleat të Shqipërisë. Para se të mbyllte vizitën e tij në Turqi, Topi bëri vizitë në universite tin amerikan të Bosforit, aty ku vite më parë ka studiuar babai i tij. Topi pati rastin të takohej me rektorin e këtij universiteti, Kadri Ezcaldiran. Presidenti, i shoqëruar dhe nga drejtuesit e këtij universiteti, vizituan disa nga ambientet e tij. Topi përshëndeti me këtë rast dhe disa nga studentët shqiptarë që ndjekin studimet e larta në këtë institucion arsimor. Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Universitetit me famë të Bosforit, të themeluar që më 1863, nga misionari amerikan Sajrus Hemlin.
Paraditen e djeshme, Presidenti Topi, së bashku me delegacionin që e shoqëronte zhvilluan takime zyrtare me përfaqësues të biznesit, kompanive dhe firmave prestigjioze turke. Presidenti Topi është pritur nga kryetari i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe të Bordit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, Rifat Hisarcikliolu, kryetari i Këshillit të Biznesit shqiptaro-turk, Hasmet Kyrym dhe biznesmenë të tjerë. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhe përfaqësues të delegacioneve zyrtare të vendeve të Ballkanit që kanë marrë pjesë në “Balkan Economic Summit”, përfaqësues të dhomave dhe institucioneve të ndryshme me karakter tregtar, autoritete lokale. Topi mbajti një fjalë para të pranishmëve lidhur me vazhdimësinë që duhet të njohin marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona. “Marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike. Politika pa biznesin, do ishte një demagogji, do të ishte retorikë. Politika duhet të krijojë terrenin e nevojshëm për shkëmbime ekonomike në tregun ballkanik me 130 milionë banorë, ku hyn edhe Turqia me rreth 70 milionë”, - u shpreh Topi në këtë takim. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që investuesit e huaj të shfrytëzojnë klimën e favorshme që ekziston në Shqipëri për të ngritur apo zhvilluar biznesin e tyre. “Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqesin interes të veçantë për të investuar dhe ndër to unë do të veçoja energjetikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit, që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja”, - theksoi më tej Presidenti Topi. Ai përmendi më tej disa nga lehtësirat që qeveria shqiptare ka miratuar për biznesin e huaj, si një barrë fiskale të vogël, barriera të zvogëluara të procedurave administrative, të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë kanë hyrë në procesin e standardizimit, sistemi i drejtësisë po reformohet në të gjitha drejtimet, korrupsioni ka shënuar rënie të dukshme dhe janë forcuar shumë tiparet e shtetit ligjor.
Presidenti Topi, gjatë vizitës së tij në Turqi u takua me të gjithë drejtuesit kryesorë të këtij shteti, që nga Presidenti Gyl, i cili firmosi në prani të tij Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, me Kryeministrin Erdogan si dhe me kryetarin e asamblesë kombëtare, Toptan.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›