E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga studentit të Gjeologjisë, hajdut makinash

Nga Gerti Xhaja
Dy studentët lezhjanë të vitit të parë për Gjeologji-Miniera, në Universitetin Politeknik të Tiranës akuzohen se janë autorë të vjedhjes së automjeteve në Tiranë. Policia arreston njërin, tjetri në kërkim. 

TIRANE -Ditën shkonin në leksione dhe seminare, ndërsa natën vidhnin makina. Kështu ndodhte pak a shumë me studentët lezhjanë të vitit të parë për Gjeologji-Miniera, në Universitetin Politeknik të Tiranës, Indrit Jaca dhe Klaudio Ujka. Policia arrestoi të mërkurën Ujkan, ndërsa mësohet se ka shpallur në kërkim Jacën, për akuzat e vjedhjes së automjeteve. Sipas policisë, Jaca dhe Ujka akuzohen për vjedhjen e një automjeti në rrugën "Mihal Grameno", ndërsa janë bllokuar pjesë nga makina tjetër e vjedhur te "Shallvaret", po në Tiranë. Gjithashtu dyshohet të jenë autorë të vjedhjes edhe të Benzit DR 4448 D, i vjedhur disa ditë më parë në QS. Ujka është siguruar në ambientet e izolimit të Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës, ndërsa është marrë në pyetje në lidhje me aktivitetin e tij. Oficerët e policisë dyshojnë se dy studentët janë pjesë e ndonjë rrjeti të vjedhjes së automjeteve në Tiranë, të cilët kryenin çmontimin, shitjen apo riciklimin e makinave të vjedhura.
Vjedhjet
Mbrëmjen e së mërkurës, shërbimet e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës duket se janë gjendur në vendin dhe në momentin e duhur, kur kanë pikasur dy studentët të vidhnin Benzin me targa TR 7336 G, në rrugën "Mihal Grameno". Policia e ka ndalur makinën në vendin e quajtur "Ulliri", pranë shkollës 9-vjeçare "1 Maji". Ujka është kapur brenda në makinë, ndërsa dyshohet se Jaca kishte mundur të largohej para se të mbërrinte policia. Ujka është shoqëruar bashkë me makinën në ambientet e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës. Një ekip oficerësh të këtij komisariati dhe seksionit kundër vjedhjeve të makinave kanë kryer kontroll në dhomën e dy studentëve në godinën numër 22 të Qytetit Studenti, ku qëndronin prej fillimit të vitit akademik. Në dhomë, atyre u kanë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy maska; 10 sensorë veturash të amballazhuara në qese plastike, një darë për prerje hekuri; tri kaçavida të ndryshme, dy lima me bisht, një sharrë hekuri, disa çelsa ekzagonalë dhe tri çelsa kuadri për vetura.
Hetimi
Ujka ka pranuar autorësinë e vjedhjes së Benzit TR 7336 G, ndërsa nuk ka preferuar të japë shpjegime të tjera pa praninë e avokatit. Policia ka nisur verifikimin e lidhjeve të studentit në vendlindje, pasi dyshohet se mjetet e vjedhura përfundojnë në serviset e Lezhës, ku çmontohen dhe shiten. Ndërsa është duke u koordinuar me policinë e Lezhës për lokalizimin dhe arrestimin e studentit tjetër Jaca, bashkëpunëtor me Ujkan në vjedhjet e automjeteve.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›