Presidenti Topi interesohet për gjendjen shëndetësore të Nënoficerit Peçi

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi zhvilloi sonte në mbrëmje një mbledhje pune në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm ku merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral Brigade Viktor Bërdaj, Drejtori i SHIU-t, Kolonel Ylli Zyla dhe ushtarakë të tjerë të lartë. Gjatë këtij takimi pune, Presidenti Topi u informua me detaje nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Gjunkshi lidhur me situatën më të fundit të Kontigjentit "Eagle 4" në Kandahar të Afganistanit.
Presidenti Topi zhvilloi një bisedë telefonike me Komandantin e Njësisë Speciale "Eagle 4" në Kandahar, Nënkolonel Behar Marën, duke u interesuar me hollësi rreth gjendjes shëndetësore të paqeruajtësit të plagosur, Nënoficerit Aleksandër Peçi. Gjatë bisedës me Nënkolonel Marën, pasi shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e Kapiten Voglit, Komandanti i Përgjithshëm vlerësoi lart herozimin dhe vetëmohimin e paqeruajtësve shqiptarë, të cilët shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në luftë kundër terrorizmit në kuadër të NATO-s. Në këtë pikë Presidenti Topi u interesua edhe për gjendjen e ushtarakut amerikan të plagosur në të njëjtën kohë me ushtarakët shqiptarë. Presidenti Topi i inkurajoi gjithashtu ushtarakët tanë me mision paqeruajtës në Afganistan, që shërbejnë si partnerë të denjë e besnikë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, duke theksuar se "profesionalizmi dhe trimëria e tyre na bëjnë krenarë" e duke i siguruar se "në këto momente të vështira, ata gëzojnë gjithë mbështetjen e popullit shqiptar".
Nga ana e tij, Nënkoloneli Mara e falenderoi Komandantin e Përgjithshëm për interesimin dhe "që iu gjendet pranë në këto çaste të vështira, duke i mbështetur dhe inkurajuar personalisht dhe institucionalisht" si dhe duke u shprehur se: "fjalët e Presidentit shërbejnë si një forcë nxitëse e frymëzuese për ushtarakët tanë në Afganistan".