E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe trupi diplomatik, ngushëllime familjarëve të komandove

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e njërit nga komandot dhe plagosjen rëndë të tjetrit gjatë sulmeve në Afganistan.Në mesazhin e ngushëllimit Rama thekson:
 

“Dy familje të zakonshme shqiptare kanë humbur djemtë në një luftë ku Shqipëria është e angazhuar në emër të NATO-s. Eshtë një humbje që ka rënë rrufe jo vetëm mbi të dy familjet, po mbi të gjithë ne. Në emër të Partisë Socialiste e të të gjithë opozitës shqiptare u shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të ndjera familjeve të të dy ushtarëve të rreshtuar në frontin e betejës në Afganistanin e largët.
Por në të njëjtën kohë u shpreh familjarëve, të afërmve e miqve të dy djemve të vrarë edhe mirënjohjen më të patregueshme të të gjithëve ne, për shërbimin e lartë patriotik që dy dëshmorët më të rinj të Shqipërisë i bënë vendit tonë duke shkuar bashkë me të tjerë të rinj shqiptarë në atë front lufte. Fjalët nuk mund të mjaftojnë dot për ta shprehur si duhet vlerën e sakrificës sublime të Feti Voglit dhe Aleksandër Peçit, të cilët fatkeqësisht mbyllën sot sytë përgjithmonë duke i shërbyer kauzës së madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës.
Sakrifica e tyre sublime, që i bashkohet asaj të mijëra e mijëra dëshmorëve të NATO-s në luftën e universit demokratik me forcat e një errësire kërcënuese për çdo vlerë e arritje të tij, është një kontribut i paçmueshëm i Shqipërisë së vogël për botën e madhe demokratike. Shqipëria sot ka dy djem të rinj më pak, por dy arsye tejet të forta më shumë për ta vazhduar me edhe më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lirë.Humbja e rëndë që sot e përjetojnë me dhimbje të thellë jo vetëm familjet e dy dëshmorëve tanë po mbarë kombi ynë, është nga ato humbje që mbeten përgjithnjë të shënuara në historinë e sakrificave të lavdishme të një vendi.
Askush nuk u`a kthen dot djalin e vrarë dy familjeve që qajnë sonte bashkë me gjithë Shqipërinë, por si askujt tjetër u takon sot prindërve të dy djemve të jenë krenarë për fëmijët që rritën dhe gjithë shqiptarëve të jenë kryelartë për ushtarët që kanë çuar në luftë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre dhe shërbeftë ky shembull heroik për të qenë gjithnjë të bashkuar mesveti kur është fjala për të mbrojtur kauzat e botës së lirë, krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj, kudo e kurdoherë që universi demokratik do të kërcënohet nga forcat djallëzore të së keqes. Me çdo sacrifice”.
 

Ndërkohë që ngushëllime familjarëve iu kanë shprehur dhe trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë. Në një mesazh ngushëllimi ambasadorët shprehen se vlerësojnë kontributin e vendit tonë në Afganistan dhe rolin e forcave tona paqeruajtëse, ndërsa shprehin ngushëllime për familjarëve për të dashurit e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›