Presidenti Topi merr pjesë në Konferencën “Reforma në pushtetin gjyqësor dhe prokurori, sfidë e kohës”.
4 tetor 2007
President i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga deputetët e Vlorës, Arben Malaj, Besnik Dervishi, Bujar Leskaj dhe Ardian Kollozi, vizitoi sot qytetin bregdetar të Vlorës, ku mori pjesë fillimisht në Konferencën “Reforma në pushtetin gjyqësor dhe prokurori, sfidë e kohës” e organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ). Në këtë Konferencë ishin të pranishëm gjyqtarë dhe prokurorë të Vlorës, Fierit dhe Beratit dhe Presidenti Topi kërkoi angazhimin e të gjithëve për reformën e pritshme në drejtësi.
Presidenti Topi, gjatë fjalës së tij me këtë rast u shpreh: “E rëndësishme është që me cilësinë e Presidentit të Republikës do të jem i pozicionuar tek dokumenti themeltar i shtetit. Ky është një pozicion rigoroz, tek i cili nuk duhet të dyshojë askush. Ky është pozicion ligjor që ka institucioni i Presidentit, por institucioni i Presidentit do të jetë shumë i rëndësishëm për të qenë promotor, për të qenë bashkëpunëtor, për të qenë katalizator i proceseve të reformimit sidomos në sistemin e drejtësisë. Nuk është një nevojë që vjen thjesht nga brenda, por vjen dhe si një lloj diktimi nga të gjithë përfaqësuesit e vendeve europiane ku në temat që diskutohen për integrimin e Shqipërisë në Europë, një nga momentet themelore është pikërisht dhe sistemi i drejtësisë.
Pasi foli për tryezën e partive politike të inciuar nga ai një muaj më parë, Kreu i Shtetit vuri në pah: “Me kënaqësi konstatova që të gjithë ishin të predispozuar, të motivuar, dhe shprehën vullnetin e tyre që kjo reformë duhet të vazhdojë me ritme intensive, por pas një muaji kemi tentaviva të qarta të segmentimit të debatit politik. Ka më shumë dëshirë për të qenë interesant nëpër intervista televizive, për t’u marrë me gjëra natyrisht që janë të rëndësishme, por përpara kësaj që kemi diskutuar konsiderohen të vogla në sensin relativ kuptohet, por pas një muaji nuk kam dëgjuar asnjë zë që të thotë hajde të fillojmë punën për komisionin për të cilin u ra dakord. Pra politika shqiptare duhet të largohet nga llafet, nga retorika, nga debate të vogla dhe t’i kthehet debatit themeltar”.
Pasi falenderoi të gjithë ekspertizën ndërkombëtare dhe ata që janë të interesuar për ta parë Shqipërinë si një vend europian të pozicionuar jo thjesht gjeografikisht në Europë, por edhe me standardet që kërkon Europa e Bashkuar dhe mbi të gjitha me standarde në fushën e drejtësisë, Presidenti Topi theksoi se: “Ne do ta vazhdojmë reformën. Do ta vazhdojmë, sepse në rast se kjo reformë nuk do të bëhet, ju siguroj se nuk do të bëhet ose do të zvarritet jo për fajin tuaj, përfaqësues të sistemit të drejtësisë. Në rast se nuk do të bëhet kjo reformë, kjo do të ndodhë sepse nuk do të ketë vullnet politik. Nuk do të bëhet sepse klasa politike, deputetët nuk do të jenë në gjendje që të bashkëpunojnë për të ofruar ekspertizën dhe për të reformuar ligjin. Pa dashur të paragjykoj askënd, kjo do të krijonte një handikap shumë i madh, i cili do të paguhet sigurisht me ata që na monitorojnë. Monitorimi bëhet në radhë të parë nga qytetarët, së dyti monitorimi bëhet nga institucionet ku ne presim të integrohemi.“
Kanë dhënë mendimet e tyre në këtë Konferencë edhe: Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, Kryetari i Gjykatës së Fierit, Andi Civici, Kryeprokurori i Vlorës, Petrit Cano, Drejtoresha e UNICEF-it në Shqipëri, Kerri Auer dhe Drejtuesja e Transparency International të Berlinit, Anxhela Hercog. Diskutuesit u shprehën hapur për bashkëpunim duke evidentuar probleme specifike dhe duke trajtuar çështje të luftës kundër korrupsionit, si dhe riorganizimit dhe ristrukturimit të pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë. Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj tha se: “Kufizimi i mandatit të jetë edhe për drejtues të tjerë të prokurorisë”. Ndërsa Petrit Cano, Kryeprokurori i Vlorës duke gjykuar si të drejta vërejtjet e Presidentit për hapjen e çështjeve, kërkoi rritje të fondeve për ta përballuar këtë proces.
Më tej, në vazhdim të vizitës së tij në Universitetin Teknologjik “Ismal Qemali” në Vlorë, Presidenti Topi u prit nga Rektori i këtij institucioni të arsimit të lartë, Bilal Shkurtaj. Kreu i shtetit vizitoi laboratorët e infomatikës, biologjisë dhe kimisë. Atje u takua me stafin akademik, zhvilloi edhe një takim me studentë dhe pedagogë gjatë, të cilit vlerësoi punën e jashtëzakonshme që po bëhet. “Nuk është rastësi, – ka thënë Presidenti Topi.– që Vlora ka një Universtitet me mbi 10 mijë studentë, që dëshmon kapacitetet e Vlorës së sotmes, por që do t’i shërbejnë edhe së nesërmes. I inkurajoj studentët që të marrin sa më shumë dije për të vënë në shërbim të shoqërisë gjithçka edhe në funksion të së ardhmes së gjithë qarkut”.
Më pas Presidenti ishte në Bashkinë e qytetit ku u prit që në hyrje të saj nga Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika. Gjatë takimit me stafin e Bashkisë, kryetari Gjika ka shprehur besimin se Presidenti Topi do e kryejë më së miri rolin si Kryetar shteti. Edhe Presidenti Topi garantoi ndjeshmërinë për të ardhmen e Vlorës. Bashkëpunimi mes forcave politike nëpërmjet harmonizimit të marrëdhënieve të pushtetit qendror dhe atij lokal, u nënvizua nga Presidenti Topi në takimet që pati me anëtarë të Këshillit të Qarkut dhe të Këshillit të Bashkisë. Kryetari Bashkisë së Vlorës e ka ftuar Kreun e shtetit të marrë pjesë në kremtimet e 95 vjetorit të Pavarësisë dhe President Topi e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë.