Presidenti Topi mesazh për Vitin e Ri
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2012-të. Në një mezash të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës shkruhet:
“Të dashur bashkëkombas,
Të dashur motra e vëllezër shqiptarë kudo ku ndodheni, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në mbarë botën!
Me një ndjenjë shumë të veçantë dëshiroj të ndaj me të gjithë ju urimet e mia më të ngrohta në këtë festë tradicionale të shkëmbimit të viteve!
U uroj të gjithë shqiptarëve, familjeve të tyre, të moshuarve dhe fëmijëve më shumë dashuri, më shumë ngrohtësi, më shumë respekt, më shumë besim për të ecur së bashku drejt një shoqërie dhe një jetë më të begatë dhe më të qetë në vitin 2012!
Në këto çaste të veçanta të jetës sonë, mendimi im shkon tek të gjithë ata, të cilët nuk mund të jenë më afër nesh, por që mungesa e tyre na e shton më shumë përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Me shumë respekt dhe mirënjohje ju ftoj të gjithëve të ndajmë urimin me ushtarakët tanë, të cilët ndodhen larg familjeve të tyre për të mbajtur lart flamurin shqiptar në misionin e tyre për paqe dhe demokraci si anëtarë të denjë të NATO-s!
Urimi im shkon në këto çaste të ndryshimit të viteve për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të gjithë brezat, për të moshuarit, për fëmijët, për të rinjtë, për nënat, për prindërit, për të gjithë ata të cilët sot më shumë se kurrë hapin zemrën e tyre për të ndarë urimin e sinqertë: Gëzuar Vitin e Ri 2012! Por në mënyrë të veçantë unë dëshiroj të ndodhem sot pranë atyre, të cilët kanë nevojë të mos jenë vetëm ose nuk kanë mundësi të festojnë, pranë atyre, të cilët padrejtësisht janë në nevojë për një familje, për fëmijë, për prindër, për një jetë më të mirë e për një të ardhme të qartë!
Historia dhe populli shqiptar pret shumë më tepër nga të gjithë ne në vitin 2012. Shqipëria, të dashur motra dhe vëllezër, nuk duhet të vonohet asnjë çast në procesin e demokratizimit të saj
Viti i ri që po vjen është viti ynë, të dashur motra e vëllezër shqiptarë.
Të gjithë bashkë dhe vetëm duke punuar së bashku 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë mund të na bëjë të jemi krenarë për të tashmen dhe të ardhmen. Gëzuar! Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar! Rroftë 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!”-përfundon mesazhi i urimit.