E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin dhe veprën e figurës së shquar të futbollit shqiptar, Medin Zhega

14 qershor 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i bëri sot homazhe të ndjerit Medin Zhega, në shenjë nderimi dhe vlerësimi të veçantë për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit shqiptar ndër vite, si lojtar, specialist dhe trajner i Kombëtares shqiptare të futbollit.

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në prani të familjarëve, miqve të shumtë dhe personaliteteve të sportit shqiptar, Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, vendosi një kurorë me lule pranë trupit të pajetë të personalitetit të shquar të sportit shqiptar, si dhe i shprehu ngushëllimet më të sinqerta anëtarëve të familjes, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të ish-futbollistit dhe trajnerit Zhega.

Më tej, pas lënies së shënimit ngushëllues në “Librin e Zisë”, Kryetari i Shtetit shqiptar u prononcua për mediat e pranishme: “Sot, me hidhërim të thellë përcjellim me lamtumirën e fundit, Medin Zhega, të paharruarin, një personalitet i shquar jo vetëm i botës së sportit, por dhe një qytetar i devotshëm, një njeri, me të cilin kam pasur njohje të drejtpërdrejtë, duke pasur rastin që të ma rrisë mundësinë për ta vlerësuar atë në radhë të parë si njeri me karakter të fortë, gjë të cilën ai e demonstroi jo vetëm në botën e sportit, por edhe në politikë, dhe në radhë të parë, në marrëdhënie me qytetarët, me kolegët e tij. Kjo është arsyeja që ai nderohet sot nga të gjithë. Shpirti i tij u prehtë në paqe!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›