E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi në Katar, takon përfaqësues nga bashkësia shqiptare

TIRANE-Në ditën e parë të vizitës në Doha për të marrë pjesë në punimet e Forumit të 4-të të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim të përzemërt me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Katar. Sic njofton zyra e shtapit të Presidencës, në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi.

Të njëjtat burime bënë të ditur se gjatë takimit me bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që të gjithë intelektualë dhe ekspertë të shquar në fusha të ndryshme, Presidenti Topi u njoh me veprimtarinë e tyre në Katar.
Ai tha se prani e shqiptarëve në shtete të ndryshme shërben si urë miqësie me këto vende.
“Vlerësoj faktin që vetë prania e shqiptarëve të profesioneve të kualifikuara dhe puna e tyre e cilësore shërbejnë për të konsoliduar urat e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe për rritjen e imazhit të shqiptarëve anembanë botës’’.

Presidenti Topi shprehu besimin që kontributi i bashkëatdhetarëve tanë të mirëintegruar në këtë vend që po modernizohet me shpejtësi marramendëse, do të jetë i dukshëm dhe i prekshëm edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Kreu i shtetit theeksoi se ata kanë mundësinë të sjellin ekspertizën e marrë në Katar duke kontribuar kështu në përparimin e mëtejshëm të vendit tonë në në fusha të tilla si mjekësia, sigurimet shoqërore, industria e kompanive ajrore, etj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Katar, pasi çmuan lart këtë takim, vlerësuan interesimin e sinqertë e të drejtpërdrejtë të Presidentit Topi për t’u njohur personalisht dhe më nga afër me veprimtarinë dhe sukseset e bashkëatdhetarëve tanë kudo ku ata jetojnë e punojnë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›