E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, nesër vizitë zyrtare në Slloveni

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, me ftesë të Presidentit slloven, Danilo Tyrk, niset nesër për një vizitë shtetërore dyditore në Republikën e Sllovenisë, në krye të një delegacioni të përbërë nga drejtues të lartë të institucioneve kushtetuese e të pavarura, nga akademikë si dhe nga një grup i madh përfaqësuesish të sipërmarrjeve shqiptare.
Kreu i shtetit shqiptar do të mikpritet nga homologu i tij slloven, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t'u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku pritet të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situatën në rajon.
Presidenti Topi do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin slloven, Borut Pahor, me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gandar, si dhe me kryebashkiakun e Ljubljanës, Zoran Jankoviç dhe atë të Bledit, Janec Fajfar. Gjatë vizitës në Slloveni, Presidenti Topi, së bashku me homologun e tij slloven, do të përshendesin Konferencën e biznesit shqiptaro-slloven, duke vënë theksin në forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›