E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset për një vizitë zyrtare në Republikën e Hungarisë

2 mars 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi u nis sot për një vizitë zyrtare dy ditore në Republikën e Hungarisë në krye të një delegacioni, në përbërjen e të cilit janë dhe një grup i rëndësishëm biznesmenësh shqiptarë.

Në axhendën e Presidentit të Republikës parashikohen takime me drejtuesit më të lartë të shtetit hungarez, Presidentin Pal Shmit, me Kryeministrin Viktor Orban si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare (Parlamentit), Lazlo Këver. Temë qendrore e bisedimeve do të jenë perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e investimeve të biznesmenëve hungarezë në sektorë jetikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si infrastruktura, energjetika, turizmi, etj.

Gjatë qëndrimit të tij në Hungari, Kryetari i Shtetit shqiptar do të vendosë një kurorë në Sheshin e Heronjve të Budapestit dhe më pas, do të zhvillojë gjithashtu një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Republikën e Hungarisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›