E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përkujton me nderim Azem Hajdarin, njërën prej figurave më të shquara të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.

12 shtator 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi sot në mesditë një vizitë në familjen e “Pishtarit të Demokracisë”, Azem Hajdari, njërit prej politikanëve dhe deputetëve më të spikatur në historinë e demokracisë shqiptare, i cili humbi jetën tragjikisht 13 vjet më parë në Tiranë.

Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit Shqiptar kujtoi me nderim e respekt të veçantë disa momente të paharrueshme të punës e të bashkëbisedimeve miqësore me të ndjerin Azem Hajdari, si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, duke vënë në dukje veçanërisht vullnetin, dëshirën e punën vetëmohuese të tij për të realizuar ëndrrën e hershme, konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit Azem Hajdari, falenderuan Presidentin Topi për nderimin që i bën çdo vit kujtimit të Azem Hajdarit, duke sjellë në kujtesë e duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen e thellë për dekorimin e Azem Hajdarit, pas vdekjes me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës.

Në një prononcim për mediat, Kryetari i Shtetit, duke vlerësuar këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare, u shpreh: “13 vite natyrisht janë shumë, por ne që e kemi njohur Azemin, neve që na mungon shumë prania e tij, për ne sigurisht që janë shumë pak. Por sa më shumë kalojnë vitet, e kam thënë edhe herë tjetër, aq më shumë ne e vlerësojmë Azemin. Pra, një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar. Por edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajon civile, për kurajon qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi që njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë. E dyta, për të qenë i predispozuar për të bashkëpunuar, dhe Azemi ka qenë nga ata njerëz që dinte të bashkëpunonte për kauza të mëdha. Kjo është arsyeja që ai respektohet, pavarësisht që vitet kalojnë dhe ai mbetet gjithmonë një figurë shumë e freskët për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›