E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Konferencën e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

22 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përshëndeti sot Konferencën e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), e cila zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit, në praninë e Shkëlqesisë Haxhi Ing. Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Hirësisë Anastas Janullatos, Kryetar i Komunitetit Ortodoks, Shkëlqesisë Monsinjor Rrok Mirdita, Kryetar i Komunitetit Katolik, dhe të Nderuarit Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryetar i Komunitetit Bektashian.

Në pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë, Kryetari i Shtetit iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse:

“Të nderuar miq!

Më lejoni të kërkoj ndjesë për vonesën! Në këtë ndërtesë sot ka dy aktivitete shumë të rëndësishme. Me cilësinë e Presidentit dhe Kryetarit të këshillit të Lartë të Drejtësisë, unë mora pjesë në një diskutim për çështjet e drejtësisë në Shqipëri.

Tani jam në një eveniment shumë të rëndësishëm dhe jo rastësisht, këto dy evenimente shkojnë në kohezion me njëra-tjetrën, sepse me besim tek shteti, me besimin tek ligjet dhe me besimin tek Zoti, ne do ta bëjmë Shqipërinë një shtet të së drejtës. Isha i bindur që ju nuk do të mërziteshit, sepse tipari themelor, ai që është në substancën e çdo feje është pikërisht durimi dhe besoj që ju më keni kuptuar.

Të nderuar udhëheqës të bashkësive fetare shqiptare,
Haxhi Selim Muça,
Kryepeshkop Anastas Janullatos,
Imzot Rrok Mirdita,
Haxhi Dede Reshat Bardhi,
Të nderuar drejtues të Këshillit Ndërfetar,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Miq dhe të ftuar,

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë që ndodhem këtu sot mes jush për të përshendetur ceremoninë e hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë! Ftesën për të qenë i pranishëm sot këtu e pranova me ngazëllim, sepse ky Këshill është shembulli më i qartë dhe më i fundit i harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, që ka karakterizuar kombin tonë në shekuj.

Një institucion i tillë, i bazuar në traditën historike dhe fetare të popullit tonë është tepër i domosdoshëm në kohërat kur jetojmë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë duke patur si synim dhe objektiva rritjen, forcimin dhe përsosjen e pandërprerë të marrëdhënieve të ndërsjellta mes bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri ka marrë përsipër një mision sa fisnik, aq edhe njerëzor: ndërtimin e një shoqërie sa më paqësore e sa më të drejtë në Shqipëri. Mësimet e të Plotfuqishmit, urdhëresat e tij të shenjta, zbatimi i tyre nuk do të sillte gjë tjetër veçse do të bënte shoqërinë tonë më të mirë, më të fortë e më njerëzore. Vlerat fetare të kombinuara me virtytet më të mira njerëzore kultivojnë vetëm njerëz më të mirë, më të përgatitur shpirtërisht për përballimin e sfidave të jetës, me një mendësi krejt të ndryshme nga e kaluara, kur vendet e shenjta, xhamitë, kishat, tyrbet u prishën, u shembën, u përdhosën duke sjellë edhe shpërfytyrimin shpirtëror e psikologjik të shoqërisë. Ringritja, rigjallërimi dhe vendosja e këtyre vlerave në piedestalin e merituar është detyra dhe qëllimi i shenjtë i gjithë misionarëve dhe shërbëtorëve të Zotit dhe përsosja e mëtejshme e ndërveprimeve mes këtyre bashkësive është edhe vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet këtij Institucioni, hapjen e të cilit po kremtojnë sot të gjithë bashkë, pa dallim, feje, pozicioni, shtrese apo origjine.

Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por në këtë truall kanë hedhur rrënjë dhe janë zhvilluar të dyja fetë nga më të vjetrat në historinë njerëzore: si krishterimi ashtu edhe myslimanizmi. Vetë ekzistenca paqësore e katër bashkësive fetare: myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane si dhe toleranca e harmonia ndërfetare mes këtyre bashkësive provon katërcipërisht karakteristikën e shpirtgjerësisë fetare dhe kulturën e pranimit të tjetrit që është ndryshe, pavarësisht nga përkatësia fetare.

Për këto kemi shumë shembuj nga historia jonë dhe ajo e marrëdhënieve fetare. Kemi shembullin e papërsëritshëm të pranimit, strehimit dhe mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kemi shembullin më të rëndësishëm botëtor: atë të Nënë Terezës, e cila lindi, u rrit si shqiptare shpirtmadhe dhe u përkujdes për miliona njerëz, pavarësisht feve të cilave ata u përkisnin. Ajo mbolli farën e tolerancës, përkujdesjes njerëzore, humanizmit, pranimit, jo diskriminimit, duke bërë që kjo “vepër kaq e vogël në fillim, por e kryer me një dashuri tepër të madhe njerëzore” kjo gonxhe e mirësisë njerëzore të çelte, të lulëzonte, të rritej e të shumohej anembanë globit për ta bërë botën ku jetojmë më të mirë, më shpresëdhënëse, më të paqtë, më tolerante, ndoshta edhe më pak të vuajtur e më tepër optimiste.

Vendi ynë është bërë anëtar i NATO-së duke kontribuar në rritjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë. Ka ndryshuar dhe ka shënuar suksese në shumë fusha, por ato që kanë më tepër vlerë janë marrëdhëniet njerëzore dhe përsosja e tyre e vazhdueshme. Në një të ardhme të afërt ne synojmë dhe do të bëhemi edhe zyrtarisht anëtarë të familjes së madhe evropiane, së cilës i përkasim gjeografikisht dhe shpirtërisht. Në këtë familje, si anëtarë të barabartë të rifutur rishtazi do të na duhet që përveç përmbushjes së standardeve pranuese, të sjellim edhe disa nga vlerat dhe pasuritë tona si kulturore, ashtu edhe shpirtërore. Të sjellim edhe veçoritë tona të rralla, ato që na e kanë zbukuruar karakterin dhe na e kanë bërë ekzistencën tonë historike më krenare e më të lehtë. E ku ka një tjetër komb në kontinentin tonë të vjetër që të gëzojë një tolerancë dhe harmoni të tillë ndërfetare? Ku ka një tjetër vend në botë ku fetë jetojnë krah për krah me njëra tjetrën duke pranuar dhe duke u përsosur në bashkëjetesën e tyre paqësore dhe duke festuar ditët dhe simbolet e shenjta të njëra-tjetrës?

Kjo është vlera jonë e përbashkët dhe ky është virtyti ynë i rrallë, të cilin jo vetëm do ta eskportojmë kudo që të mundemi, por do ta ndajmë me shumë dëshirë me vendet dhe popujt e tjerë anembanë globit. Prandaj edhe jam sot këtu, jo vetëm për të kremtuar hapjen e një Këshilli kaq të nevojshëm e të dobishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërfetare në vendin tonë, por edhe për t’ju siguruar rreth mbështetjes së palëkundur personale e institucionale gjatë ndërmarrjes suaj kaq të vlefshme e të rëndësishme në shërbim të paqes, mirësisë, tolerancës, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Punë të mbarë dhe suksese në misionit tuaj të shenjtë e fisnik!”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është një shembull i tolerancës ndërfetare në Shqipëri dhe në llojin e vet përfaqëson një rast unik dhe të papërsëritshëm në mbarë botën. Formimi i KNFSH-së e ka zanafillën e vet më 18 Mars 2005, kur u nënshkrua edhe “Deklarata e Angazhimeve Morale të Përbashkëta” në Tiranë nga katër komunitetet fetare tradicionale të vendit tonë: Komuniteti Mysliman, Ortodoks, Katolik, dhe Bektashian. Qëllimi parësor i këtij Këshilli lidhet me forcimin, konsolidimin dhe përsosjen e vazhdueshme të marrëdhënieve të ndërsjellta midis komuniteteve fetare shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›