VENDIM PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE DHE TË STUDENTËVE, NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2009-2010
V E N D I M
PËR
KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE DHE TË STUDENTËVE, NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE,
PËR VITIN SHKOLLOR 2009-2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimim dhe formim profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10 025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
2. Përfitojnë bursë, brenda kuotave dhe kritereve të përcaktuara në këtë vendim,:
2.1. Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
a. Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km, dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b. Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik.
c. Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
ç. Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
d. Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik.
dh. Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik.
2.2. Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë)
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-ta. Nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e në vazhdim dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8-të. Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje Ari.ç. Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit. Për vitin 2009, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë, kur studentët vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin shkollor 2009-2010.
d. Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-ta.
dh. Studentët, që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të.
2.3. Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
a) Fëmija, nxënës apo student, i punonjësit të Policisë së Shtetit apo i Forcave të Armatosura, që kanë humbur jetën në krye e për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën emërore të tyre.
b) Nxënësit, që vijnë nga zonat Verilindore dhe Juglindore të vendeve (Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari, Tepelena dhe rrethi i Tiranës), të cilët regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor, 2009-2010, në shkollat e mesme profesionale.
2.4. Sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë (nxënës)
Nxënësit, që regjistrohen e që ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2009-2010, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim.
3. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
a. janë ndarë nga trungu familjar;
b. familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c. vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç. shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes së bursave, për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore (ZA), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë).
DAR-ja/ ZA-ja, pas këshillimit me strukturat e pushtetit vendor, bëjnë planin e shpërndarjes së bursave në bashki dhe komuna, në përputhje me kërkesat e paraqitura, paraprakisht, prej tyre për kategoritë sipas pikës 2.1, të këtij vendimi.
5. Këshillat e bashkive dhe të komunave, në bazë të planit të përcaktuar për to nga DAR-ja/ ZA-ja, vendosin për dhënien e bursave, sipas kritereve ekonomike, të përcaktuara në këtë vendim, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për t’u trajtuar me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë burse.
5.1. Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
5.2. Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë, si dhe bashkive/komunave, që menaxhojnë konviktet, listën emërore të studentëve dhe të nxënësve bursistë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave bashkiake dhe të komunave. Një kopje e kësaj liste, dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
5.3. Plani i bursave për nxënësit, që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2009-2010, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, jepen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për bashkinë dhe komunën përkatëse, sipas vendndodhjes, territoriale dhe administrative, të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit, sipas numrit të nxënësve të regjistruar në këto degë. Drejtoria arsimore rajonale dhe zyra arsimore, menjëherë, pas mbarimit të regjistrimit në këto degë dërgon informacion në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë.
6. Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative, të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë.
Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
7. Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë, brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi.
Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas pikës 2.2, të këtij vendimi, është deri në 150, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2009-2010. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, të këtij vendimi. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes, të cilin ia dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë.
Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
8. Nga plani i bursave, të miratuara për vitin shkollor 2009-2010, bashkisë së Tiranës i jepen 10 (dhjetë) bursa për studentët, që vijnë nga familjet/shtresat sociale në nevojë, dhe për ato që janë invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pavarësisht nga kriteri i studimit larg vendbanimit, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, u jepen deri në 5 (pesë) bursa për këtë kategori studentësh.
9. Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve, që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve, që nuk Shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore, etj., sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kjo kategori nxënësish/studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë shkollat.
9.1. Nxënësve/studentëve, që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2. Nxënësit jetimë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese.
9.3. Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.
10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet e arsimit të lartë dhe u paguhen, çdo muaj, me kalim, në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti.
10.1. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat e nxënësve, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes, territoriale dhe administrative, të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit do t’i përfitojnë këto fonde vetëm me ushqim, në konvikt. Nxënësve, të cilët nuk janë vendosur/akomoduar në konvikt për mungesë kapacitetesh, u paguhet bursa çdo muaj nga bashkia/komuna, në llogarinë bankare të nxënësit përfitues.
11. Niveli i bursës për nxënësit dhe studentët jepet sipas pasqyrave nr.2 e nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi, dhe kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr.4 e nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
12. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri shkollor 2009-2010, të japë 1600 bursa, për nxënësit, dhe 1 600 bursa, për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi.
13. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin shkollor 2009-2010, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për pjesën e vitit 2009, si dhe nga buxheti i shtetit, që do të miratohet për vitin 2010, për pjesën e vitit 2010.
14. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2009, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 15 nëntor 2009.
15. Vendimi nr.1211, datë 27.8.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe studentëve në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2008-2009”, shfuqizohet.
16. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, DAR-të/ZA-të dhe institucionet e arsimit të lartë e njësitë e pushtetit vendor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
30/09/2009