E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi përshëndet shfaqjen e “Dans Teater” të Kompanisë Britanike “Stop Gap”

5 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ishte sonte në mbrëmje i pranishëm në Teatrin e Akademisë së Arteve ku ndoqi me shumë interes dhe vëmendje të veçantë shfaqjen e “Dans teater” të Kompanisë Britanike “Stop Gap”, në të cilën kërcyen persona me aftësi të kufizuar, por njëkohësisht mjaft të talentuar në kuadër të promovimit të “Javës gjithëpërfshirëse” të organizuar nga “Këshilli Britanik”, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe me mbështetjen e Fondacionit “Vodafone Albania”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam, përfaqësues të shoqërisë civile, të medias, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve shqiptare, persona me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre si dhe shumë artdashës e të ftuar të ndryshëm, të cilët kishin ardhur për të mbështetur, ndjekur e admiruar rolin pozitiv që luajnë personat me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe rëndësinë që kanë mundësitë dhe shanset e barabarta për këtë shtresë të shoqërisë.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës e përshëndeti këtë veprimtari të veçantë artistike duke u shprehur:

“E nderuar zonja Ambasadore!
Të nderuar përfaqësues të Këshillit Britanik!
Të nderuar të pranishëm!
Zonja dhe zotërinj!

Për mua është një emocion i veçantë që jam sonte këtu, me ju, midis jush për të marrë në një aktivitet, i cili tashmë është bërë një traditë në Shqipëri. Padyshim emërtimi i kësaj jave si ‘Javë e gjithëpërfshirjes’ përmbledh në vetvete në radhë të parë një botëkuptim, një formim individual, kolektiv dhe institucional, përmbledh eksperiencë dhe mbi të gjitha, përmbledh fisnikërinë.

I kam shumë të freskëta të gjitha ceremonitë që janë realizuar në funksion të ‘Lojërave Olimpike Speciale’, ku të pranishëm, jo thjesht për të qenë prezent, por si kontribues të drejtpërdrejtë, kanë qenë Ambasada e Britanisë së Madhe, Këshilli Britanik, Fondacioni ‘Vodafone Albania’ dhe Komiteti Olimpik Shqiptar. Besoj që ndaj me ju të njëjtin mendim: se sa i fortë është emocioni kur i dorëzon flamurin kombëtar kapitenit të ekipit të ‘Lojrave Olimpike Speciale’ duke u besuar atyre jo vetëm një konkurim të suksesshëm, por edhe trofe. Ne e falenderojmë nga zemra Këshillin Britanik, i cili prej vitesh ushtron veprimtarinë e tij në Shqipëri, sepse ka futur me shumë dashuri dhe profesionalizëm shumë elementë të ndjeshmërisë qytetare për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare edhe më të ndjeshme që edhe ajo të sintonizohet me të gjithë ata tregues që ka shoqëria bashkëkohore evropiane, aty ku Shqipëria tenton të aderojë së shpejti!

Gjithëpërfshirja sigurisht që nuk është vetëm kaq. Gjithëpërfshirja është motivim, edhe ai zë i bukur fëmije është pjesë e gjithëpërfshirjes. A ka gjë më të bukur se sa t’i edukojmë brezat pikërisht me këtë filozofi?

Ne sonte do të kemi rastin që të ndjekim një veprimtari që padyshim do të jetë shumë e bukur, e grupit britanik ‘Stop Gap’, i cili në vetvete duke e ushtruar pikërisht këtë filozofi dhe botëkuptim do të na japë shansin që të shohim drejtpërdrejt se sa pa paragjykim dhe sa me profesionalizëm do të luajnë së bashku. Bota jonë globale natyrisht që është shumë e larmishme, në sensin e larmisë biologjike, por edhe intelektuale. Dhe kjo botë e bukur, me eksperiencën e saj mijëravjeçare na ka dhënë shembuj të njerëzve, të cilët kanë vdekur duke mos pasur shansin për të ushtruar veprimtarinë e tyre normale fiziologjike. E kam fjalën këtu për njerëzit dembelë e të pamotivuar, por bota jonë e bukur na ka dhënë shembuj se si njerëz me aftësi të kufizuar kanë arritur që të bëhen kampionë olimpikë. Kjo do të thotë që asgjë në këtë botë nuk është e pamundur. E rëndësishme është që të marrësh pjesë, të jesh gjithëpërfshirës dhe atëhere ti je kampioni i vërtetë olimpik.

Shqipëria ka një legjislacion modern përsa i përket të drejtës së çdo individi për të mos qenë i diskriminuar, qoftë përsa i përket origjinës, gjinisë, profesioneve, moshës, pra të gjitha janë të përfshira në legjislaturë. Por nëse në letër ne vërtet e kemi shansin që të jemi të përsosur, të huazojmë legjislacionin modern të kohës, në veprimet konkrete të zbatimit të ligjit nuk jemi të përsosur. Pra të gjithë së bashku të punojmë për të marrë pjesë, për të qenë gjithëpërfshirës, për të qenë të motivuar, për të inkurajuar të gjitha institucionet, për të inkurajuar shoqërinë që të jetojmë të gjithë në një shoqëri të hapur, por edhe në një shoqëri të ndjeshme.

Nuk dëshiroj ta ngatërroj këtë natë me politikë, por një urim do ta bëja: Urim, që të gjithë ata, të cilët merren me politikë, ata që merren me punë të mira nëpër institucione, por sidomos ata që në të ardhmen do të merren me politikë, t’i bëjnë mirë llogaritë e të mos futen në politikë në rast se nuk janë të ndjeshëm! Në këtë mbrëmje, duke përfunduar, ju uroj të gjithëve që të gëzojmë një natë të bukur ku motive dhe filozofia të jetë gjithëpërfshirja! Kjo është arsyeja pse unë nuk e vë në dyshim, sepse edhe fakti që kemi ardhur në këtë auditor të bukur është pikërisht, sepse jemi të ndjeshëm dhe jemi me filozofinë e gjithëpërfshirjes.

Suksese!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›