E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi po përfundon i lidhur me Ben Qimen

Antena brenda familjes

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ia ka kthyer reston dje publikisht nënkryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu. Debati mes tyre në të vërtetë nuk është debat mes tyre, por mes shefave të tyre. Në përpjekje për ta fshehur debatin e madh, iu ka ngelur në dorë dy të vegjëlve të zihen me njëri-tjetrin publikisht. Për t’i dhënë një mesazh të fortë kundër presidentit, Berisha po kërkon shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Deri këtu gjithçka është e qartë. Por problemin e krijoi papritur ministri Alibeaj. I pastërvitur me median dhe i pazoti për ta përballuar debatin publikisht, ai bëri një gafë të pakorrigjueshme, kur kundërshtoi kërkesën e KLD për verifikimin e tre gjyqtarëve që kanë favorizuar Delijorgjin. Media, e cila është shumë e ndjeshme ndaj emrit të Delijorgjit, e afishoi atë menjëherë si avokat të shtetit për Delijorgjin. Kjo e tërboi kryeministrin, i cili e bëri për ujë të ftohtë ministrin Alibeaj. Aq shumë u acarua në bisedë me të duke folur nga jashtë Shqipërisë, sa disa orë pas bisedës Alibeaj u mbyll në zyrë dhe nuk komunikonte me njeri, përfshi dhe vetë Berishën, të cilit i mbylli telefonin. Të nesërmen, nisi agresioni ndaj Spahiut. U korrigjua gafa e Alibeajt dhe u kërkua shkarkim për tre gjyqtarët, por nga ana tjetër dhe shkarkim për Kreshnik Spahiun. Kjo e bëri situatën komike, pasi shkarkimin e Kreshnik Spahiut e ka në dorë KLD dhe jo ministri.

Kështu, debati evoluoi dhe nga burgu Mihal Delijorgji i doli në krah Alibeajt dhe qeverisë, duke sulmuar Kreshnik Spahiun. Dyshimet ishin aq të mëdha, sa dukej se Delijorgjin e kishte nxitur vetë Kreshniku të bënte atë gafë.

Por jo. Prapë ministri Alibeaj i doli zot duke mbështetur akuzat e Delijorgjit. Kjo e vuri sërish në pozita komode Kreshnikun dhe natyrisht acaroi pa fund kryeministrin. Dje u zhvillua dueli më i egër publik mes të dyve. Kreshnik Spahiu u shpreh qartë dhe shkurt se shteti duhet të zgjedhë mes drejtësisë dhe Delijorgjit dhe po merr anën e Delijorgjit. Kaq mjaftoi që ministrit të Drejtësisë t’i binte telefoni dhe të urdhërohej të shkruante deklaratën.

Sipas Alibeajt, nënkryetari i KLD, Spahiu, duhet t’i nënshtrohet votëbesimit dhe nuk mund të fshihet pas emrit të Delijorgjit dhe Ben Qimes. Deklarata shkaktoi habi të madhe, pasi përveç frazave stereotipe të Berishës dhe përveç emrit të njohur të Delijorgjit, u shfaq në skenë dhe një personazh i ri që u quajtkërka Ben Qimja. Sipas gjithë dijenive të Antenës, ky është një person i vetëdorëzuar një muaj më parë, që dyshohet për një vrasje të kryer në Tiranë dhe është me origjinë nga Fieri. Më parë thuhej se e mbronte Dhori Sollaku dhe disa ish-funksionarë të lartë të Berishës, deri pjesëtarë të qeverisë. Megjithatë të gjitha ngelën thashetheme, pasi Ben Qimja nuk arrestohej, edhe pse kishte çarmatosur policinë në mes të ditës në Fier. Situata u bë komike, kur miq të Ben Qimes në qeveri e siguruan atë se nuk do të dënohet, po të dorëzohet, pasi e kishin rregulluar me Gjykatën e Lartë që ta hidhte poshtë provën e AND, bërë në një laborator anglez. Dhe kështu gjithçka po shkonte vaj. Por në momentin që Ben Qimja po lirohej me ndihmën e njerëzve të qeverisë, prokuroria kërkoi mbajtjen e tij në burg dhe rimarrjen e provës, çka mund t’i hapë telashe të reja këtij njeriu. Me sa dimë ne, prokuroria varet nga presidenti, nga ku dyshohet se varet dhe Kreshnik Spahiu, kështu që akuza e ministrit Alibeaj mund të hapë një debat të ri mbi pronësinë politike të Ben Qimes. Për më tepër, një ministër Drejtësie, kur flet për një të akuzuar, nuk ka lezet të flasë me pseudonime, pasi emri i vërtetë i të dyshuarit është Arben Isufaj. Kur do të akuzojë, duhet të akuzojë tamam, se pastaj, nesër, nëse ndodh që përpjekjet e njerëzve të qeverisë kanë sukses dhe ky person lirohet, Alibeaj mund të thotë që “nuk e kisha fjalën për Arben Isufajn, por për Ben Qimen”. E sigurt është se Kreshnik Spahiu nuk e njeh këtë person as me emër, as me pseudonim. Dhe e vetmja gjë që kuptohet nga sulmi i Alibeajt, është se Berisha kërkon të akuzojë Bamir Topin si të lidhur me Ben Qimen. Guxim i madh është!

Nuk ka faj Flamur Noka që i merr si të vërteta arritjet e qeverisë dhe mburret para njerëzve.

- Mbaj mend, kur u vetëdorëzua Ben Qimja, - po iu tregonte disa militantëve të PD, - se si urdhërova ministrin e Brendshëm dhe i thashë: - Atë Ben Qimen “mos ta shoh më jashtë”. Tani po mendon se po e ha Kreshnik Spahiu, se dje, po ashtu, po thoshte te parkingu i PD që i kishte dhënë urdhër këtij Alibeajt duke i thënë: “Mos ta shoh më atë Kreshnikun në KLD”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›