E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizëm apo torturizëm?

Edmond Tupja 

Prej kohësh, disa miq të mi të huaj kishin ndër mend të vinin këtë verë në Shqipëri. Duke u besuar perspektivave që duket se po i hapen zhvillimit të turizmit në vendin tim, të paktën sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit, unë i nxita në këtë drejtim kështu që ata erdhën, brodhën dhe vendosën të rrinë dy-tri ditë në plazhin G*****. Diell, det, rërë, ajër. Të pastër? Dielli po, deti vende-vende, rëra po ashtu, ajri jo keq. I vetmi problem që u doli ishin furnizimi i rregullt me ujë, nga njëra anë, dhe koncertet “live” për qen e mace, nga ana tjetër, sidomos ndaj të gdhirë. Të pafat miqtë e mi të huaj: ndonëse janë kryer gjithë kanalizimet dhe instalimet e duhura hidraulike, uji i rezervuarit të porsandërtuar në atë zonë nuk arriti dot të shkonte në banjat e tyre, sepse sasinë e squfurit e kishte më të lartë sesa e lejon norma e përcaktuar. Rrjedhimisht, tjetër ujë përdorën për t’u larë miqtë në fjalë, tjetër ujë pinë dhe ndoshta tjetër ujë ëndërruan. Çuditërisht, historia u përsëritka: komshiut dhe mikut tim të vjetër Aqif Qifa, diçka fort e ngjashme i ka ndodhur para shtatë a tetë vitesh pothuajse në të njëjtin plazh, ku tjetër ujë përdorte familja e tij për të bërë dush, tjetër ujë për të larë e shpëlarë dhëmbët dhe tjetër ujë për të pirë. Gjithsesi, miqtë e mi të huaj, që kanë udhëtuar shumë nëpër botë, sidomos në Azinë dhe në Afrikën e thellë, e dinë, nga përvoja, se ç’është mungesa e ujit, ata ditën, pra, të përshtateshin dhe ta disiplinonin si etjen ashtu edhe kërkesat e higjienës vetjake; asnjëri prej tyre nuk m’u ankua kur i takova dje, por sedra ime njëherazi mikpritëse dhe atdhetare u ndje disi e prekur nga fakti (fuckti?) konkret i mungesës së ujit si faktor (fucktor?) jetësor themelor dhe i domosdoshëm për të kaluar pushime normale ose për të bërë turizëm. Por edhe më të pafat miqtë e mi të huaj, që e adhurojnë muzikën edhe klasike, edhe moderne, kur u detyruan, kundër dëshirës së tyre, të ishin të pranishëm tri net radhazi në koncertet “live” që dhanë gjithë afsh dhe përkushtim profesional qentë dhe macet rreth e rrotull vendbanimit të tyre në kor, trio, duet e solo fillikat ndaj të gdhirë me ndërprerje të vogla publicitare për cilësinë e qetësisë në plazhet tona larg zhurmave të qyteteve të mëdha ku ndotja zanore ka marrë përmasa të përbindshme. Njëri prej tyre, që e kishte ndjenjën e humorit dashamirës, ma përshkroi kështu koncertin “live” të natës së parë: “Fillimisht nga larg u dëgjua një mjaullimë mashkullore me flaut – melankoli e mirëfilltë daci të djegur; pastaj, më pranë, një mjaullimë femërore po me flaut – lektisje virgjërore maceje të dëshiruar; së fundi, tri, trembëdhjetë, tridhjetë, tridhjetë e tre mjaullima mashkullore, femërore e hermafrodite, bi e transseksuale të së njëjtës specie, kor i vërtetë që, me oshëtimat e tij cilësore prej basi e baritoni, sfidoi edhe koret më të famshme të botës operistike. Disa minuta heshtje intriguese dhe në momentin kur gjumi do të rivendoste pushtetin e tij në mendjet dhe trupat e turistëve, ia dha ulurimës në do maxhor një qen tenor të cilit ia priti, në la maxhor, një bushtër soprano; pastaj, me të heshtur dueti, gumëzhiu si det i stuhishëm kori i qenve që angullinin, lehnin, kundërlehnin e ndërlehnin si të shkalluar të shkolluar ose si të bërë synet në Internet. Sërish heshtje e pabesë dhe, pikërisht në momentin e rrokullimës së turistëve në humnerën e gjumit, gjithçka nisi nga e para me maçokët dhe macet që donin me çdo kusht t’u tregonin turistëve se ishin më të zotë se qentë e bushtrat e tyre. Dhe kështu me radhë deri ndaj të gdhirë me variacionet bluz, rok dhe rege të koncerteve në fjalë”. Për të qarë apo për të qeshur? Dilemë e vërtetë! Sidoqoftë, unë qesha me lot nga frika se mos qaja pa lot. Përveç problemit të ujit dhe atij të koncerteve “live” ndaj të gdhirë, miqtë e mi të huaj patën vetëm një incident të vogël vertikal: u bllokuan në ashensor për rreth trembëdhjetë minuta, të cilat i kaluan duke imituar këngëtarët e koncertit dhënë falas, atë ditë ndaj të gdhirë, nga grupi mjau-mjau dhe ai ham-ham për nder të turistëve të huaj në veçanti. (Edhe diçka fare, fare pa rëndësi: njërin prej miqve të mi të huaj e zuri një ditë barku me të vjella, tjetrin e grinë mushkonjat, por me që është homo, nxori përfundimin se mushkonjat që e kishin sulmuar duhej të ishin meshkuj). Miqtë e mi të huaj do të mërziteshin sikur unë t’u mësoja që qëndrimi i tyre në Shqipëri më frymëzoi për të shkruar këto rreshta. Do të mërziteshin sepse e morën me humor gjithçka u ndodhi me mungesën e ujit dhe me koncertet ndaj të gdhirë, madje më premtuan se do të vinin prapë verën e ardhshme për turizëm në plazhet tona. Për turizëm apo torturizëm?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›