E Shtunë, 31 Tetor 2026

Traktati i mbijetesës

1. Diktati i legjendave

Ballkani është toka ku mitet dhe legjendat diktojnë jetën. Edhe më qartë: Ballkani është vendi, ku e kaluara ia ka mbyllur dyert së tashmes e për të ardhmen as që duhet të flasim. Popujt e këtij gadishulli kanë frikë nga realiteti i së sotmes. Ata kanë frika nga e reja, sidomos kur ajo kërkon asgjësimin e fantazisë së gënjeshtërt që burimin e ekzistencës e ka nga mitologjia, legjendat, sidomos kur ajo, pra epoka e re, kushtëzon ardhjen e saj me flakjen e vetëmashtrimit shekullor mbi vetveten, mbi origjinën dhe mbi gjithçka tjetër që Kolonia (anti)Humane e asaj pjese të tokës e konsideron si të shenjtë.

Në hartën e këtij gadishulli ekziston sot një shtet i ri me një histori të lashtë që mban emrin Maqedoni! Në të jetojnë dy popuj kryesorë (dhe disa të tjerë). Shqiptarët me prejardhje ilire dhe maqedonasit me origjinë sllave. Dy popuj, që si të gjithë të tjerët në këtë gadishull, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Ata kanë frikë nga njëri-tjetri deri në banalitet. Ata kanë një urrejtje psikopatologjike për njëri-tjetrin.

Sa herë që më shkon mendja në atë vend, në mendjen time krijohet një asociacion me ishullin e braktisur Spiralunga në afërsi të Kretës. Ky ishull është bërë një temë për mua, për shkak të historisë tragjike që ai ka në përbërjen e biografisë së tij. Para dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria greke i ka izoluar aty të gjithë të sëmurit nga lebra (atëbotë nuk është ditur se kjo sëmundje është e shërueshme). Bashkë me të sëmurët atje janë dërguar edhe kundërshtarët politikë, të cilët kanë humbur jetën në rrethana tejet tragjike. Në këtë ishull të vogël është zhvilluar një luftë tejet e ashpër për mbijetesë ndërmjet banorëve deri në atë masë, saqë çdo i sëmurë ka menduar në vrasjen e tjetrit për të siguruar racionin ushqimor të ditës. Pra, për të jetuar është dashur të shuash jetën e një tjetri. Ky rotacion vetëvrasës i ishullit pas një kohe është bërë rutinë e përditshmërisë. Pra, diçka krejt e zakonshme. Vrasja nëpërmjet krimit si zakonshmëri.

Në këtë mënyrë kalkulojnë popujt e Ballkanit. Natyrisht që asnjë politikan i mirësjellshëm dhe që heq veten si modern, nuk do ta pranonte një gjë të tillë publikisht, mirëpo, kur vëmë në provë efektin që sjell puna e çdo politikani (si rezultat), përballemi detyrimisht me mënyrën e të menduarit që nuk dallon për asnjë fije nga lebrozët e ishullit të mallkuar grek, Spiralunga. Më e tmerrshmja e kësaj historie qëndron në faktin se lebrozët krimin e kanë ushtruar në emër të mbijetesës. Ashtu siç bëjnë sot këndvështrimet politike që përfaqësojnë popujt e Ballkanit. Ndërkaq, në të vërtetë lebrozëve iu ka munguar një mekanizëm, një rregull për të organizuar në mënyrë të sistemuar ndarjen e barabartë të ushqimit, sepse një gjë tashmë dihet me siguri, për të gjithë të sëmurët ka pasur ushqim të mjaftueshëm, pa llogaritur në këtë kontekst hambarin ushqimor që kanë pasur pas mureve: Detin! Domethënë lebrozëve iu ka munguar gatishmëria për të thurur një plan mbijetese për të gjithë e jo ushqimi.

A nuk është identike kjo histori me popujt e Ballkanit? Mbi të gjitha a ekziston mundësia që “të sëmurët” e Maqedonisë të krijojnë një mekanizëm shpëtues për të gjithë? Të krijojnë një sistem mendimi e shpirti që do të ishte i gatshëm të pranonte të renë, duke sakrifikuar fantazinë mitologjike të Mesjetës, për të mos përfunduar si banorët e Spiralungës greke? A ka ushqim të mjaftueshëm deti intelektual i maqedonasve dhe shqiptarëve, sa për të qenë të aftë që të duan e respektojnë njëri-tjetrin? Dhe nuk kërkohet më shumë sesa vetëm për të shporrur dëshirën e tmerrshme të zhdukjes së tjetrit. A ekziston në Maqedoni ky potencial human e intelektual?

2. Kontradiktat historike

Gjithçka kontestohet, madje duke filluar që nga emri i shtetit. Nocioni, emri Maqedoni, shpjegohet në disa variante. Shqiptarët (si grekët) kanë një variant të vetin dhe maqedonasit po ashtu një të vetin. Që të dy deri në asht të ekzagjeruar, asnjëri prej këtyre varianteve nuk mund të krahasohen me faktografinë e promovuar shkencore (natyrisht, asaj mondanes e jo nacionales së të dy popujve të përmendur), por më shumë duken si saga, legjenda të ngritura mbi mitet e vetëkrijuara për të dëshmuar autoktonitetin që nuk përfundon as para Adamit dhe Evës ose që daton madje edhe para shfaqjes së skeletit të parë në humnerat e Kenias afrikane. Dhjetëvjeçarë (në mos shekuj) me radhë institutet e popujve ballkanikë janë të shndërruara në mekanizma të prodhimit të gënjeshtrës, miteve dhe legjendave, institute që janë shndërruar në vatra të një lufte hienash, perëndish inekzistente, vendesh e skenash që janë të gjalla vetëm në trutë e matufosur të shkencëtarëve nacionalistë, të sëmurë nga urrejtja, të sëmurë nga sindroma lebrozik “Spiralunga”. Vetëmashtrimi është bërë metodë edukimi. Formimi i njeriut shqiptar dhe atij maqedonas është irreal, fantazesk dhe ç`është më e keqja: këtu nuk bëhet fjalë për një fantazi që drejtohet nga dashuria, e bukura, toleranca, vetëdija dhe përgjegjësia humane, por është fjala për të shëmtuarën, të rrejshmen, intolerancën, hipnozën dhe transin që nuk i lë shteg vetëdijes, këtu është fjala për papërgjegjësinë ndaj bashkëqenies, për një sistem, i cili për shpërblim final ka urrejtjen deri në vetëplasje, vetëzhdukje!

Më poshtë do të përpiqem të japë skeletin e mendimit shqiptar mbi maqedonasit dhe anasjelltas, mbi të gjitha, “tezat” e tyre në lidhje me Maqedoninë.

a) Varianti maqedonas: Maqedonasit janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Filipit a Aleksandrit të Madh. Shqiptarët që jetojnë aty janë të huaj që kanë ardhur nëpërmjet dyndjeve të kohës së re me origjinë, diku nga Kaukazi. Si rezultat i këtyre fakteve Maqedonia është shtet nacional i maqedonasve dhe shqiptarët s`kanë se ç`kërkojnë aty. Tjetra, Maqedonisë i takojnë edhe treva të tjera që sot gjenden nën qeverisjen e vendeve tjera si Greqia, Bullgaria etj.

b) Varianti shqiptar: Maqedonasit e vjetër, pra ata të kohës së para Krishtit, nuk kanë qenë vetëm fqinj, por edhe fis me ilirët, kështu që këta të sotmit nuk kanë asgjë të përbashkët me atë popull të atëhershëm. Maqedonasit janë me origjinë sllave dhe, siç dihet, ata kanë ardhur në Ballkan gjatë shekullit VI-VII. Pjesët perëndimore të Maqedonisë i takojnë etnikumit shqiptar dhe ato duhet të bashkohen me trungun e tyre, sepse Maqedonia historike nuk shtrihet në këtë territor, por në Greqi dhe Bullgari (mendim edhe i dy politikave të shteteve të fundit). Maqedonasit e sotëm janë një përzierje etnish minoritare si grekë, bullgarë, serbë, turq etj.

Ky është thelbi i paragjykimit ndërmjetësor rreth autoktonisë. Cila është e vërteta? Shkencërisht ende nuk është dëshmuar se a janë maqedonasit e sotëm vërtet pasardhës të atyre të lashtëve, ashtu siç nuk është dëshmuar e kundërta. Vetëm elementi, përkatësia ortodokse-sllave e maqedonasve nuk mjafton për të vënë në dilemë lidhjen e tyre historike, ashtu siç nuk munden shqiptarët të kualifikohen si aziatikë ose orientalë, për shkak të konvertimeve fetare që kanë pësuar.

Kjo është një çështje e historianëve, shkencëtarëve të pangarkuar me sëmundjen e shovinizmit. Dëmi më i madh është se shumica e politikanëve mbajnë në tension politizimin e këtyre tezave e hipotezave historike për të përfituar personalisht nga elektorati i manipuluar dhe totalisht injorant në aspektin kërkimor, studimor e shkencor në çështje të tilla. Apo mos është ndryshe?!

Ku e merr guximin një çajtor shqiptar të luajë rolin e një shkencëtari dhe të propagandojë teza, sikur të kishte qenë prezent 400 vjet para Krishtit ose, ku e merr guximin një vorbaxhi maqedonas të sillet si teoricien, historian dhe dëshmitar i vetë Filipit para më se dy mijë vjetëve? Kjo është pyetja që çdo qytetar i Maqedonisë duhet t`ia parashtrojë vetes, para se të shkojë në gjumin e tij përplot ëndrra makabre.

Le të merren shkencëtarët me verifikimin e këtyre tezave. Ç`dreq të mallkuar kanë shqiptarët kundër, nëse vërtetë maqedonasit janë pasardhës së Filipit. Apo vallë mos janë aq budallenj, saqë të ëndërrojnë në ripronësimin e tokave të Ilirisë së famshme? Në Ballkan është gjithçka e mundshme!

Çdonjëri ka të drejtë të hulumtojë në kompletimin e të dhënave rreth identitetit të vet dhe kjo nuk duhet të hakërrojë gjakun e tjetrit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dilet tek e vërteta. Përndryshe, çka do të arrijë ithtari i një kundërshtimi të tillë? Depresione dhe gërryerje nga një urrejtje e kotë?

3. Legjendat dhe realiteti

Po të dalim nga kthetrat e kësaj ëndrre në realitetin e sotëm, do të ballafaqohemi me një gjendje krejt tjetër. Një realitet që përmbys fantazinë, ëndrrën e ballkanasit në Maqedoni. Sapo të hapë sytë, maqedonasi do të shohë se përreth tij kalon një kapuçbardhë dhe anasjelltas. Në mëngjes ai është i detyruar të zhgënjehet me faktin se Maqedonia është një shtet multietnik, multikulturor dhe si i tillë nuk mund të mbyllet në prangat e njënacionalitetit, ashtu siç nuk mund të mbyllet Zvicra, pavarësisht se gjermanofonët përbëjnë shumicën.

Cila është alternativa e qenies së sëmurë nga urrejtja ndaj tjetrit në këtë mëngjes terrorizues për të? A mund t`i zhdukim të gjithë shqiptarët? A mund të zhduken të gjithë maqedonasit? Kësaj pyetjeje kriminele i shkon vetëm një përgjigje: Harroje!

Vetëm atëherë kur qenia e manipuluar nga vetëmashtrimi do t`i parashtrojë në mëngjes vetes pyetjen: A mund të mbijetojmë së bashku? - atëherë gjithçka do të nisë nga e mbara! Pse dhe a është e mundur një gjë e tillë, që aktualisht duket si e pamundur e më shumë e pabesueshme?

Sigurisht që është e mundur. Në çastin kur të dy këta popuj konstitutivë të shtetit do të vetëdijesohen e kuptojnë se përfundimisht duhet të heqin dorë nga aspiratat e tyre gllabëruese që iu ka dalë boja e nuk mund të konsiderohen më si të tilla, si ideale, sepse bota i ka dhënë lamtumirën Mesjetës, atëherë gjithçka do të nisë për së mbari. Shqiptarët duhet të harrojnë bashkimin me dhunë me tokat tjera shqiptare, pra “Bashkimin e Shqipërisë Etnike” - sidomos kjo fjala e fundit “etnike” është shndërruar në një legjende në stilin “na ishte një herë...”- thjesht, sepse nuk mund të bëhet pa likuidimin e disa shteteve, pa startimin e një luftë të tmerrshme, ku krimi është i pashmangshëm. E njëjta gjë vlen edhe për fantazerët nacionalistë maqedonas; duart larg nga kalkulime të tilla, llogaritje tepër të rrezikshme për ekzistencën e këtij shteti. Krijimi i “Maqedonisë së Madhe”, i kalon kufijtë e vetëm një ëndrre të parealizueshme, ajo është një autobombë, ku më së pari pronari i bombës do të humbë jetën, ku viktimat tjera nuk janë patjetër të domosdoshme.

4. Dialog apo krim?


A mund t`i përgjigjemi pyetjes së parashtruar më lart: A ka ushqim të mjaftueshëm deti intelektual i maqedonasve dhe shqiptarëve, sa për të qenë të aftë që të duan e respektojnë njëri-tjetrin? A ekziston në Maqedoni ky potencial human e intelektual?

Deri tani nuk është dëshmuar një gjë e tillë. Dy klasat mbizotëruese politike (ajo e ish-sistemit komunist dhe kjo që konsiderohet si kundërshtare e saj) nuk japin shenja për një politikë, për një realpolitikë, siç do ta quanin gjermanët, nga e cila do të rezultonte shërimi i qenies sociale nga sëmundja e vetëmashtrimit. Kjo do të thotë se mungon guximi intelektual. Ende nuk ka intelektual të tillë, që për disa çaste do të harronte kapitalin e votave të elektoratit dhe do të fliste me një gjuhë të realitetit, me një gjuhë të fakteve, të së vërtetës se mbijetesa dhe mirëqenia e maqedonasve është e kushtëzuar me lirinë e barabartë të shqiptarëve, se mirëqenia dhe liria e shqiptarëve është e kushtëzuar me ato të maqedonasve, se çdo diskriminim i ndërmjetshëm do të thotë luftë, krim dhe më në fund asgjë! Në kohën e politikës fanatike globale askush nuk do të përkrahë e lejojë luftëra, ku ushtrohet krim masiv kundër njerëzimit. Intelektuali i sotëm shqiptar e maqedonas duhet të krenohet që jeton në kohën e dialogut e jo në atë të krimit!

5. ...dhe Njeriu i Ri


Vetëm në këtë mënyrë do të mund të shporret iluzioni maqedonas antishqiptar dhe iluzioni shqiptar antimaqedonas. Dhe secili duhet të nisë nga vetvetja, pa kërkuar fajin te tjetri. Pa kthyer kokën për të parë gurët që do t`i hidhen nga romantikët, injorantët dhe politikanët etnonacionalistë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të flasim për një Epokë të Re në mendjen ballkanase. Do të mund të flasim për Njeriun e Ri, i cili tashmë ka mbetur i vetmi shpëtim si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët.

Me eliminimin e frikës, krijimin e besimit të ndërsjellë do të shfaqet mundësia e fillimit të dialogut për gjithçka. Atëherë do të mund të flitet për barazi qytetare, për liri shoqërore e gjithçka tjetër.

Ndryshe, përsëri harrojeni!

Që automatikisht do të thotë: Luftë!

BOX

Traktati i mbijetesës

Parakushte:

1. Shqiptari duhet të heqë dorë nga iluzioni i “Shqipërisë Etnike”.

2. Maqedonasi duhet të heqë dorë nga iluzioni i “Maqedonisë së Madhe”.

3. Që të dy duhet të heqin dorë nga urrejtja dhe shpifja ndaj njëri-tjetrit.

4. Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk do të mund të zhdukin maqedonasit.

5. Maqedonasit duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk do të munden që t`i zhdukin shqiptarët.

6. Maqedonasit duhet të dinë se çdo shtypje ndaj shqiptarëve do të thotë vënie në pikëpyetje e shtetit.

7. Shqiptarët duhet të dinë se çdo tentim i tyre për të shkatërruar shtetin, do të injorohet dhe do të akuzohet nga Bashkësia Ndërkombëtare, madje edhe nga vetë shteti i tyre amë.

8. Maqedonasit duhet të shohin te shqiptarët një faktor, nga i cili varret kompaktësia territoriale e shtetit e jo t`i konsiderojë ata si rrezik potencial!

Masat e domosdoshme

9. Shqiptarët duhet të integrohen në shoqëri, pa krijuar mure nacionale e gjuhësore.

10. Maqedonasit duhet të heqin dorë nga monopolizimi nacional i institucioneve.

11. Duhet të krijohet një çelës pjesëmarrjeje në bazë të numrit (të popujve) në aparatin qeverisës, i cili do të garantohet edhe me Kushtetutë!

12. Duhet të krijohen institucione shtetërore të integrimit demokratik (komunikimi kulturor, politik, social e ekonomik).

13. Revidimi i programeve edukuese nëpër shkolla.

14. Ngritja e vetëdijes dhe përgjegjësisë sociale te të gjithë popujt e Maqedonisë etj.

Përfundimi

15. Shqiptarët dhe maqedonasit janë të detyruar të jetojnë bashkë, atëherë përse në luftë e jo në paqe? Ekzistenca e tyre varet nga njëri-tjetri. Ky është aktualisht edhe ligj natyre, i cili duhet të respektohet dhe të përfitohet nga ai për të mirë. A ka njerëz të gatshëm që do të realizonin një jetë të tillë?

Cilët janë ata?

*Xhemal Ahmeti është autor, gazetar dhe kritik letrar nga Dobridolli i Maqedonisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›