E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam.

29 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në ambientet e Pallatit të Brigadave, Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, znj. Fiona Mekiluam, e cila paraqiti Letrat-kredenciale.

Kreu i shtetit, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve më të fundit dhe situatës parazgjedhore në vend, fuqizimit të institucioneve të pavarura kushtetuese e përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, e siguroi ambasadoren britanike për mbështetjen e plotë si President i Republikës dhe të institucioneve shtetit shqiptar gjatë misionit të saj në Shqipëri.

Ambasadorja Mekiluam, pasi uroi Presidentin Topi për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë si dhe për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO duke e siguruar se Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë Shqipërinë në të gjitha nismat e saj, nënvizoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat mes dy vendeve tona do të jetë objektivi kryesor i punës së saj në Shqipëri. Zonja Mekuilam u shpreh se: “ndihem shumë krenare dhe e privilegjuar që kam mundësinë të përfaqësoj Mbretërinë e Bashkuar në Shqipëri dhe se do të jem tepër e përkushtuar në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe në shërbim të plotësimit të aspiratave integruese të popullit shqiptar”.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën e qetë dhe për realitetin e ri gjeopolitik në Ballkan, ku pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri të Kosovës, si dhe anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO, mbizotëron klima e bashkëpunimit dhe dialogut politik në funksion të orientimit euro-atlantik të të gjitha vendeve të rajonit dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, do të jenë një tregues mjaft i rëndësishëm për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se është shumë e rëndësishme që ato të zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme e sipas standardeve perëndimore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›