E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.

29 maj 2009

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Gjatë bisedës të zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, Presidenti Topi vlerësoi faktin se klasa politike kosovare dhe qytetarët kosovarë, që prej shpalljes të pavarësisë, kanë dëshmuar vazhdimisht maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim maksimal për sfidat më thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike, jo vetëm në aspektin politik e ekonomik, por dhe në atë të sigurisë, duke ruajtur integritetin politik, social e territorial të shtetit më të ri në Ballkan.

Kryetari i Shtetit, duke vlerësuar punën e të gjitha instancave të forcave të sigurisë së Kosovës, theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së maturisë politike dhe të respektimit të të drejtave të të gjithave pakicave, duke besuar në këtë mënyrë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, u ndalën në trajtimin e disa aspekteve të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, konkretizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe projekteve të përbashkëta në fushën e sigurisë. Duke nënvizuar se rruga Durrës-Kukës-Morinë do të jetë një arterie kyçe në ecurinë e mëtejshme dhe të suksesshme të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, bashkëbiseduesit e vunë theksin se edhe në këtë rast, duhet të rritet vigjilenca dhe angazhimi maksimal i të dy vendeve në drejtim të rritjes së sigurisë, luftës ndaj kontrabandës, krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme etj.

Ministri Mujota vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të partneritetit të shkëlqyer dhe bashkëpunimit të frytshëm mes Shqipërisë e Kosovës. Të dy personalitetet e larta ndanë të njëtin mendim se një tjetër provë e këtij roli dhe rëndësie ishte edhe vizita e zëvendëspresidentit amerikan Bajden, që dëshmoi vëmendjen e madhe dhe politikën largpamëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit në përgjithësi dhe kombit shqiptar në veçanti.

Presidenti Topi dhe Ministri kosovar biseduan edhe për situatën në rajon duke ndarë të njëjtin mendim se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të shtetit të ri demokratik e shumëetnik, paqja, siguria dhe qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor janë rritur e forcuar ndjeshëm duke bërë që vendet e rajonit të projektohen drejt zhvillimit e integrimit në familjen e madhe evropiane e strukturat euroatlantike.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Gazmend Oketa.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›