E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Guvernatorin e Distriktit 2090 të Klubit Ndërkombëtar Rotarian, Xhuzepe Ferruço Skuarça.

24 shtator 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot në Presidencë një takim me Guvernatorin e Distriktit italian 2090 të Klubit Ndërkombëtar Rotarian dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës italiane në Tiranë, Saba D’Elia.

Presidenti Topi pasi u uroi miqve italianë mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe njëkohësisht mirënjohjen për punën e Klubit Ndërkombëtar Rotarian, i cili është i pranishëm në vendin tonë nëpërmjet projekteve dhe investimeve të ndryshme qysh nga viti 1991.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi bëri një përshkrim të arritjeve të Shqipërisë dhe reformave të kryera në funksion të hyrjes në NATO dhe realizimit të aspiratës integruese në Bashkimin Evropian, vlerësoi marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunuese me Italinë duke shprehur edhe ndjeshmërinë ndaj gjithë projekteve që Klubi Rotarian ka realizuar në Shqipëri në fusha të ndryshme, por sidomos në fushën e mjeksisë. Presidenti Topi i siguroi bashkëbiseduesit mbi mbështetjen e tij të plotë institucionale për sensibilizimin dhe mundësimin e projekteve dhe investimeve të tilla në të ardhshmen.

Nga ana e tij, Guvernatori italian i Distriktit 2090 të Klubit Ndërkombëtar Rotarian, Xhuzepe Ferruço Skuarça, pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, përshkroi aktivitetet në Shqipëri, sidomos në fushën kulturore dhe atë shëndetësore duke vënë në pah se interesi i Klubit Rotarian dhe i drejtuesve nga Italia është që të rritet miqësia dhe bashkëpunimi italo-shqiptar duke realizuar projekte të përbashkëta si përshembull hapja e qendrave të rehabilitimit për të sëmurët psikikë, kirurgjia rigjerative, qendra për kujdesin shëndetësor të fëmijëve, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›