E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe miraton në parim, Buxhetin suplementar të vitit 2009.

  Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte  më 24  shtator 2009, ora 10.00  nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, me këtë rend dite :
1-Miratimi i  procesverbalit të seancës plenare datë 16.09.2009
2-Miratimi i programit të punës së Kuvendit për priudhën 22 shtator -16 nëntor 2009.
3- Miratimi i kalendarit trijavor të punimeve të Kuvendit (22 shtator-19 tetor 2009)
4-Projektligji Për disa ndryshime në ligjin nr 10025, datë 27.11.2008 Për buxhetin e vitit 2009 ( në parim)   Gjatë diskutimeve në parim të përfaqësuesve të mazhorancës për ndryshimet e buxhetit 2009, Ministri i Financave Ridvan Bode shpjegoi se ky projektligj do të sjellë përmirësime të dukshme në përdorimin më efektiv të shpenzimeve publike dhe në vetë cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.
"Ky buxhet suplementar do të rrisë shpenzimet në 17 miliard lekë ose në 34, 5% të GDP. Ne rrisim shpenzimet në një vit kur shumë vende të rrajonit dhe më gjerë kanë bërë ulje të shpenzimeve publike, ulje të pagave, pensioneve dhe investimeve.- tha ndër të tjera ministri i Financave.
Sipas Ministrit Bode, rritja ekonomike në 2009 parashikohet të jetë rreth 5%, ndër më të lartat në Europë.
Ndër të tjera ministri i Financave cilësoi monedhën shqiptare LEK, si monedhën më të qëndrueshme në rajon, që dëshmoi stabilitet dhe besim në kohën e krizës globale.
Gjatë diskutimeve, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi seancën e sotme si një ditë të rëndësishme për parlamentarizimin shqiptar:   "Në fakt, sot është një ditë e rëndësishme e parlamentarizmit, kur diskutohet për buxhetin e shtetit, në mënyrë të veçantë në një kohë kur pas 2-3 ditëve do të organizohet një samit ndërkombëtar ku do të shqyrtohet se cili do të jetë reagimi përballë krizës financiare botërore. Më lejoni të shpreh, edhe një herë, keqardhjen dhe pajustifikueshmërinë e mungesës së opozitës në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme. Votat e elektoratit socialist ishin për ti parë deputetët socialistë këtu, për të folur në këto momente të rëndësishme të ekonomisë dhe për projektet e ardhshme të vendit."
  Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat Edmond Spaho vlerësoi se  projektligji për ndryshimet e buxhetit të vitit 2009 synojnë të rrisin shpenzimet kapitale në 8,5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndër të tjera kryetari i komsionit Edmond Spaho vlerësoi se në këtë projekligj "investimet për infrastrukturën rrugore parashikohen të rriten rreth 15, 5 miliard lekë. Deficiti buxhetor parashikohet të jetë 6,4 % e PBB-së ndërsa huamarrja parashikohet të jetë 1,4 % më e vogël se në 2008.
Më tej deputetët votuan me 72 vota në parim Projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin nr 10025, datë 27.11.2008 Për buxhetin e vitit 2009.
Grupi parlamentar socialist sërish nuk mori pjesë në punimet e seancës.
Në seancën e radhës, ditën e hënë, datë 28 Shtator,  deputetët do të diskutojnë dhe votojnë nen për nen Projektligji Për disa ndryshime në ligjin nr 10025, datë 27.11.2008 Për buxhetin e vitit 2009.
 
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›