E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Kryeministrin e Belgjikës, Iv Leterme.

16 shkurt 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryeministrin e Belgjikës, Iv Leterme, i cili ndodhet në vendin tonë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite zyrtare në rajonin e Ballkanit.

Në fillim të takimit, Presidenti i Republikës, edhe në emër të popullit shqiptar, i shprehu Kryeminsitrit belg, zotit Leterme ngushëllimet më të sinqerta për tragjedinë hekurudhore të një dite më parë pranë Brukselit, ku nga përplasja e dy trenave, humbën jetën 18 pasagjerë.

Në vijim, pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë z. Leterme, Presidenti Topi e vlerësoi vizitën e Kryeministrit belg si një tjetër tregues i marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe mes vendeve dhe popujve tanë, po ashtu dhe të interesit të ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe tregtar, ku mirëpritet rritja e numrit të investitorëve belgë, në arsim, kulturë, turizëm, etj.

Gjatë bisedës, Kryetari i Shtetit e njohu Kryeministrin belg me disa prej arritjeve më të rëndësishme të vendit tonë në realizimin e reformave integruese në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi vuri në dukje angazhimin serioz të Shqipërisë në NATO, si dhe bashkëpunimin me BE-në, sidomos sa u përket hapave të ndërmarrë për liberalizimin e vizave. “Trojka presidenciale e BE-së: Spanjë, Belgjikë dhe Hungari është e një rëndësie të veçantë për ne, pasi përkon me dy momente shumë të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian. Në mënyrë të veçantë gjatë Presidencës belge pritet hartimi i Opinionit të Komisionit Evropian dhe vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe përmbyllja me sukses e procesit të liberalizimit të vizave”, - theksoi Kryetari i Shtetit. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë rrugëtimin e tij euroatlantik.

Temë bisede në këtë takim ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, e cila filloi në 13 shkurt 2010 nën drejtimin e Presidentit të Republikës ku dy personalitet e larta theksuan rëndësinë e fillimit të rivendosjes së dialogut. Kryeministri belg e përgëzoi Presidentin Topi për rolin e ndërmjetuesit dhe përpjekjet e tij konstruktive në këtë dialog mes pozitës dhe opozitës duke shpresuar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë e të suksesshme.

Kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, zoti Iv Leterme shpehu gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur Shqipërinë dhe poullin shqiptar në realizmin e aspiratave integruese në Bashkimin Evropian, mbështetje, “e cila do të rritet edhe më shumë sidomos pas 1 korrikut 2010 kur Belgjika të marrë Presidencën e radhës së BE-së.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›