E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet dokumenti për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike”

U organizua sot në Tiranë, konferenca për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike.” Qëllimi i këtij eventi ishte prezantimi i dokumentit të politikave të Qeverisë për të ardhmen e sektorit të komunikimeve elektronike si dhe të planit përkatës të zbatimit. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të Qeverisë, donatorë si dhe grupe të ndryshëm të interesit.

Gjatë konferencës Ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Z. Genc Pollo tha ndër të tjera:

“Sot ju paraqesim një dokument të rëndësishëm për sektorin e komunikimeve elektronike, i cili do të udhëheqë nesër punën e qeverisë, të rregullatorëve, të operatorëve e të gjithë aktorëve të tjerë. Sot Shqiperia ka nje penetrim të telefonise celulare në mbi 100%, shifër gati e njëjte kjo me mesataren e BE-së prej 111%. Përdorimi i internetit është shtuar ndjeshëm, kemi shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë dhe këtë e tregon me së miri shumë fishimi 30 herë brënda një viti i lidhjeve ADSL, ofrimi i internetit në shkolla, në masën 100%, në sajë të një programi të Qeverisë, të iniciuar në vitin 2006, rritja e numrit të ofruesve të shërbimit të internetit dhe pa dyshim ofrimi i shërbimit internet përmes teknologjisë mobile GPRS dhe EDGE, që ka rritur ndjeshëm dhe numrin e përdoruesve të internetit.
Imperativi real dy vitet e ardhshme në Shqipëri do të jetë, adaptimi i teknologjive të reja dhe i komunikimeve elektronike për njerëzit dhe punën e tyre, më shumë se sa detyrimi i njerëzve për t’ju adaptuar atyre. Por ndërsa teknologjia na hap horizonte të reja, do të nevojiten ndryshime edhe më të mëdha. Në një marrëdhënie konstante me teknologjitë e reja, njerëzit dhe organizatat, duhet të ndryshojnë, në mënyrë të paevitueshme mënyrën e bërjes së gjërave prej tyre, për të shfrytëzuar siç duhet mundesitë. Për më tepër, në Epokën e informacionit, organizimi në rrjet dhe Qeveria në rrjet, janë pjesë e një shoqërie në rrjet. Pika kyçe për Qeverinë shqiptare është që vendi ka talentin, aftësitë dhe dijet e përdorimit të mjeteve elektronike, po aq efektivisht sa edhe vendet e tjera të OECD.”

Dokumenti i ri për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike” përcakton strategjinë afatmesme të Qeverisë për zhvillimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë. Ky dokument zëvëndëson dokumentin e politikave, të miratuar në vitin 1999 për sektorin e telekomunikacioneve, rishikon situatën aktuale të tregut shqiptar të komunikimeve elektronike dhe merr në konsideratë zhvillimet teknologjike të tregut në vend dhe ato në tregun me të gjerë europian. Objektivi kryesor i këtij dokumenti është të përshkruajë vizionin e Qeverisë shqiptare, që buron nga “Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013”, për të ardhmen e sektorit të komunikimeve elektronike.

Që nga viti 1999 kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në këtë sektor. Operatorët e telekomunikacionit kanë kaluar nga pronësia shtetërore në pronësi private. Investimet e reja kanë sjellë një transformim të rrjeteve nga analogë në dixhitale, dhe ky investim ka bërë gjithashtu që shërbimet e levizshme të kapercejnë me shpejtësi kërkesën për shërbime tradicionale fikse.

Sfida tjetër është broadband, i cili sjell tek konsumatorët një gamë më të madhe shërbimesh, të telefonisë fikse dhe të lëvizshme, të TV dhe internet. Në zemër të kësaj politike është liberalizimi i spektrit radio në Shqipëri, duke ndjekur tendencat ndërkombetare me krijimin e një “ekonomie wireless”. Gjithashtu, Shqipëria me anën e këtij dokumenti synon të ndjekë mekanizmat e BE-së për implementimin dhe zhvillimin e regjimit rregullator për komunikimet elektronike.

Dokumenti i Qeverisë për “Politikat në sektorin e komunikimeve elektronike” ka për qëllim të realizojë këto sfida nëpërmjet krijimit të kushteve atraktive të tregut për investitorët dhe duke u dhënë konsumatorëve shqiptarë zgjedhje dhe çmime më të mira.


16/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›