E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri belg Leterme: Anëtarësimi i plotë Shqipërisë në BE, një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon

Leterme: Pas samitit të Bukureshtit 2008, Shqipëria po tregon se e meriton anëtarësimin në NATO

Leterme: Do të dëshiroja të nënvizoja në emër të qeverisë federale të Mbretërisë së Belgjikës se në jemi të angazhuar si vend anëtar i BE-së ndaj destinacionit të ardhshëm europian të Shqipërisë.

Leterme: Unë e përgëzova kolegun tim lidhur me rezultatet e mira, progresin e bërë lidhur me procedurën e liberalizimit të vizave.

Berisha: Kjo është një vizitë historike, vizita e parë e kreut të ekzekutivit të Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, një ngjarje kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Kryeministri Berisha mirëpriti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, zotin Yves Leterme. Pas takimit kokë më kokë dhe bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve, dy kryeministrat dolën në një konferencë për shtyp.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Leterme për vizitën e tij, që shënon edhe vizitën e parë të një kryeministri belg në Shqipëri, duke e konsideruar “një vizitë historike” dhe “kontribut madhor në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Në deklaratën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

Zonja dhe zotërinj,

Sapo përfunduam bisedimet me Kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, mikun e shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Yves Leterme. Kjo është një vizitë historike, vizita e parë e kreut të ekzekutivit të Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, një ngjarje kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Shqipëria dhe Mbretëria e Belgjikës kanë një kuadër ligjor bashkëpunimi shumë të mirë, kanë marrëdhënie miqësore të zhvilluara. Jam i bindur se kjo vizitë është një kontribut madhor në këto marrëdhënie. Shfrytëzova rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Kryeministrit Yves Leterme për të gjithë mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë, në përpjekjet e saj për ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimit euroatlantik. Belgjika ka mbështetur fuqishëm aspiratat e shqiptarëve për integrimin në NATO.

Zonja dhe zotërinj,

Kryeministri Yves Leterme është kryeministri i parë që më ka dhënë lajmin në Bukuresht për miratimin e ftesës për Shqipërinë dhe sot, më ka garantuar se do të kemi mbështetjen e tij të plotë në procesin e integrimit europian dhe liberalizimin e vizave. Kryeministri Leterme premtoi se është i gatshëm që qeveria e tij të na ndihmojë me ekspertizë në të gjithë çështjet e pyetësorit, i cili duhet t’i dorëzohet Komisionit Europian, gjatë muajve që vijnë.

Gjithashtu, diskutuam për mundësitë e mëdha të investimeve belge në Shqipëri. Kryeministri Leterme më siguroi se do t’i inkurajojë investitorët belgë të konsiderojnë seriozisht investimet në Shqipëri, në fushat më të leverdishme për ta. Një fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi është lufta kundër krimit të organizuar. Agjencitë tona të zbatimit të ligjit kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. Po finalizohet marrëveshja për kthimin e të burgosurve në Shqipëri. Unë e sigurova Kryeministrin Leterme që do të firmosim çdo marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend tjetër anëtar të Bashkimit Europian, në interes të luftës më efikase dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Po punohet për një marrëveshje tjetër të rëndësishme në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj se së shpejti do të procedojmë me një marrëveshje në fushën e arsimit, fushë, e cila përbën një përparësi të madhe për qeverinë time.

Tani, fjalën do t’ia jap mikut tim të shquar, Kryeministrit Yves Leterme, duke e falënderuar edhe një herë, shumë përzemërsisht, për këtë vizitë historike në Shqipëri.

Kryeministri Leterme në deklaratën e tij u shpreh:

Të falënderoj shume kolegu im, z. Kryeministër,

Të kërkoj ndjesë duke folur në anglisht, sepse shqipja ime nuk është aq e mirë.

Sot në mëngjes, erdha në Tiranë si Kryeministër i një vendi mik dhe Belgjika do të jetë mik i Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë dekadave të fundit, unë kam qenë i interesuar në evoluimin e këtij vendi, në historinë e tij dhe në përpjekjet që po bën udhëheqja e tij.

Gjatë takimit tonë shumë të frytshëm, ne diskutuam çështje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet tona si në planin shumëpalësh, ashtu edhe në atë dypalësh. Unë isha shumë i gëzuar që, në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe, pashë se Shqipëria u bë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Pas samitit të Bukureshtit 2008, Shqipëria po tregon se e meriton këtë anëtarësim. P.sh. duke marrë pjesë në misione të ndryshme ndërkombëtare dhe paqeruajtëse në të gjithë botën. Siç më kanë informuar, 400 ushtarë shqiptarë shërbejnë ne misionet e NATO-s. Ky është një kontribut shumë i rëndësishëm dhe provon se Shqipëria merr përgjegjësitë e saj globale.

Këtu erdha edhe si Kryeministri i një vendi që do të marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian nga 1 korriku e në vazhdim. Ju e dini se ne kemi kryesinë e përhershme të Këshillit të Europës dhe në përgatitje sa më mirë të marrjes se kryesisë se radhës së BE-së, unë ndërmora këto bisedime bilaterale në të gjithë rajonin e Ballkanit, sot dhe nesër. Do të dëshiroja të nënvizoja në emër të qeverisë federale të Mbretërisë së Belgjikës se në jemi të angazhuar si vend anëtar i BE-së ndaj destinacionit të ardhshëm europian të Shqipërisë. Unë mendoj se në te ardhmen anëtarësimi i plotë Shqipërisë në BE mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon. Kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE-së. Për këtë qëllim, ne zhvilluam bisedime shumë intensive këtë mëngjes, lidhur me opinion që Komisioni Europian duhet të paraqesë në fund të vitit, mbi aplikimin për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE. Ne shkëmbyem ide dhe vlerësime lidhur me situatën aktuale të kësaj procedure dhe i ofrova kolegut tim, Kryeministrit Berisha ekspertizën e zyrtarëve belgë për të ndihmuar dhe çuar përpara përpjekjet e qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur më shumë se 2 mije pyetjeve që, aktualisht, janë parashtruar nga Komisioni Europian.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, unë mendoj se kjo dosje është shumë e rëndësishme lidhur me kredibilitetin e BE-së në sytë e opinionit publik dhe qytetarëve të Shqipërisë. Unë e përgëzova kolegun tim lidhur me rezultatet e mira, progresin e bërë lidhur me procedurën e liberalizimit të vizave. Unë e inkurajove Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare te vazhdojnë dhe të arrijnë në angazhime në drejtim të kërkesave dhe kushteve të autoriteteve europiane të fushës. Unë e konsideroj procesin e liberalizmit të vizave teknik dhe jo politik. është shumë e rëndësishme të plotësohen të gjitha kushtet dhe mendoj se të gjithë qytetarët europianë dhe qytetarët shqiptarë, qytetarë të ardhshëm evropianë, e meritojnë këtë lloj trajtimi.

Për ta përmbledhur aspektin europian, dua të nënvizoj përsëri se ne e inkurajojmë Shqipërinë në rrugën e vet europiane dhe jemi të gatshëm të japim ekspertizë për ta mbështetur më konkretisht.

Në fushën e marrëdhënieve dypalëshe, dua të them se këto marrëdhënie janë të mira, por ka ende vend për intensifikim dhe përmirësim të këtyre marrëdhënieve. Në mënyrë të veçantë, për mendimin tim, marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe në fushën e turizmit mes Belgjikës dhe Shqipërisë nuk janë aq intensive sa duhet. P.sh. sistemi i taksave te ju krijon një mjedis miqësor për investime dhe pozicioni i Shqipërisë në rajon është i favorshëm si një treg i ardhshëm i afërt i BE-së. Prandaj, unë i bëj thirrje të gjithë investitorëve të kapin çdo mundësi, që janë këtu në Shqipëri dhe të bëhen më aktivë në fushën ekonomike.

Natyrisht, në fushën e marrëdhënieve dypalëshe, ne diskutuam më shumë dhe jo vetëm marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike. Jam i gëzuar qe kolegu im Berisha pranoi një marrëveshje lidhur me transferimin e të ndaluarve që janë pa leje qëndrimi. Kryeministri Berisha deklaroi një hap shumë të rëndësishëm lidhur me luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Unë falënderoj qeverinë shqiptare për gatishmërinë e saj për të nënshkruar një Protokoll në këtë fushë. Ashtu siç e tha Z. Berisha, ne duhet të bashkëpunojmë në fusha të tjera dhe të zgjerojmë bashkëpunimin tone. P.sh. kolegu im përmendi sigurimet shoqërore. Dhe dua të them se ne jemi të gatshëm të negociojmë një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore.

Ne po e ndjekim rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë ne BE. Gjithashtu, ne jemi për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e drejtësisë dhe rendit, edhe nëpërmjet marrëveshjes për transferimin e të ndaluarve pa leje.

Mendoj se kjo vizitë dhe vizita e z. Berisha në Bruksel është një bazë e mirë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, tregtare, sigurisë sociale dhe kulturës. Dhe së fundi, lidhur me potencialet turistike të Shqipërisë, do të jem i gatshëm ta vizitoj Shqipërinë edhe privatisht.

Faleminderit shumë!

Pyetje: Objektivat e qeverisë shqiptare janë liberalizimi i vizave, por dhe marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Duke qenë se Belgjika merr kryesinë e radhës në një moment deçiziv për këto dy vendime, a do ta mbështesë këtë proces dhe a e shikoni të mundshëm?

Kryeministri Leterme: Të falënderoj për pyetjen. Dua të përsëris se Belgjika është e angazhuar plotësisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë drejt të ardhmes si anëtare e plotë në BE, si dhe për të përfituar një liberalizim të vizave në të ardhmen. Belgjika e shikon procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në rrugë të drejtë dhe shumë seriozisht, së bashku në procesin tjetër të liberalizimit të vizave. Gjithashtu, duhet të mbajmë parasysh kushtet shumë strikte për të dy këto procese. është në interesin e BE-së, por edhe të një vendi si Shqipëria që këto kushte janë kaq strikte dhe unë dua të inkurajoj qeverinë shqiptare për t’i plotësuar sa më shpejt të jetë e mundur këto kritere. Ne mbështesim këto përpjekje, gjithashtu edhe progresin e arritur.


16/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›