E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohet mbledhja Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e vizave

- Kryeministri Berisha u shpreh se është shënuar progres thelbësor nga të gjitha institucionet e vendit, në përmbushjen e detyrimeve, për procesin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

- Kryeministri theksoi se procesi për liberalizmin e vizave u shndërrua në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahet pozitive të vendit, të modernizimit të plotë, të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja shumë të rëndësishme , për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti.

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e vizave.

Duke vlerësuar heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve si problemin më kryesor të axhendës së të gjitha institucioneve të vendit, kryeministri u shpreh se është shënuar një progres thelbësor nga këto institucione në përmbushjen e detyrimeve që u takojnë. Në këtë kontekst kryeministri përgëzoi për punën e bërë, punonjësit dhe drejtuesit e administratës dhe të institucioneve, të cilët e kanë trajtuar çështjen me seriozitetin më të madh.

Kryeministri theksoi se procesi për liberalizmin e vizave u shndërrua në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahet pozitive të vendit, të modernizimit të plotë, të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja shumë të rëndësishme, për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ligjin për antidiskriminimin, i cili përbën një bazë ligjore për të luftuar diskriminimin e qytetarëve që për shkaqe të ndryshme gjenden në pakicë, kryeministri vlerësoi aspektin konsensual të ligjit, në hartimin e të cilit janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e drejtuesve të komuniteteve fetare.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Kjo është mbledhja e radhës për problemin më kryesor të agjendës së të gjitha institucioneve të vendit, problemi i heqjes së vizave, lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Këto ditë, një ekip i gjerë i organizuar nga KE kanë vizituar vendin, kanë patur bisedime dhe kontakte intensive me punonjës të administratës dhe institucioneve, duke trajtuar me to të gjitha çështjet e udhërrëfyesit të heqjes së vizave, por që kanë të bëjnë me institucionin perspektiv.

Ajo çka mund të themi dhe që është e qartë është shënuar një progres thelbësor nga të gjitha institucionet e vendit, në përmbushjen e detyrimeve tona dhe për këtë meritojnë përgëzim të gjithë drejtuesit, punonjësit , të cilët e kanë marrë këtë çështje me seriozitetin më maksimal.

Fakti është se në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit janë rezultate të prekshme, pra ky proces u shndërrua dhe në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahet pozitive të vendit, të modernizimit të plotë, të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja shumë të rëndësishme , për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti.

Në këtë kuadër, do të vlerësoja shumë të rëndësishëm ligjin për antidiskriminim, i cili përbën një bazë ligjore për të luftuar demonizimet, linçimet, diskriminimet e qytetarëve që gjenden në pakicë, për shkaqe të ndryshme. Anë pozitive e këtij ligji është sepse në tërësi mund të quhet një ligj konsensual, për faktin se është konsultuar edhe me udhëheqësit e komuniteteve fetare, duke marrë plotësisht parasysh, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Shqipëria ka një rekord unik anti fetar, në Evropë, në të shkuarën e saj të hidhur dhe nuk është e pranueshme të ketë reminishenca qoftë edhe të çfarëdo lloji, të intimidimit apo të mospërfilljes së mendimit të udhëheqjes së komuniteteve fetare, të cilët edhe ata janë kundër diskriminimit. Dhe faktikisht ligji edhe me rishqyrtimet që iu bënë është një ligj me mbështetje të gjithanshme. është shumë e rëndësishme që sekretariati për zbatimin e tij të ngrihet sa më shpejt dhe ky ligj të zbatohet me të gjithë seriozitetin. Shoqëria shqiptare bëhet më e drejtë, bëhet më civilizuar duke u ndarë nga praktikat diskriminuese.

Një fenomen të mëtejshëm dhe përqendrim më të madh ne duhet të kemi në çështjen e problemeve të romëve dhe egjiptianëve. Shqipëria ka përqafuar nismën “Dekada e romëve”, nismë kjo e organizatës së OKB. është quajtur e romëve, por nga kushtet e njëjta përfshihen sigurisht edhe pakicat egjiptiane. Qeveria ka bërë një përpjekje të madhe dhe do të bëjë, si për strehimin e tyre, për shkollimin, për regjistrimin e tyre. Dhe kjo pa ndonjë diskriminim, pasi tani me ligjin e miratuar vitin e kaluar, regjistrimi është i detyrueshëm për çdo të fëmijë të porsalindur dhe është një zhvillim shumë pozitiv, për sa i takon çështjes së trajtimit të trafikut të fëmijëve.

Procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë dhe takimet intensive që u zhvilluan gjatë javës së kaluar kanë bërë një informim të saktë dhe të përgjegjshëm të gjithë punonjësve të ardhur nga KE për të njohur në vend ecurinë e këtij procesi.


16/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›