E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në hapjen e “Festës së Verërave 2011”, në Pogradec

16 dhjetor 2011
Pogradec

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot qytetin e Pogradecit, ku, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore u mikprit nga Kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, si dhe qytetarë të shumtë pogradecarë, por edhe nga rrethinat përreth dhe qytetet e tjera të Shqipërisë, të mbledhur me rastin e “Festës së Verërave 2011”. Vizitorë të qytetit të Pogradecit me këtë rast ishin dhe përfaqësuesit diplomatikë të Holandës dhe të Izraelit: Ambasadori Henk G. K. Van den Dol dhe Ambasadori David Kohen.

Kryetari i Shtetit Shqiptar zhvilloi së pari një takim në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Pogradecit, Artan Shkëmbi, të cilit i shprehu vlerësimin dhe konsideratën për angazhimin dhe organizimin e të tilla veprimtarive popullore. Këto veprimtari u japin mundësinë sipërmarrjeve shqiptare të prodhimit të verërave të demonstrojnë produktet më të mira të tyre, që u përgjigjen shijeve tradicionale të shqiptarëve, por edhe standardeve të certifikuara ndërkombëtare. Presidenti Topi vuri në dukje se i është përgjigjur me kënaqësi ftesës për të marrë pjesë në “Festën e Verërave 2011” apo siç njihet ndryshe, të hapjes së buteve (fuçive) të verërave të reja duke uruar: ‘’Gëzuar verën e re’’!

Pas këtij takimi, Presidenti i Republikës iu përgjigj disa pyetjeve të mediave të pranishme për të pasqyruar veprimtarinë:

Pyetje: Zoti Topi, si ndiheni në Pogradec?

Presidenti Topi: Pogradeci është një qytet i bukur në çdo stinë. Mua personalisht më pëlqen më shumë kjo periudhë. Ka një atmosferë shumë të veçantë edhe duket sikur Pogradeci bie në traditën e vet. Dhe sot duket se është një festë tradicionale, e hershme e këtij qyteti shumë fisnik, me njerëz të urtë dhe shumë punëtorë, të cilët e transmetojnë festën e tyre. Sot konsiderohet dita e verës, apo e hapjes së buteve dhe unë iu përgjigja ftesës për të ardhur dhe për ta kremtuar midis qytetarëve të Pogradecit.

Pyetje: Zoti Topi, pse nuk ishit i pranishëm në 21 vjetorin e Partisë Demokratike?

Presidenti Topi: Unë mendoj që sot është dita që të mos bëjmë komente të natyrës politike. Madje, do ju kujtoja ju për t’iu referuar pak futbollit. Gjithmonë trajneri e mëson ekipin duke i thënë të hap lojën dhe të mos e ngushtojë. Kështu ju them dhe unë ju shumë miqësisht. Hapeni lojën. Mos qëndroni në zona të ngushta. Fakti që jeta është shumë e gjërë, ka shumë dimensione nuk ka vetëm politikë. Unë do të thoja që gjëja më e mirë që mund të bëni ju gazetarët sot, t’i bëni jehonë dhe promocion kësaj feste, të jeni afër qytetarëve, sepse promocioni i një feste është dhe promocion për turizmin. Ky qytet ka vërtet nevojë që të stimulohet për turizëm, sepse është buzë një liqeni, që besoj se është unikal në Evropë. Qyteti ka traditat e veta dhe unë erdha për ta ndarë pikërisht këtë gëzim, kënaqësi me të gjithë qytetarët. Për politikën kemi kohë të bisedojmë. Por, besoj që politika në këtë qytet kaq të bukur zen vend, ose mban peshën e vet nëpërmjet një mesazhi që japin qytetarët. Është qytet shumë i ekuilibruar.

Pyetje: Zoti Topi, edhe mbrëmë Kryeministri Berisha nuk i ka ndalur akuzat ndaj jush, madje ka thënë që zoti Topi duhet të kishte dhënë dorëheqjen pasi ka shkelur betimin.

Presidenti Topi: I pari ju, që po ma bëni këtë pyetje, duhet t’i përgjigjeni mesazhit tim, të hapni lojën. Presidenti që nga momenti kur ka filluar detyrën e deri në përfundim do të jetë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet kushtetuese.

Pyetje: Zoti Topi, ju e keni hapur lojën vetë, lojën politike?

Presidenti Topi: Ju e dini që unë kam qenë gjithmonë lojtar i mesit të fushës në futboll, besoj edhe në politikë.

Në vijim, Presidenti Topi i shoqëruar dhe nga të pranishmit e tjerë në këtë veprimtari, eci përgjatë shëtitores “Fan Noli” të Pogradecit ku u takua nga afër dhe shkëmbeu përshëndetje me ekspozuesit e verërave dhe prodhimeve të ndryshme, me banorët e shumtë dhe vizitorët e qytetit. Më pas Kryetari i Shtetit shqiptar ishte i pranishëm në një mbrëmje artistike me poezi kushtuar verës dhe këngë tradicionale, ku edhe u vlerësua poezia më e mirë për verën. Presidenti duke përshëndetur këtë mbrëmje festive me një tematikë kaq domethënëse, u shpreh:

“Mirëmbrëma të gjithëve,

Ndjehem shumë rehat që jam sot këtu midis jush në Pogradec. Me thënë të drejtën ma dhanë fjalën, por edhe e kërkova. Tashë më mirë që në këtë atmosferë vere që ka filluar jashtë, në rrugë dhe vazhdon e do të vazhdojë, më mirë të marr fjalën në fillim, se në fund nuk i dihet.

E shikoj këtë atmosferë. Natyrisht që njeriu e mendon kur ia thonë, por e shikon është tjetër gjë. Dhe vërtet është një festë, që pogradecarët e kanë bërë të vetën. Atmosfera e verës nuk është thjesht tek ajo gotë, që për disa është e bekuar, për disa ndoshta jo. Atmosfera që rrethon verën është atmosfera njerëzore dhe këtë e shikoj sot tek mbarë qyteti. Të gjithë ndjehen të gëzuar, të gjallëruar. Zoti Kryetar i Bashkisë më njohu pak me traditën. Tradita e kësaj feste është e vjetër, që lidhet me një lloj tradite familjare, me një lloj mikpritjeje, ku çdo shtëpi pogradecare, në momentin e hapjes së buti, është edhe për miqtë. Ju, të gjithë së bashku këtë traditë e keni nxjerrë nga shtëpitë dhe e keni sjellë në mes të qytetit, pra, jo vetëm për ju si pogradecarë, por edhe për shumë të tjerë që kanë ardhur nga qytete të tjera shqiptare, por besoj edhe për miqtë ambasadorë, të cilët unë i përshëndes.

Unë nuk dëshiroj ta mbaj me fjalë këtë mbrëmje, por do të doja ta mbyllja këtu duke ju uruar këtë festë dhe duke dhënë patjetër atë mesazh, që unë e shpreha pak më parë në media! Të mos ta ngushtojmë zonën e lojës, pra, gjithmonë, kudo që shkojmë, edhe nëpër festa të tilla, gazetarët pyesin për politikë. I thashë që ne duhet të dalim nga politika në raste të tilla dhe t’i japim dimension real jetës, sepse jeta nuk është thjesht politikë. Kur vjen në këto mjedise e shikon që ndonjëherë politika ia ngushton sferën e mendimit dhe të veprimit qytetarëve.

Unë ju falenderoj për mikpritjen dhe ju uroj që kjo festë të zgjasë gjatë orëve të natës, por jam i bindur edhe nesër!

Gëzuar të gjithëve! ”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›