E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pritet nga Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Hamad Bin Khalifa Al Thani

11 dhjetor 2011
Doha, Katar

Në kuadër të punimeve të Forumit të 4-të të Aleancës së Civilizimeve të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u prit sot në rezidencën e tij "Vaxhbah" nga Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani.

Gjatë bashkëbisedimit, dy personalitetet e larta vlerësuan pozitivisht klimën e dialogut të shkëlqyer që ekziston midis dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe shprehën dëshirën për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Presidenti Topi i shprehu Emirit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, mirënjohjen për qeverinë e tij dhe gjithë popullin e Katarit për organizimin e shkëlqyer e kësaj veprimtarie dhe për mikpritjen e treguar. Duke vlerësuar rëndësisnë e shkëmbimit të vizitave bilaterale të nivelit të lartë, Presidenti Topi shprehu ‘’besimin se këto takime do të kontribuojnë në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm, kryesisht në sektorin ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve’’. Në këtë kuadër, Presidenti Topi ritheksoi interesin e shtetit shqiptar për të mirëpritur investimet e kompanive dhe firmave prestigjioze e të fuqishme të Shtetit të Katarit, kryesisht në sektorin energjetik, në infrastrukturë, në shëndetësi, turizëm, arsim si dhe për organizimin e sipërmarrjeve të përbashkëta tregtare.

Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se tashmë Ballkani Perëndimor, i cili ka fituar siguri të qëndrueshme, me tregun e vet të përbërë nga vende që të ardhmen e kanë patjetër në strukturat euro-atlantike, paraqet mundësi tërheqëse për investime me shtrirje rajonale.

Nga ana e tij, Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani e falënderoi Presidentin Topi për pranimin e ftesës dhe këtë vizitë në Shtetin e Katarit. Ai shprehu bindjen se shkëmbimet e mendimeve në të tilla nivele janë një kontribut real në zhvillimin e marrëdhënieve mes popujve dhe qeverive dhe nivel bilateral, po ashtu dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm në kuadrin e organizmave ndërkombëtarë.

Emiri Bin Khalifa Al Thani dhe Presidenti Topi nënvizuan rëndësinë e rritjes së kontakteve të gjithanshme si dhe zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve të nënshkruara në Tiranë dhe projekteve të ndryshme me interes të ndërsjelltë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›