E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Xhampaolo Di Paola.

2 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Xhampaolo Di Paola me të cilin zhvilloi një takim pune.

Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi e prezantoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s me ecurinë e reformave që janë ndërmarrë dhe po vijojnë në mënyrë të suksesshme në drejtim të transformimit të Forcave tona të Armatosura sipas standardeve të kërkuara. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit vuri në dukje dhe vlerësoi pjesëmarrjen në rritje të Shqipërisë me efektivat e saj ushtarake profesionale në kuadër të forcave aletate në ruajtjen e paqes dhe të demokracisë në botë, po ashtu dhe në luftën kundër terrorizmit.

Në bashkëbisedimin me Admiralin Xhampaolo Di Paola, Presidenti i Republikës nënvizoi se anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut mbetet një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme dhe se anëtarësimi me të drejta të plota në NATO është fillimi i një faze të re për Shqipërinë, i asaj të kalimit në një marrëdhënie partneriteti me vendet e tjera anëtare në Aleancë. Edhe një herë, Presidenti Topi në këtë takim vlerësoi ratifikimin e Protokollit për Anëtarësim në Aleancë nga senati i SHBA-së, si rikonfirmim i mbështetjes për rrugën e pandalshme dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Duke folur mbi situatën në rajonin e Ballkanit, Kryetari i Shtetit vuri në dukje rolin moderues të Shqipërisë dhe theksoi se bashkёpunimi rajonal dhe filozofia e integrimit rajonal ёshtё pjesё e integrimit euroatlantik tё vendit dhe rajonit në tërësi duke shprehur bindjen se anëtarësimi nё NATO i vendeve tona do tё thotё mё shumё siguri, paqe dhe stabilitet nё rajonin e Ballkanit.

Nga ana e tij Admirali Di Paola pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen, vlerësoi ecurinë e reformave politike, ushtarake, ligjore dhe ekonomike të ndërmarra në vendin tonë, sidomos ato për transformimin e ushtrisë shqiptare në një forcë profesionale dhe shprehu bindjen se në prillin e ardhshëm Shqipëria do të jetë një anëtare e merituar me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Admirali Di Paola shprehu admirimin e tij edhe për përparimin e shënuar nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së standardeve integruese duke theksuar rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›