E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Selinë e Bashkësisë Myslimane dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane për të uruar Fiter Bajramin.

30 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Partë, Teuta Topi vizituan sot, për të shprehur urimet e tyre më të mira e të ngrohta për Fiter Bajramin, Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare, ku bashkëbisedoi me Kryetarin e këtij Komuniteti, Haxhi ing. Selim Muça, si dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në të cilën u mikprit nga Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Reshat Bardhi.

“Kam rastin të shpreh edhe një herë urimin për të gjithë besimtarët myslimanë, por besoj edhe për të gjithë popullin shqiptar, pavarësisht nga përkatësitë fetare. E kam thënë dhe herë tjetër, jemi mësuar të festojmë festat e njëri – tjetrit, është një nga standardet e arrira të shoqërisë shqiptare dhe besoj që në këtë ditë të bukur është momenti për reflektim për më shumë dashuri për njëri – tjetrin, për më shumë altruizëm. Me këtë rast ju uroj edhe ju, përfaqësuesve të medias që keni qenë të pranishëm në këto festa!”, - u shpreh Kryetari i Shtetit në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë.

Presidenti vuri në dukje gjithashtu se “se dita e shënuar e Fiter Bajramit, ose Bajramit të Madh, është dita kur janë kurorëzuar të gjitha përpjekjet e besimtarëve myslimanë mbas muajit të madhërueshëm të Ramazanit”. “Mesazhi që mund të jap sot është që në këtë ditë të bekuar, jo thjesht për besimtarët myslimanë, por për të gjithë popullin shqiptar, pasi festat janë të pëbashkëta dhe kjo besoj përbën dhe thelbin e filozofisë së maturisë të populllit tonë që di t’i gëzojë fetat e njëri-tjetrit, pra, kjo është ditë kur inkurajohet më shumë besimi për njëri-tjetrin, dashuria për njëri-tjetrin për të qenë në ndihmë të njëri-tjetrit në të gjitha situatat, për të pasur më shumë altruizëm në këtë ditë të bukur dhe besoj që ditë të tilla janë patjetër përpara për Shqipërinë, e cila çdo ditë e më shumë krijon harmoni, krijon më shumë stabilitet dhe më shumë shpresë për t’u integruar në botën e qytetëruar”, - u shpreh Kryetari i Shtetit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›