E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministren e Drejtësisë, znj. Kelmendi dhe Ministrin e Shërbimit Publik të Kosovës, z. Bajrami.

3 korrik 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë delegacionin e nivelit të lartë nga Kosova, të kryesuar nga Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe Ministri i Shërbimit Publik, Arsim Bajrami.

Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit institucional zyrtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti u shpreh se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri me mendësi perëndimore, shumëetnik, demokratik dhe që respekton të drejtat e gjithë pakicave, klasa politike dhe populli kosovar kanë dëshmuar qartë maturinë e tyre në mbajtjen e zgjedhjeve, administrimin e pushtetit, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve sipas standardeve. Në këtë pikë, Kreu i shtetit vuri në pah rëndësinë e forcimit të institucioneve, sidomos atyre të drejtësisë ku një rol të madh luan edhe shkëmbimi dhe marrja e përvojës nga vendi ynë përsa i përket sistemit gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, etj.

Presidenti Topi shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për të ndarë përvojën dhe për të mbështetur Kosovën në ngritjen e shtetit ligjor dhe rrugëtimin e saj integrues drejt strukturave euro-atlantike.

Nga ana e tyre, Ministrja e Drejtësisë, znj.Kelmendi dhe Ministri i Shërbimit Publik, z. Bajrami falenderuan Kreun e shtetit shqiptar për pritjen dhe shprehën mirënjohjen edhe në emër të mbarë popullit kosovar për rolin e madh dhe mbështetjen e palëkundur personale që ka dhënë Presidenti Topi, shteti shqiptar e institucionet e tij për çështjen e Kosovës dhe kurorëzimin e pavarësisë së saj.

Gjithashtu znj. Kelmendi dhe z. Bajrami, pasi përshkruan përpjekjet dhe punën e bërë për ngritjen e strukturave kushtetuese dhe ligjore që i duhen një shteti të ri, duke përfshirë edhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ata vlerësuan pamasë edhe bashkëpunimin me institucionet homologe shqiptare, sepse një gjyqësor i pavarur është pasqyra e një shteti ligjor e demokratik. Duke nënvizuar rolin e rëndësishëm dhe moderator të vendit tonë për çështjen kosovare dhe mbarë rajonin e Ballkanit, të dy Ministrat nënvizuan faktin se Kosova e konsideron Shqipërinë si një partner natural dhe pikë referimi në rrugëtimin e përbashkët integrues.

Delegacioni kosovar i dhuroi Presidentit të Republikës në shenjë respekti dhe mirënjohjeje një kopje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›