E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Tejlor.

23 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Tejlor, dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke konsideruar të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, vlerësoi faktin që Britania e Madhe është jo vetëm një vend mik dhe një nga partnerët më të rëndësishëm, por edhe një aleate e fuqishme që dha kontributin e saj tepër të rëndësishëm në integrimin e vendit tonë si anëtare me të drejta të plota në NATO. Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen e Britanisë së Madhe gjatë gjithë këtij procesi anëtarësimi, duke garantuar se Shqipëria do të kontribuojë me seriozitet dhe besnikëri në çështje të sigurisë sa rajonale, aq dhe globale.

Presidenti Topi, duke e njohur Ministren Britanike të Shtetit me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në Shqipëri, u ndal tek hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2009, duke theksuar se këto zgjedhje do të jenë tregues i dukshëm i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend dhe si kriter me rëndësi për kandidaturën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje gjithashtu se realizimi i suksesshëm i reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës, garantimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, konsiderohen si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.

Presidenti Topi, pasi falënderoi qeverinë britanike për ndihmën e dhënë ndaj vendit tonë në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri dhe pasi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh të deritanishëm në fushat politike, në reformimin e forcave të armatosura, procesin e çarmatimit të municioneve, të rendit, etj, shprehu interesimin për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe parashtroi kërkesën për më shumë shkëmbim përvojash në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes në vend, në rajon e më gjerë.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Tejlor, pasi falenderoi për pritjen dhe bisedën e ngrohtë e miqësore, e vlerësoi takimin si të rëndësishëm e të frytshëm dhe shprehu përgëzimet e saj dhe të qeverisë britanike për arritjet dhe sukseset e Shqipërisë në rrugën e saj të konsolidimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura kushtetuese dhe integrimit evropian.

Gjithashtu, znj. Tejlor, pasi përgëzoi Presidentin Topi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një vend të denjë për Aleancën, vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke siguruar vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›