E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha mbi vizitën e tij zyrtare në Kinë

"Sot në mëngjes jam kthyer nga një vizitë disa ditore në Republikën Popullore të Kinës, ku unë shkova i ftuar për vizitë zyrtare nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao, në kuadrin e 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve dhe vendeve tona. 

Dua të theksoj se në Republikën Popullore të Kinës shkova me qëllim që, në kuadrin e 60 vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shteteve të hapnim   një erë të re në miqësinë tradicionale midis kombit shqiptar dhe kombit kinez, midis Kinës dhe Shqipërisë.

Dua të afirmoj me kënaqësi të veçantë se gjeta tek Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, te Kryeministri i Kinës, Wen Iabao, të njëjtin vullnet të palëkundur. Historia e marrëdhënieve midis kombit shqiptar dhe kombit kinez, midis Shqipërisë dhe Kinës, në tërësinë e saj është një histori miqësie. Kina i dha Shqipërisë, ndihma shumë të mëdha në uzina, fabrika, grurë, ushqime, si dhe në llojet e tjera. Me ndihmat kineze, në uzinat dhe fabrikat që u ndërtuan në një seri qytetesh të vendit, u punësuan dhjetëra dhe mijëra shqiptarë.

Unë, në vizitën time të vitin 1996, si President i Republikës, shpalla si qëllim të parë të asaj vizite shprehjen e mirënjohjes së Shqipërisë dhe kombit shqiptar ndaj asaj ndihme të dhënë. Natyrisht, sot Kina dhe Shqipëria janë tërësisht të tjera në raport me ato vite. Kina sot është fuqia e tretë botërore ekonomike, Shqipëria sot është dhjetëra herë larg mjerimit dhe varfërisë që trashëgoi nga diktatura, ndaj dhe sot marrëdhëniet midis dy vendeve tona zhvillohen në një bazë krejtësisht të re, duke pasur parasysh faktin e pamohueshëm se Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë u faktuan si dy forcat transformuese të mëdha të vendeve dhe kombeve tona.

Vizita ime nisi në pikën më jugore të Kinës ku isha ftuar të marr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik BOAO, që bashkonte Azinë, Afrikën, Oqeaninë, Amerikën, një nga forumet më të mëdha. Pjesëmarrja ime në këtë forum ishte një nder i madh, një rast i veçantë, të cilin e shfrytëzova për bisedime të gjera intensive, si gjatë darkës në të cilën unë isha në krah të Kryeministrit të Kinës dhe diskutova gjerësisht për problemet me interes të përbashkët, ashtu si edhe me udhëheqës të tjerë që ndodheshin aty, Presidentin e Pakistanit, Presidentin e Kazakistanit, Kryeministri i Zelandës së Re, Kryeministri i Vietnamit dhe shumë kryetarë qeverish e personalitete të tjera. Administratori i Përgjithshëm i Hong Kongut, ish Kryeministri i Japonisë Fukuda dhe një seri personalitetesh.

Dita e dytë e vizitës ishte në Shenzhen, ishte një vend që nuk e kisha vizituar ndonjëherë. Në Shenzhen u bë një pritje shumë e përzemërt nga kryetari i Bashkisë së Shenzhenit. Shenzheni ishte ngjitur në kodër. Shenzheni është një nga historitë më të mrekullueshme dhe interesante. 25 vjet më parë, qyteti që sot kishte tejkaluar të gjitha zhvillimet me të gjithë prodhuesit dhe prodhimet prej 500 miliardë dollarë në vit, ishte emri më i panjohur, ishte thjesht një fshat peshkatarësh. Kurse sot ai ishte një nga qytetet me urbanistikë më njerëzore, qytet i cili kishte arritur të kish 50 universitete kineze dhe të botës, qytet që renditej përsa i përket peshës ekonomike, pas Hon Kongut, në vendin e dytë, para Pekinit, para Shangait dhe gjithë qyteteve të tjera.

Kryetari i Bashkisë më shtroi një drekë. I thashë se nga drekat dhe darkat që kam pasur këtë nuk do ta harroj asnjëherë, pasi në mes ishte flamuri shqiptar, i bërë i tëri me trëndafila të kuq e të zinj. Në Shenzhen vizitova parkun e High Teck-ut, krenaria e Kinës. Aty u njoha me zhvillimet më të fundit të teknologjisë së Informacionit. Kënaqësia ime e madhe ishte se dy nga kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme janë prej 2-3 vitesh operativë në Shqipëri. Njëra prej tyre firmosi një marrëveshje me Albtelekomin dhe informoi se do ta shndërrojë Shqipërinë në qendrën rajonale të operacioneve të tyre. I ftova ata që të parashikojnë investime në Shqipëri, ndërtim të fabrikave të tyre dhe u ofrova të gjitha lehtësitë e nevojshme. Kryetari i Bashkisë më premtoi se, në krye të një delegacioni të biznesmenëve të Shenzhenit, do të vizitojë Shqipërinë. I njoha miqtë me studimin e Makenzit, i cili ka një studim ku thotë se  lugina Tiranë - Durrës do të shndërrohet në Shenzhenin e Europës. Ky qytet përbënte një mrekulli zhvillimi. Në mënyrë të përsëritur mua më vinte mendimi se si kur ata nisën të ndërtonin Shenzhenin, gahilët, klika e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, Mehmet Shehut e të tjerave, e ndëshkuan këtë vend me numrin e pafund të bunkerëve dhe përfunduam në një nga 3-4 vendet më të varfra të planetit.

Natyrisht, kulmi i vizitës sime në Kinë ishte vizita në Pekin. Aty unë pata kënaqësinë e veçantë që të pritem në bisedimet zyrtare nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, të diskutoj gjerësisht mbi marrëdhëniet bilaterale. Ju garantoj se te Presidenti i Kinës gjeta vendosmërinë e plotë, siç u shpreh ai, për një erë të re në marrëdhëniet midis dy kombeve tona mike. Presidenti më premtoi se ai personalisht do të inkurajojë biznesin kinez të investojë në Shqipëri. Sikundër, pata kënaqësinë që në këto bisedime ai iu referua kompanive të veçanta të mëdha që të marrin pjesë e të bëjnë investime në Shqipëri.

Të nesërmen, mu rezervua pritja ceremoniale dhe bisedimet zyrtare nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao. Edhe me Kryeministrin ndamë të njëjtin mendim se marrëdhëniet e reja midis dy vendeve tona janë interesi më i mirë. Kryeministri Wen Jiabao më siguroi se do të inkurajojë biznesin kinez, do të mbështesë korporatat kineze që ato të investojnë në Shqipëri, sikundër, më siguroi se për Shqipërinë si një vend mik, qeveria e tij do të kreditojë jo vetëm ekipime të mëdha të informacionit, të high-teck, por do të financojë edhe projekte në infrastrukturën e vendit, si dhe projekte të tjera. Ai do të udhëzojë ministrinë e Bujqësisë dhe ministrinë e Shëndetësisë që të intensifikojnë bashkëpunimin e rëndësishëm në këto fusha me Shqipërinë. Në fushën e shëndetësisë u firmos një marrëveshje, në fushën e bujqësisë po përgatitet dhe do të firmoset vjeshtën e ardhshme.

Kryeministri Wen Jiabao me Presidentin Hu Jintao treguan interes të veçantë për marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve tona. Ramë dakord që edhe këtë 60 vjetor ta shënojmë me zhvillime të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor.

Zv/kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Liangyu shtroi drekë zyrtare për nder të delegacionit shqiptar, drekë e cila u karakterizua nga frymë miqësore dhe e mirëkuptimit me të gjitha problemet që u diskutuan.

Pata kënaqësinë të kem një bisedë me mjaft interes me Administratorin e Përgjithshëm të Hong Kongut, i cili pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Po kështu, edhe Kryeministri ra dakord të vizitojë Shqipërinë, sikundër edhe Presidenti i Kinës, në një kohë sa më të përshtatshme për të dy palët.

Një deklaratë e përbashkët, e cila paraqet parimet e këtij bashkëpunimi të ri midis dy vendeve botohet gjatë ditëve në vijim. Në këtë deklaratë parashikohet një partneritet i rëndësishmë strategjik, në interesin më të mirë të të dy vendeve mes dy qeverive.

Mund t’ju them se vizita ishte një vizitë e suksesshme, e frytshme, e cila kam bindjen e plotë se hapi një kapitull të ri apo një stacion të ri të bashkëpunimit miqësor midis Shqipërisë dhe Kinës.

Pata gjatë kësaj vizite edhe pjesën kulturore, pse jo edhe elektorale. Ju kam njohur përmes mediave edhe me vizitën time në tempullin e ri budist të Nanshasë, tempull i magjishëm, i ndërtuar i tëri pas viteve 90, dëshmi e shkëlqyer e vendosmërisë së këtij vendi për të kultivuar vlerat e tij.

Natyrisht, nuk mund të ndodhë të shkosh në Kinë dhe të mos vizitosh monumentin më madhështor të historisë së kombeve, Murin e madh Kinez. Ndaj dhe unë sa herë shkoj, vizitoj këtë monument, por kësaj here, në prag të zgjedhjeve, ndaj dhe më takonte të ngjitesha sa më lart, çka bëri që autoritetet e Murit, meqenëse theva çdo rekord të zyrtarëve, më dhanë diplomën për këtë rekord, diplomë të cilën ministrat që më shoqëronin nuk e morën.

Për këtë vizitë unë dua të falënderoj mikpritësin tim, Kryeministrin Ëen Jiabao për ftesën dhe mikpritjen shumë të përzemërt që më rezervoi, Presidentin e Kinës Hu Jintao për nderin e madh. Përshëndes Kryeministrin e Kinës për drekën miqësore që shtroi, Guvernatorin e Përgjithshëm të Provincës së Hainanin dhe kryebashkiakun e Shenzhenit për pritjen që më rezervuan. Falënderoj Ambasadorin e Kinës në Tiranë dhe Ambasadorin shqiptar në Kinë për punën shumë të mirë në organizimin e kësaj vizite".    

Pyetje: Zoti Kryeministër, ju thatë se qeveria kineze do të financojë një sërë projektesh. A folët për një plan konkret dhe çfarë projektesh në infrastrukturë mendoni se do të investohen nga qeveria kineze?

Kryeministri Berisha: Qeveria kineze, çdo vit, akordon një grant, me të cilin ne kemi blerë kompjuterë dhe vazhdon ta ofrojë dhe këtë vit. Por kësaj here, në dallim nga granti i tillë, me të cilin njëherë kemi marrë skanerin e doganave, Kryeministri kinez më premtoi qartë se ata do të vlerësojnë dhe do të japin një kredi të butë të konsiderueshme për të gjithë shoqërinë e informacionit, ku ne kemi shumë interesa. Ne kemi një skaner, por do të doja që sa më shpejt, të gjitha pikat tona kufitare të kishin skaner, të vendosej nj sistem i sigurt skanerësh në të gjitha pikat doganore në vend. Po kështu, në informatikë, e-goverment dhe në fusha të tjera në këtë aspekt.

Së dyti, Kryeministri i Kinës u angazhua personalisht për të kredituar projekte të caktuara në infrastrukturën e vendit. Ne do të ulemi në bisedime me palën kineze, do t’u paraqesim projektet dhe qeveria kineze do t’i financojë ato përmes kredive të buta. Gjithnjë bëhet fjalë për kredi të buta konçensionare.     

Pyetje: Si e gjykoni dënimin e dhënë nga Gjykata e Vlorës për zotin Vasil Bollano, në një kohë kur  jemi në prag zgjedhjesh. PBDNJ dhe OMONIA ende nuk e kanë deklaruar pozicionin e tyre  nëse do të jenë në krah të koalicionit që drejtohet nga Partia Demokratike, në një kohë kur pritet  dhe vizita e Kryeministrit Karamanlis në Tiranë. A ka kjo një prapavijë politike?  

Kryeministri Berisha: Unë kam dhënë një përgjigje e cila është e afishuar në web-in e Kryeministrisë, e cila trajton si çështjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe respektimin e lirive të të drejtave të qytetarëve, përfshi këtu dhe të drejtat politike. Pra, unë kam dhënë përgjigje të plotë për këtë pyetje.

Pyetje: Ju keni premtuar se këtë verë turistët kosovar do vijnë nga rruga Durrës - Kukës. I qëndroni këtij premtimi?

Kryeministri Berisha: Dua t’ju siguroj se rruga Rrëshen Kalimash inaugurohet para zgjedhjeve. Tuneli përfundon plotësisht dhe turistët kosovar që duan të vijën ën Shqipëri dhe un i ftoj ata që të vijnë në vendin tonë, do të kalojnë në rrugën e re. Nuk po them sot “u krye”, por bashkërisht do të themi se edhe ajo “”u krye”.

Pyetje: Gjatë kohës që keni qenë në Kinë ka një deklaratë të Ramiz Alisë që ka pranuar se qeveria shqiptare është nxituar nga vitet 70 në prishjen me marrëdhëniet me Kinën, por nga ana tjetër, gjatë periudhës që ju keni qenë president i vendit, ju keni penguar zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. A keni ndonjë koment për këto deklarata të tij?. Gjithashtu, ka edhe një deklaratë tjetër të tij, ku ai ju akuzon ju se gjatë një prej takimeve të para tuajat me autoritetet kineze, ju jeni prezantuar si komunist.

Kryeministri Berisha: Alia është një gënjeshtar kongjenital, për të mos thënë pak më tutje. Ai është arkitekt i mjerimit dhe terrorit në Shqipëri dhe nuk ia vlen këtu të komentoj deklaratat e një gënjeshtari kongjenital.

Pyetje: Gjatë kohës që keni zhvilluar vizitën në Kinë, opozita ka intensifikuar lëvizjen për çështjen e kartave të identitetit. A do të ketë më lëshime nga qeveria për çështjen e kartave?

Kryeministri Berisha: Opozita është sovrane, merr të gjitha vendimet që ajo do. Uroj që vendimet e saj të mos diktohen nga vendimet familjare Rama- Eftimi, përmes të cilës, në aktin më të shëmtuar, i kanë lejuar vetes të marrin 19 nga 28 lejet e ndërtimit. Unë ju garantoj se le t’i biesh planetit kryq e tërthor, nuk e gjen asgjëkundi një gjë të tillë, përveç se me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo përbën një akt poshtërues për qytetin, për qytetarët dhe për vendin. Pyeteni veten se si do të dukej një njeri i juaji po të ishte kryetar bashkie dhe të shkonte të merrte 19 nga 28 lejet e ndërtimit. Çdo njeri me normat më minimale morale do të ndihej i turpëruar, i skuqur nga një veprim i tillë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është zhveshur, do të më falni që po e them, jo si herën e parë, por edhe lëkurën e ka hequr fare. Sepse herën e parë ju e mbuluat me një gjethe fiku dhe mirë bëtë sepse ishte gabim ta nxirrnit ashtu. Ndërsa kësaj here, me këtë gjë që ka bërë është në një konfuzion.

Para 10 ditësh Rama porosit një gazetë kroate për të botuar një trillim fund e krye dhe tani drejton fushën mbi trillimin e shkruar në një gazetë kroate, të cilën e përgënjeshtroi edhe qeveria kroate. Cili kryetar opozite është ai që krijon trillime dhe i paraqet ato si alternativa dhe shkon në Shkodër dhe thotë nuk do të lejojmë ndërtimin e kujt, të hiçit? Nuk mund të them gjë tjetër për të veçse  fale Zot për ato që bën, sepse kjo është gjëja më e pa konceptueshmja. Boton në gazetën kroate artikullin dhe shkoi në Shkodër dhe tha se nuk do të lejojmë të ndërtohet central. Por si mund të ndodhë kjo, kur si qeveri, edhe Bushatin e hoqëm dhe e shndërruam në Ashtë dhe në këtë mënyrë ia ulëm jo pak, por rreth 40 deri në 50- megavat kapacitetin, vetëm për të ruajtur ekosistemin  Shkodrës. Tani ai do ta transferojë në Sarandë centralin. Do të paguajë një gazetë në Korfuz dhe do të thotë se do ndërtohet centrali në Sarandë dhe do drejtojë demonstratat në Korfuz e Sarandë kundër centralit. Mos u merrni me të, ai është në një konfuzion total, sepse ai ka kryer vepër.

Pyetje: Lidhur me reagimin e opozitës për ecurinë e Kartave të Identitetit?

Kryeministri Berisha: Për kartat e Identitetit, dua t’ju garantoj se 700 mijë shqiptarë të cilët nuk kanë pasaporta, pra që ët gjithë do të marrin karta pa asnjë lloj vështirësie dhe pengese. Për ata që kanë pasaporta, ka qenë vet opozita që ka kërkuar ët përjashtohen nga procesi i marrjes së kartave deri në zgjedhjet që vijnë. Pra, është shumë evidente kjo gjë. Nëse Rama e ka hallin tek Karta e Identitetit, apo tek votat, apo kartat i duken vota, kjo është puna e tij. Unë kam detyrimin që të krijoj kushte dhe të garantoj çdo zgjedhës pa pasaportë që të marrë kartën pa asnjë vështirësi, ashtu siç bëmë. Kategoritë e përmendura do e marrin falas dhe e deklarova gjithashtu që rreth 700 mijë aplikantë të tjerë do ta marrin këtë kartë me 2000 mijë lekë. 

Pyetje: Kur do të shpallen listat për kandidatët për deputetë dhe cili është kriteri bazë për përcaktimin e tyre?

Kryeministri Berisha: Kandidatët për deputetë do të shpallen në afatin ligjor të përcaktuar. Kriteret për përzgjedhjen e tyre janë integriteti moral, politik, kontributi,  aftësitë, pra janë një sërë kriteresh komplekse.

Pyetje: Zoti Kryeministër, së pari, përse po kërkoni t’’i jepni patentë dhe jo licencën, operatorit të katërt celular në vend, kam parasysh këtu që Agjencia e Komunikimeve Elektronike e ka shpallur tenderin të pavlefshëm.  Do të vijoja më tej me miratimin në komision pa korumin e nevojshëm, madje me vota të deleguara?

Kryeministri Berisha: Kjo pyetje është pyetje tipike që tregon se si pronarët përdorin mediat, sepse Edili, së bashku me Edvinin, ishin 2 pretendentët kryesorë të licencës. A i keni parë ju se si turfullojnë për Armon, vetëm sepse Besniku Tajvanit mbeti pa marrë, pavarësisht se kishte rreth 30 milionë më pak me Edi Ramën në ofertë? Oferta e tyre ishte 100 milionë, ndërkohë që oferta e atyre që fituan ishte 130 milionë. Një vit rresht, “tele – edili” nuk thotë gjë  tjetër, veçse errësohet dhe gdhihet vetëm me Armon. Tani na doli çështja e licencës, por licenca e Edilit dhe Edvinit ishte nja 2 ose 3 milionë më pak se kjo tjetra. Përse pronari juaj nuk e bëri 8 milionë dhe atëherë ai le të shikonte nëse do t’ia jepnim atij ose jo këtë leje. Absolutisht do t’ia jepnim atij, pavarësisht këtyre që unë them. Ka nj interes publik. Problemi është se interesi publik nuk mund të cenohet në asnjë rast dhe ky interes është që licenca i jepet atij që ka dhënë shumën më të madhe dhe ka ofruar kushtet më të mira dhe kjo është kompania e cila ka në përbërje postën dhe Telekomin e Kosovës, Entin Publik. Ai ka sjellë 7 milionë dhe ne nuk mund t’i themi se do t’ia japim Edilit me 4 milionë. Jo, kjo nuk mund të ndodhë.

Pyetje:  Në kohën e qeverisjes së zotit Nano, ju keni deklaruar se privatizimet para zgjedhjeve janë të pamoralshme. Si i komentoni këto privatizime?

Kryeministri Berisha: I kemi ndërprerë të gjitha, përveç kësaj. Unë kam dhënë urdhër ministrive që të ndërpriten. Por kjo ofertë është në një periudhë të paktën 2-3 muaj para zgjedhjeve. Megjithatë, ju kur të dëshironi  mund të shkoni të njiheni me çmimin e dhënë. Njëra ofertë është 7 milionë, tjetra është 4-5 milionë. Sigurisht që fitues u shpall ai që ofroi më shumë. Nuk mjafton të bësh presion mbi këtë qeveri për të fituar tenderë. Kjo nuk ndodh. Unë ju garantoj se Edili, nëse do ta  kishte sjellë atë ofertë me 8 milionë, ai do të ishte fitues, sepse ne nuk shkelim në interesin publik.    

Kryeministri Berisha: Mediat kanë publikuar fakte në lidhje me ndërtimin e fabrikës së Gërdecit, ku është i përfshirë zoti Fahri Balliu. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Zotëria ka dhënë një konferencë për shtyp dhe u është përgjigjur të gjitha pyetjeve. Mua më duket se ai është një gazetar dhe ju keni komunikim të vazhdueshëm. Por do të bënit mirë që t’i ofronit edhe valët e antenës, ta ftonit në studiot tuaja dhe jo ta gjuani nga dritarja, ashtu siç ju gjuani. Hapeni median tuaj se do të ketë më shumë shikues. Ky është interesi juaj më i mirë. 


22/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›