E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.255, DATË 27.4.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FONDIN E EKSELENCËS, PËR MBËSHTETJE FINANCIARE TË STUDENTËVE E SHKENCËTARËVE TË RINJ, TË SHKËLQYER”

V E N D I M

 

PËR

 

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.255, DATË 27.4.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FONDIN E EKSELENCËS, PËR MBËSHTETJE FINANCIARE TË STUDENTËVE E SHKENCËTARËVE TË RINJ, TË SHKËLQYER”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.255, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto shtesa:

1.     Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, të shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) bursa të posaçme për studentë, që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë, ciklin e dytë dhe ciklin e tretë të studimeve, në njërin prej 10 universiteteve më të mira të botës.”.

2.     Pas shkronjës “c”, të pikës 2, të shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) Studentët, që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë, ciklin e dytë dhe ciklin e tretë të studimeve në njërin prej 10 universiteteve më të mira të botës kur:

i)      janë pranuar në njërin nga 10 universitetet më të mira të botës për të ndjekur njërën nga tri ciklet e studimit;

ii)     pranojnë të punojnë, së paku, 5 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën;

iii)        nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


22/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›