E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjen Gjeçi për ndarjen nga jeta të përkthyesit të shquar, Pashko Gjeçi.

21 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Gjeçi për ndarjen nga jeta të përkthyesit dhe linguistit të shquar Pashko Gjeçi në moshën 92-vjeçare.

“Në këto çaste të rënda dhimbjeje dëshiroj t’ju gjendem pranë shpirtërisht për humbjen e njeriut tuaj të dashur, Pashkos së madh, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Mjeshtri i pazëvendësueshëm i përkthimit falë punës së palodhur të të cilit mundën të lexonim ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes edhe në shqip qysh në vitet ’60-të si dhe veprat e tjera klasike të letërsisë botërore do të mbetet përjetësisht i nderuar në panteonin e kulturës shqiptare.

Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të përkthyesit dhe shkrimtarit erudit, të këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, jam i bindur se të gjithë lexuesit dhe njohësit e kryeveprave botërore do t’i mbeten përjetësisht mirënjohës Pashko Gjeçit për shpirtin talentin dhe mjeshtërinë e tij shpërthyese artistike që tregoi në fushën e letërsisë duke frymëzuar edhe brezat e mëvonshëm të përkthyesve letrarë e duke i ushqyer ata me dashurinë për shqipen e bukur e të qashtër.” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›