E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit bën homazhe në nderim të përkthyesit të madh Pashko Gjeçi

Kryetarja e Kuvendit mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara në nderim Pashko Gjeçit, përkthyesit të njohur, i cili u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare.

 
Duke shprehur keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Pashko Gjeçit, ajo e vlerësoi atë si gjeniun shqipërues që bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore si Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit, Odisenë e Homerit,  Faustin e Gëtes, Hamletin e Shekspirit, poezitë e Leopardit, e për fat të keq si shpërblim mori në vitin 47 ndëshkimin më të madh, privimin e lirisë.
 
Pashko Gjeçi ishte gjeniu i shqipërimit të kryeveprave botërore, tha ndër të tjera, Kryetarja e Kuvendit. Ai përktheu mrekullitë e letërsisë botërore. Ishte një erudit nga ata që lindin një herë në 100 vjet dhe për gjeninë e tij u arrestua në 47-ën si armik. U dergj në burgjet e diktaturës, porse ai kurrë nuk nxorri një fjalë të keqe. Edhe pas daljes nga burgu, vazhdoi të përkthejë. Përktheu Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit, përktheu Homerin, përktheu Faustin e Gëtes, përktheu poezitë e Leopardit, përktheu Hamletin dhe ka përkthime të tjera të cilat ende nuk janë botuar. Pashko Gjeçi mbetet një erudit, një mësimdhënës i veçantë, i jashtëzakonshëm, i dashur, me një edukatë dhe një kulturë perëndimore unike, unike për kombin tonë. Sot unë i bëj homazh Pashko Gjeçit që do të mbetet një ndër figurat e papërsëritshme në kulturën tonë.  Unë dhe të gjithë shqiptarët jemi shumë krenare, sepse ai na dhuroi në shqip mrekulli të letërsisë dhe të kulturës botërore.
 
Duke vlerësuar Pashko Gjeçin si njeriun me talent të rrallë dhe me zemër të madhe
shqiptare, zonja Jozefina Topalli tha se shoqëria jo vetëm i mbetet mirënjohëse përjetë, por ka ndaj tij një borxh të pashlyeshëm.
 
Unë mendoj se detyrimi ynë ndaj Pashko Gjeçit nuk mund të shlyhet kurrë. Kujtoj që në vitin 2006 kam bërë kërkesë në presidencë për ti dhënë një medalje, e kam përsëritur në vitin 2009, uroj që tia japin të paktën pas vdekjes.
 
Kryetarja Jozefina Topalli tha se Kuvendi do të nderojë këtë figurë të rëndësishme të kulturës shqiptare.
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›