E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Peter Feith

13 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Peter Feith dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë z. Feith, Presidenti i Repubikës vuri në dukje vullnetin e plotë dhe angazhimin serioz të shtetit shqiptar për të përmbushur me sukses të gjitha detyrimet, që burojnë nga apirata dhe përpjekjet për realizimin e ëndrrës të të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në do të ishte një hap i rëndësishëm dhe thelbësor për ne, i cili do të kontribuonte pozitivisht në zhvillimet shoqërore e ekonomike në vend.

Në vijim të bisedës, Kreu i Shtetit u ndal dhe në situatën në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti vlerësoi arritjet e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë dhe ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes së saj. “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohjet e mëtejshme të pandalshme”, - vuri në dukje Presidenti. Gjithashtu, Presidenti Topi u shpreh se Shqipëria vlerëson dhe mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të saj.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket rëndësisë së qëndrueshmërisë dhe paqes në rajon nëpërmjet bashkëpunimit në rritje dhe kontakteve sa më frekuente mes udhëheqësve politikë si dhe zhvillimit ekonomik, duke synuar integrimin e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit në gjirin e familjes evropiane.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Peter Feith shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin në emër të Kosovës dhe popullit kosovar për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka dhënë, sidomos gjatë procesit të njohjeve ndërkombëtare. “Përpjekjet profesionale të qeverisë tuaj, ne i vlerësojmë jashtëzakonisht shumë për rritjen e numrit të njohjeve të reja.” – theksoi zoti Feith.

Më tej zoti Feith nënvizoi faktin se: “Një tjetër fushë ku Kosova pret shumë nga Shqipëria është fusha dhe bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik, ku rruga që lidh dy vendet fqinje është një investim i rëndësishëm historik,” duke shtuar se përparimi i madh i Shqipërisë, integrimi në NATO dhe rrugëtimi evropian duhet të shërbejnë si model për Kosovën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›