E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

2 qershor 2009
Durrës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Durrës në një takim pune Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Ky takim pune u zhvillua me kërkesë të Presidentit Ivanov, i cili po kalon tranzit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore “Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për Qëllime Turistike”, që do të zhvillohet nesër në Cetinjë të Malit të Zi.

Kreu i shtetit shqiptar i uroi edhe një herë homologut të tij maqedonas suksese në fillimin e punës së tij në këtë post të lartë.

Të dy personalitetet e larta vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik.

Presidenti Topi nënvizoi klimën e mirë të bashkëpunimit politik e ekonomik si dhe situatën e re gjeo-politike në rajon, e cila është përmirësuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe futjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi faktin se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumëetnik dhe se mbështetja e vendeve fqinjë duhet marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi nevojën e përfshirjes së Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale duke qenë se kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›