E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret një grup nxënësish të shkollës 9-vjeçare jopublike “Motrat Qiriazi”, me rastin 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

1 qershor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në një atmosferë të ngrohtë e festive në një nga ambientet e Pallatit të Brigadave, një grup nxënësish të dalluar të shkollës 9-vjeçare jopublike “Motrat Qiriazi”, me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Pasi u uroi mirëseardhjen, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim, në ditën më të bukur e më të shënuar për fëmijët. Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kreu i shtetit, duke vënë në dukje se këta fëmijë përfaqësojnë të ardhmen e vendit, u shpreh se ata duhet të shihen gjithnjë me përparësi nga të gjitha instancat shtetërore, pasi përbëjnë shtresën më të re të shoqërisë, përparimin, zhvillimin, mendjen dhe moralin e kombit:

“Përshëndetje të gjithëve!
Të nderuara mësuese,
Të dashur fëmijë,

Së pari, ju uroj festën: Gëzuar të gjithëve! Më vjen mirë që jeni veshur bukur sot, disa me kostume popullore, disa me kostume klasike, dhe jam i bindur që kjo festë mbush me gëzim së pari fëmijët, sepse kjo është festa juaj dhe jam i bindur që mbush me shumë gëzim edhe prindërit tuaj, mësueset dhe mbarë shoqërinë. Sot, kjo festë është jo vetëm tradicionale, por sa vjen dhe bëhet dhe më e bukur, sepse më e bukur bëhet dhe Shqipëria. Besoj, juve, ndonëse ende të vegjël, e shikoni që Shqipëria jonë e dashur çdo ditë përparon, ka suksese, dhe gjithçka që bëhet, bëhet në radhë të parë për ju, për të ardhmen tuaj, edhe jam i bindur që Shqipëria e të nesërmes do të ketë patjetër atë që juve dhe prindërit tuaj e kanë ëndërruar dhe vazhdojnë ta ëndërrojnë, një Shqipëri e bukur, një Shqipëri e përparuar, një Shqipëri si të gjitha vendet e Evropës. Pra, juve jeni me shumë fat, që jeni në këtë moshë, jeni me shumë fat që keni përkujdesjen e prindërve tuaj, të mësuesve, të mbarë shoqërisë.

Unë, edhe njëherë, ju uroj nga zemra: Gëzuar këtë ditë të bukur dhe paçi sa më shumë festa si kjo, sepse festa e fëmijëve patjetër që është festë e të gjithëve, e të gjithëve pa përjashtim! Gëzuar edhe njëherë!”

Më tej, me rastin e Ditës së Fëmijëve dhe në shenjë falënderimi për pritjen në Pallatin e Brigadave nga Kreu i shtetit, në emër të të gjithë nxënësve të Shkollës 9-vjeçare jopublike “Motrat Qiriazi”, përshëndeti njëri nga nxënësit e kësaj shkolle, i quajtur Xhersi:

“Dua t’Ju falënderoj në emër të të gjithë nxënësve këtu, që hapët derën dhe na lejuat që të jemi këtu në këtë takim sot. Jemi shumë të lumtur që po festojmë me Ju 1 qershorin, festën tonë, me Ju, njeriun e mirë, të thjeshtë, të dashur dhe të drejtë, i cili gëzon të gjitha respektet e popullit tim. Ju jeni shembulli ideal për ne, sepse marrim dije nga Ju, mësojmë nga urtësia juaj, dhe ushqehemi me dashurinë që keni Ju për popullin tonë dhe për këtë vend.

Meqë më jepet rasti, do të doja t’Ju falënderoja edhe në emër të të gjithë shokëve të mi, të cilët sot nuk e patën fatin të jenë këtu me ne! Ne, zakonisht në shkollë bëjmë gjëra të ndryshme dhe një ditë, iniciativa që të flasim me Presidentin siç flasim me babain, vëllain, apo me mikun e tyre, erdhi në shkollën tonë dhe shumë nxënës u angazhuan. Dhe në letrat e mesazhet e tyre kishte shumë dëshirë, çiltërsi, sinqeritet, dhe në disa prej tyre, duke qenë se në shkollë është mendësia që duhen shfaqur hapur mendimet, kemi disa shqetësime që ne na shqetësojnë, dhe disa mendime pse jo. Letrat që kemi përgatitur, janë vënë në një album. Do të donim t’jua dhuronim juve....”

Ceremonia festive vijoi me një program të këndshëm artistik me këngë, valle e poezi, të përgatitur nga vetë nxënësit e Shkollës 9-vjeçare jo-publike “Motrat Qiriazi”, të cilët i dhuruan më pas Presidentit Topi një album të përgatitur enkas për këtë ditë, në shenjë mirënjoheje për ftesën dhe pritjen miqësore.

Në fund të ceremonisë, Presidenti Topi u shpërndau dhurata nxënësve, enciklopedi me urimin e tij për suksese të mëtejshme në rrugën e dijes.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›