Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë do të financojmë çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetën e qytetarëve shqiptar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës në komunës Dushk. Në këtë komunë për katër vitet janë realizuar 8 rrugë të reja me një vlerë pre 18.3 milion lekë, në këto rrugë përfshihen, segmenti i dytë i rrugës Gramsh, rruga e Thanasajt, rruga Zham-Sektor, asfaltimi i rrugës së Zhamës, si dhe i rrugës Zham Cermë, rrugët e varrezave të fshatrave Dushk dhe Gramsh, është rikonstruktuar qendra shëndetësore me vlerë 2.6 milion lekë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Të dashur qytetare dhe qytetarë banorë të Dushkut,
Së pari me shumë mirënjohje ju falënderoj për mbështetjen konstante dhe të jashtëzakonshme që na keni dhënë. Së dyti shpreh kënaqësinë për rrugën që ne inaugurojmë, por më duhet të deklarojë këtu përpara jush, kryetarit tuaj, këshilltarëve tuaj, ju të gjithëve se kjo qeveri do të financojë në Dushk, por jo vetëm në Dushk, por në çdo komunë dhe fshat të këtij vendi, çdo projekt për të ndryshuar për mirë jetën tuaj.
Unë dje kam qenë në Korçë dhe kam kaluar disa komuna, e them me realitet se të therte dhimbja, se drejtuesit e komuniteteve, qytetarët, kryetarët e komunave më deklaronin se katër vjet më parë nuk ka pasur as edhe një kilometër rrugë të vetme në komunën e tyre të asfaltuar. Kjo, nuk është e vërtetë vetëm për Korçën, por është realitet në tërësi, në të vërtetë për të gjithë zonat rurale të Shqipërisë, e cila ishte braktisur në tërësinë e saj. Ne kemi vetëm një koncept, një mendim, dhe ju duhet ta dini, se unë u qëndroj parimeve tek të cilat besoj. Unë besoj se ky vend nuk do të jetë kurrë i zhvilluar, pa zhvillimin tuaj, pa shndërrimin tuaj në rastin e infrastrukturës, pra të rrugëve, të shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, njësoj si në lagjet e qyteteve tona. Pasi ti bëjmë këto , atëherë mund të themi lavdi Zotit ne jemi një vend i zhvilluar. Kështu që askush, asnjë fshat asnjë familje nuk do të ndihen të braktisur dhe të shmangur. Nisma jonë për katër vitet që vijnë, fshatrat shqiptarë duhet të llamburitin dhe të shkëlqejnë njëlloj si lagjet e qyteteve tona. Kjo nuk është një nismë e lehtë, jo. Ne këtë gjë e dimë njëlloj si ju, nuk është aspak e thjeshtë, por ama po të kthejmë sytë nga ato që ne kemi bërë këto katër vite, jemi absolutisht të sigurt se ne këtë do ta shndërrojmë në realitet.
Në katër vite, kur para nesh ndodhej muri i krimit dhe korrupsionit, kur buxheti i qeverisë ishte dy herë më i vogël se ky që është sot, ne shpallëm se do të shtojmë katër mijë kilometra rrugë, ne shpallëm se do të dyfishonim pensionet tuaja, do të dyfishonim rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë, do shtrijmë internetin në çdo shkollë,ne nuk kishim para,kishim vetëm shpresën tonë. Kishim besimin dhe vullnetin e mirë për t’i bërë këto. Por, sot ne këto premtime i kemi realitet. Kurse tani që shpallim se do të ndërtojmë dhe asfaltojmë çdo rrugë në çdo fshat të këtij vendi, se do të çojmë ujë në çdo shtëpi në çdo fshat të këtij vendi, se shkollat do të barazohen me ato të qytetit në çdo komunë dhe lokalitet, ne e bëjmë sepse kemi një bazë tjetër. Kemi asfaltuar rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, edhe në qoftë se mund të kenë mbetur edhe gjashtë mijë të tjera, ne tani asfaltojmë edhe më shumë se kaq, se buxheti ynë është edhe dy herë më i madh se ai që lamë pas.
Ne deklarojmë se do të çojmë ujin në çdo shtëpi, ne deklarojmë se pensionet e fshatit do arrijnë ato të qytetit , jo vetëm që do t’i arrijnë ato, por ju jap fjalën se pas katër vitesh do të keni një pension të barabartë me fermerët e së paku 6 vendeve të Bashkimit Evropian. Evropë do të thotë mirësi, do të thotë ujë 24 orë, do të thotë drita 24 orë, do të thotë rrugë të asfaltuara, do të thotë pensione dinjitoze, do të thotë shkolla me internet dhe moderne. Evropa nuk është një fjalë abstrakte, jo. Ndaj dhe ne kemi shpallur për katër vitet që vijnë Dushk evropian, Lushnje evropiane, Myzeqe evropiane, Shqipëri evropiane. Kjo është një ambicie e madhe, por njëqind për qind e realizueshme.
Ju do të pyesni si arrihet e gjithë kjo? Kjo arrihet bashkërisht me ju, të gjitha çfarë ne arrijmë, i arrijmë bashkërisht, me lumenjtë e djersës që derdhi ju. Ne ju mbështesim, qëndrojmë me ju, ne mësojmë nga puna juaj. Për ju Evropë do të thotë të keni mbështetjen e shtetit për prodhimet tuaja, absolutisht gjatë këtij mandati jo vetëm që do të financojmë çdo projekt që ju ndihmon juve, është më i përshtatshëm për ju. Por pa asnjë përjashtim gjatë këtij mandati do të vëmë në ujë të gjitha tokat tuaja, do të kullojmë të gjitha tokat tuaja. Do përcaktojmë subvencionin për të gjitha inputet që ju përdorni në bujqësi.
Ju duhet ta besoni, se për ne, për qeverinë time, subvencioni i inputeve dhe i naftës, nuk është një subvencioni pamundur financiar, është plotësisht i mundur. Por në këtë mes ka vetëm një problem tjetër, dhe ne do të ulemi që t’ia gjejmë bashkërisht zgjidhjen. Problemi është që këto subvencione të vijnë tek ju dhe jo të shkojnë tek hajdutët.
Sepse, të dashur qytetar të Dushkut, siç e dini një shtëpi një familje nuk e bëjnë të pasur aq shumë paratë, sesa e bëjnë të pasur mënyra sesi i kanë mbledhur paratë. Ndaj dhe ne kurrë nuk do dyfishonim pensionet, ne kurrë nuk do të kishim mundur të dyfishonim rrogat, ne kurrë nuk do të kishim mundur të asfaltonim gjashtë mijë kilometra rrugë, ne kurrë nuk do të mund të anëtarësoheshim në NATO, ne kurrë nuk do të kishim mundur të ndërtonim dhe rindërtonim 1012 shkolla, në qoftë se nuk vendosnim këtë parim: të mbronim nga korrupsioni të ardhurat tona, janë edhe tuajat ato. Qeveria vetëm bën menaxhimin e tyre, ndaj dhe unë ju jap fjalën se së bashku me ju, dhe unë siç e dini e mbaj fjalën, do të përcaktojë skemën e ndërhyrjes së qeverisë në inputet tuaja, por edhe në naftë, edhe në naftë do të gjejmë mënyrën se si të lehtësojmë.
Ju bëj thirrje t’i shndërrojmë këto zgjedhje në festën tonë edhe në festën e fëmijëve tanë. Pse e them këtë? E them këtë sepse një Shqipëri evropiane është trashëgimia më absolute, që ne mund të lëmë për këta të rinj dhe këta fëmijë.
Ndaj dhe këto zgjedhje janë prova jonë, t’i marrim letërnjoftimet. Ju garantojë se ato do të kenë shumë e shumë përdorime, jashtëzakonisht të dobishme për ju. Jo vetëm për zgjedhjet, për të votuar.
Ne së bashku u anëtarësuam në NATO, së bashku aplikuam për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, së bashku absolutisht së bashku në vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizim pa viza në gjithë Evropën. Së bashku asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam 6 mijë kilometra rrugë, së bashku ndërtuam dhe rindërtuam më shumë se gjysmën e shkollave të vendit. Do vazhdojmë së bashku këtë ndryshim të madh, këtë ndryshim me vepra dhe jo me fjalë, ndryshim thelbësor në jetën tonë, në dinjitetin tonë, në emrin tonë të mirë.
Rrofshi ju, rroftë Lushnja, rroftë Shqipëria”.
30/05/2009