Kryeministri Berisha: Në tre vitet që do të vijnë do investojmë tre herë më shumë për infrastrukturën e komunave në vend

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës të fshatit Sulzotaj, në komunën e Tërbufit në qarkun e Lushnjës. Në këtë komunë në katër vitet e qeverisjes demokratike është realizuar rikonstruksioni i pesë rrugëve të reja me një vlerë totale rreth 79 milion lekësh. Në këto rrugë përfshihet rikonstruksioni i unazës veriore, asfaltimi i hyrjes në Tërbuf, rikonstruksioni i rrugës Cermë-Sektor si dhe rikonstruksioni i rrugës Sulzotaj me një vlerë 21.6 milion lekë. Është realizuar faza e parë e rikonstruksionit të kinemasë së komunës me vlerë 3 milion lekë, gjithashtu është rindërtuar rrjeti i kanalizimeve të komunës së Tërbufit, me vlerë 973 mijë lekë, si dhe është rikonstruktuar zyra e gjendjes civile me një vlerë 1 milion e 235 mijë lekë.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë që së bashku inaugurojmë këtë rrugë sot dhe të garantojë kryetarin tuaj të komunës, i cili i përket një force tjetër politike, dhe çdo kryetari komune të këtij vendi, se pavarësisht nga forcat politike që u përkasin, do të kenë te qeveria ime mbështetje të plotë të barabartë, për të gjitha projektet e tyre për të ndryshuar jetën e komuniteteve, jetën e qytetarëve tanë. Unë e ftoj kryetarin dhe këshillin e komunës tuaj të hartojë projekte në mënyrë që qeveria ime t’i financoj ato.
Zonja dhe zotërinj,
Ne sot çelim gjithashtu këtu fushatën elektorale, në të cilën unë paraqes kandidat për deputet zotin Daut Sulaj, një nga demokratët më të shquar të Lushnjës, demokrat i vendosur. Unë ju garantojë se zotin Daut do ta mbështesë për zgjidhjen e të gjitha problemeve tuaja. Ne nisim fushatën elektorale me një marrëveshje të re me ju, me një marrëveshje shumë të rëndësishme. Në marrëveshjen e parë që patëm katër vitet që shkuan, ne së bashku kemi realizuar disa objektiva shumë të mëdha, kemi kthyer në realitet ëndrra të mëdha, realiteti i madh është anëtarësimi në NATO i Shqipërisë. Anëtarësimi në NATO i jep Shqipërisë jo vetëm sigurinë më të madhe të të gjitha kohërave, anëtarësia në NATO i jep Shqipërisë një emër shumë të mirë, i jep Shqipërisë një pasaportë sigurie të madhe për investitorët e gjithë botës, për të cilët Shqipëria ka nevojë të jashtëzakonshme. Në këto vite kemi bërë ndryshime shumë të thella, kemi rritur rrogat, pensionet, kemi dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, të mjekëve, kemi dyfishuar edhe pensionet e fermerëve. Në këto vite kemi investuar në çdo fshat të këtij vendi dhe u kemi faktuar fermerëve se ata nuk janë njerëz të harruar nga kjo qeveri, përkundrazi në konceptin e kësaj qeverie pa zhvillimin e qëndrueshëm, pa shndërrimin e fshatrave tuaja, pa zona me infrastrukturë moderne, të njëjta me ato të lagjeve të qyteteve, ne nuk e konsiderojmë shoqërinë të zhvilluar.
Katër vite më parë ne deklaruam se do të investonim në infrastrukturë dhe do të rindërtonim katër mijë kilometra rrugë. E vërteta është se në atë kohë mua, por edhe juve, katër mijë kilometra rrugë na dukeshin si katër mijë kilometra larg. Por sot ne kemi ndërtuar rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, dhe duhet t’ju njoftoj se kjo më gëzon shumë mua dhe ju, por kam një gëzim tjetër akoma më të madh, i cili rrjedh nga ky fakt: tani e tutje nuk do vij për t’u angazhuar dhe për t’ju zotuar juve se do të ndërtoj këtë rrugë apo atë rrugë, por di t’ju them se që sot e tutje do të ndërtoj çdo rrugë, çfarëdolloj kosto që të kenë ato, ne do t’ua asfaltojmë rrugët juve. Ne nuk do të ndërtojmë këtë ujësjellës apo atë ujësjellës, po do të sjellim ujë të pijshëm në çdo shtëpi shqiptare kudo që ndodhet. Ne zotohemi, se pensionet tuaja jo vetëm do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit, por këto pensione, në rast se tani ua kemi kaluar dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pas katër vitesh pensionet do të jenë dhe më të larta se dhe gjashtë vende të Bashkimit Evropian. Lushnja evropiane, Divjaka evropiane, Myzeqeja evropiane.
Para së gjithash është një zhvillim me disa standarde, të cilat ju duhet t’i gëzoni, pra ju duhet të gëzoni rrugë të mira, ju duhet të gëzoni ujë të pijshëm, ju duhet të gëzoni vaditje për tokat tuaja dhe të gjitha këto do t’i keni. Ju duhet të gëzoni shkolla të mira për fëmijët tuaj. Pra Evropa nuk është një mirësi abstrakte, është një mirësi konkrete në vatrën e çdo qytetari shqiptar. Ndaj dhe unë ju garantojë se kjo qeveri do të shndërroj çdo fshat të këtij vendi, do bëj që çdo fshat i këtij vendi të llamburitë, të xixëllojë, si një lagje e qyteteve të Shqipërisë.
Ne ju kemi faktuar, dhe do t’ju faktojmë, më shumë mbështetje për prodhimet tuaja, përveç grantit, të cilin ne do ta pesëfishojmë, përveç projektit të ullirit, i cili është më i madhi i ndërmarr në bujqësi ndonjëherë, ne do ju garantojmë vaditjen, të cilën ju do ta menaxhoni me komunën dhe me veten tuaj. Në ju garantojmë kullimin, por ne do të kalojmë në një etapë të dytë. Etapa e re subvencioni për ju edhe i inputeve edhe i naftës.
Bashkërisht ne do të ulemi do gjejmë mënyrën pa korrupsion, sepse është 100 herë më mirë të mos japësh 1 qindarkë sesa të japësh 1000 dhe të t’i marrin hajdutët. Prandaj dhe ne investuam në fshatin shqiptar 1.6 miliard dollarë në katër vite, më shumë se në 15 vite të marra së bashku. Unë ju garantojë se në tre vitet që do të vijnë do investojmë 3 herë më shumë për ju, për fëmijët tuaja, për prodhimet tuaja, për rrugët tuaja, për kanalizimet, ujësjellsat, vaditjen, mbrojtjen e tokës.
Ju ftoj në 28 qershor të merrni të gjithë pjesë në votime, të votoni në mandatin e dytë të kësaj qeverie, të votoni për Myzeqenë, për Lushnjën për Shqipërinë Evropiane.
Faleminderit.”
30/05/2009