E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Avokatin parlamentar për të Drejtat e Njeriut të Bullgarisë, Ginio Ganev.

29 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Avokatin parlamentar për të Drejtat e Njeriut të Bullgarisë, Ginio Ganev, dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të një vizite pune në vendin tonë.

Presidenti Topi, pasi i uroi mirëseardhjen z. Ganev, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike në nivel parlamentar midis dy vendeve tona dhe inkurajoi zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, sidomos në fushën e drejtësisë dhe integrimit evropian.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bullgarisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe vlerësoi eksperiencën e këtij vendi në të gjitha fushat, kryesisht në ato që kanë të bëjnë me integrimin, çka shërben dhe për rritjen e stabilitetit në rajonin tonë.

Presidenti Topi, duke vënë në dukje se Institucioni i Avokatit të Popullit, pavarësisht se është një institucion relativisht i ri në vendin tonë, është një organizëm me vlera të veçanta, pasi shërben në konsolidimin e shtetit ligjor nëpërmjet mbrojtjes të interesave të ligjshme të qytetarëve, shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar reformat në fushën e drejtësisë edhe në kuadër të sfidave të përbashkëta rajonale. Presidenti Topi theksoi se: “Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri e ka fituar tashmë fizionominë e tij të qartë dhe ushtron funksionet e veta ligjore e kushtetuese në mënyrë të drejpërdrejtë dhe të efektshme”.

Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në vend dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit që do të përbëjnë një test të rëndësishëm për vendin dhe ecurinë pozitive të demokracisë në Shqipëri, Kreu i shtetit shqiptar shprehu vullnetin për të zhvilluar zgjedhje me standarde të larta, bazuar në parimet e barazisë, sigurisë dhe shprehjes së vullnetit të lirë.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit të Bullgarisë, Ginio Ganev, pasi falenderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit shqiptar dhe pasi e vlerësoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm, siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes së vendit të tij në drejtim të reformimit të drejtësisë dhe forcimit të institucioneve, në përmbushjen e aspiratave integruese të vendit tonë, si dhe shprehu gatishmërinë e Bullgarisë për të ndarë përvojën integruese të Bullgarisë në NATO dhe BE.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndër-institucional dhe shkëmbimit të përvojave të vlefshme si dhe duke nënvizuar faktin se “institucioni që mbron të drejtat e njeriut ka vlerë në hierarkinë e shtetit shqiptar’, z. Ganev vuri në dukje se: “ky institucioni është i vetmi që nuk ka pushtet administrativ, por ka pushtet moral dhe ndërgjegjësues”.

Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Tiranë, Teodor Rusinov dhe Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, Ermir Dobjani.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›