E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe.

4 shkurt 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot, me kërkesën e tyre në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe.

Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe, pasi e falenderuan Kreu e shtetit për pritjen dhe kohën e rezervuar për ta, i parashtruan shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore si përsa i përket dëmshpërblimit, shkollimit, punësimit, ashtu edhe me rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe.

Kryetari i Shtetit u shpreh se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje të madhe shqetësimet e tyre të përcjella institucionalisht dhe përmes mediave, duke theksuar se: “është detyrim jo thjesht i Institucionit, por është dhe detyrim moral. Ju jeni një përfaqësi të nderuar të një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, por që është një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive, që duhet të ketë shoqëria jonë”.
Presidenti Topi u sugjeroi përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët edhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t’i zgjidhur ato, siç e tregon dhe takimi i sotëm, gjatë të cilit Kreu i shtetit theksoi “rëndësinë e mbrojtjes dhe evidentimit të vlerave të vërteta historike dhe morale, të ruajtjes së harmonisë shoqërore si dhe nevojën për vlerësim dhe integrim të kësaj shtrese aq shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare”.

Presidenti Topi i siguroi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve nga Malësia e Madhe se do të vazhdojë të ndjekë me mjaft vëmendje shqetësimet e tyre dhe se do t’i mbështesë gjithmonë institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›