E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret përfaqësues të Parlamentit Rinor të Shqipërisë dhe të Kuvendit Rinor të Kosovës

21 korrik 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë në Presidencë, në një takim të veçantë një grup të rinjsh, përfaqësues të Parlamentit Rinor të Shqipërisë dhe të Kuvendit Rinor të Kosovës.

Pas urimit të mirëseardhjes dhe takimit me përfaqësuesit e forumeve rinore të Shqipërisë e Kosovës, Presidenti Topi mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën u shpreh:

“Përshëndetje!

Së pari, ju uroj mirëseardhjen! E prita me shumë kënaqësi ftesën për takimin, ndonëse kërkesa u bë në një kohë rekord do të thoja, gjithsesi ky Institucion është i hapur. Besoj në radhë të parë për rininë, tek e cila në mënyrë të vazhdueshme kam parë që ka interesa të shumta. Interesat nuk lidhen thjesht me moshën, por lidhen edhe me kohën, në të cilën ne jetojmë sot.

Është një kënaqësi e veçantë gjithashtu që ju keni një bashkëpunim të pandërprerë me përfaqësues të rinj nga Kosova; Kosova, e cila ka një realitet të ri, që lidhet jo vetëm me momentin e krijimit të shtetit të ri të Kosovës, por çdo ditë e më shumë edhe me progresin që bën Kosova, institucionet e saj, duke qenë vërtet jo thjesht një shtet i ri në Ballkan, por një kontributor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Unë para pak ditësh, jam takuar me Zonjën Jahjaga, Presidenten e Kosovës, në Takimin që kemi pasur me Presidentët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Malin e Zi e Maqedoninë, dhe kemi rikonstatuar nevojën e jashtëzakonshme për komunikim e për bashkëpunim. Kam dëgjuar nga Zonja Presidente e Kosovës për sfidën e institucioneve të Kosovës për t’u reformuar, për të ndërtuar vërtet një shtet multietnik me institucione që garantojnë këtë klimë dhe bindja e të gjithë Presidentëve në atë takim, e rikonfirmuar, sepse është thënë herë pas here: është që vendet tona do të jenë në një të ardhme jo të largët, të gjitha së bashku, pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe sikurse Shqipëria është në NATO, ne kemi bindjen që në një të ardhme, edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj Aleance të madhe të paqes e të sigurisë në botë. Së bashku kemi diskutuar edhe për nevojën e edukimit të rinisë, sepse është një veçori, do të thoja specifike e vendeve tona që kemi një popullsi të re, gjë që nuk është dukuri ndoshta e vendeve të tjera, dhe kjo i jep shumë shanse që, duke iu drejtuar pikërisht këtij kontigjenti të rëndësishëm të shoqërive tona, të bëjmë ç’është e mundur që këto të aktivizohen, në radhë të parë të edukohen, të kemi një sistem arsimor të fortë, i cili përmbledh të gjithë ciklin e formimit, të kemi universitete cilësore, sepse vetëm nëpërmjet njerëzve të ditur, të formuar, jo njerëzve sipërfaqësorë, por absolutisht të formuar, ne do të kemi një të ardhme të garantuar në sfidat tona të integrimit.

Sot, ju e dini që standardet që ne duhet të arrijmë, nuk janë thjesht standarde të natyrës politike, sepse unë besoj që shoqëritë tona, klasa politike ka demonstruar në mënyrë të qartë, pa asnjë lloj ekuivoku, nevojën, domosdoshmërinë, orientimin, aspiratën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk ka zë që të demonstrojë të kundërtën. Këtë e demonstron klasa politike, e demonstrojnë intelektualët, qytetarët e thjeshtë. Ka qenë nevoja, e cila është ndjerë më shumë se kudo tjetër në shoqëritë tona, shoqëri të izoluara, shoqëri të privuara nga shumë gjëra. Dhe besoj që momenti më i rëndësishëm është momenti kur rinia ndihet e lirë. Pra, vërtet kanë vuajtur breza, kanë vuajtur baballarët, nënat, sepse kanë kaluar në sisteme privimi dhe besoj që ajo që ndodh sot, ku prindërit, këtë e konstatoni edhe ju vetë, bëjnë gjithçka për të investuar në edukimin tuaj, në formimin tuaj, ju duhet ta dini që është një gjest jashtëzakonisht fisnik i prindërve. Ndoshta familjet mund të kenë nevojat e tyre ekonomike. Jo të gjitha familjet mund të jenë në gjendje që të japin një suport të fuqishëm për fëmijët e tyre, por jam i bindur që, edhe në kushtet e vështirësive financiare që mund të kenë familjet tuaja, ajo për të cilën ata nuk janë menduar dy herë, është pikërisht për të mbështetur të ardhmen, avenirin e fëmijëve të tyre. Kjo është sfida e brezave, dikush lufton për mbijetesë. Prindërit tuaj kanë pasur momente jashtëzakonisht dramatike deri në çlirimin e Kosovës. Sot ka një sfidë tjetër, sfidë të forcimit të institucioneve, të pjesëmarrjes për të rritur ekonominë në Kosovë, një sfidë që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete, një sfidë që Kosova të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtare. Dhe unë nuk besoj që të jetë një sfidë thjesht e drejtuesve të politikës, por është një sfidë e përbashkët, është edhe një sfidë e juaja. Sepse, në rast se do të demonstrojmë që jemi bashkëpunues në procese të tilla, do të demonstrojmë që ne, në Evropë dhe në botë, dalim me profile të qytetëruara. Dhe ju po e demonstroni. Unë e ndjek me shumë vëmendje dhe e shikoj që edhe në brezin e ri të Kosovës ka një profil të qartë qytetar, fisnik, tolerant, që vërtet ka në memorje atë që ka ndodhur në historinë e Kosovës, por ajo që dominon është e ardhmja. Pa diskutim që ju keni nevojë që të lëvizni të lirë. Të bëhen të gjitha përpjekjet që, qoftë nga institucionet e Kosovës, por edhe nga institucionet e Shqipërisë, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, edhe Kosova të mos jetë një rast i izoluar ku qytetarët të mos kenë mundësi të lëvizin si gjithë të tjerët, por edhe qytetarët të lëvizin të lirë, që besoj është momenti prekursor që të bën të ndjehesh qytetar i Evropës, pastaj, për të qenë pjesë e rëndësishme e institucioneve të Evropës.

Gjërat nuk vijnë menjëherë. Besoj ju duhet ta dini. Duhet të ikim edhe nga ato modele individuale edhe në jetën e përditshme, ku gjërat duhet të ndodhin në mënyrë të katapultuar. Sot je ndryshe, nesër je ndryshe. Jo! Procesi i zhvillimit është një proces evoluimi. Është një proces që vjen në mënyrë të merituar, ditë pas dite. E di që ka modele nga më të ndryshmet, ka suporte edhe në jetën e politikës, edhe në jetën e futjes në administratë, ku ka mbështetje, ka nepotizëm, ka ndonjëherë suporte të pamerituara. Ne duam që të shkojmë në një model ku brezi i ri, së pari të edukohet, së dyti të ketë mundësi që ai që është më i kualifikuari, ai vërtet të jetë më i kërkuari me procedura të pastra, sepse vetëm kualiteti i brezit të ri sot, do të na ofrojë shërbime të kualifikuara nesër, kudo, qoftë në politikë, në administratë, në marrëdhënie ndërkombëtare, në prezantimin e mjaft projekteve të ndryshme që vjen natyrisht, jo si kontribut i veçuar i një individi apo i disa individëve.

Pra, unë mendoj që e ardhmja e brezit të ri është një e ardhme e garantuar nga pikëpamja e sfidave të politikave institucionale, sepse jemi vende që patjetër do të shkojmë atje ku jemi të projektuar. Por, e dyta, që ka shumë rëndësi, varet shumë dhe nga ju. Prandaj, unë do ju thoja që: studim, seriozitet, komunikim midis jush, sepse ka nevojë shumë që të ketë një frymë kooperimi, kohezioni, sepse vetëm nëpërmjet komunikimit dalin edhe defektet pastaj. Shkëmbeni eksperienc! Eksperiencat e gjithësecilit janë eksperienca për t’u vlerësuar, sepse nuk mund të ketë diku një eksperiencë dhe diku tjetër jo. Jo! Janë eksperienca të natyrave të ndryshme. Po të shkëmbeni eksperiencë me njëri-tjetrin, do të shikoni që këto eksperienca vlejnë për një të ardhme të përbashkët në familjen evropiane.

Ka pasur vazhdimisht qëndrime të ndryshme, këndvështrime të ndryshme. Sigurisht, në shoqëritë tona të lira njerëzit janë të lirë që të shprehin opsionet e tyre. Por, opsionet institucionale janë të tilla që Shqipëria, Kosova, kanë një pikë referimi shumë të rëndësishme. Dhe ky është Brukseli në simbolikën e vet, qoftë si qendër administrative e Evropës së Bashkuar, qoftë seli e NATO-s. Dhe besoj që, duke ecur me këto standarde, me këto pika referimi të konsoliduar, me një dëshirë të përbashkët për të qenë krah partnerëve tanë më seriozë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne, ju në radhë të parë, sepse brezi i ri ka shumë rëndësi, do të jeni të garantuar në këtë pjesë. Pjesa tjetër varet shumë, sikurse e thashë, dhe vazhdoj ta përsëris, nga ju, vetëm ju.

Unë, edhe njëherë, dëshiroj t’ju inkurajoj në të gjitha këto inisiativa, sepse e thënë nga vetë të rinjtë, kur misioni është i motivuar, patjetër ju do të jeni dhe proklamatorë për të luftuar edhe veset e brezit tuaj, sepse ne diskutojmë për rininë, për brezin e ri, por duhet të themi që, edhe midis jush patjetër që qarkullojnë disa fenomene, të cilat me shumë kujdes duhet të trajtohen, duhet të kurohen nga shoqëria, por në radhë të parë, nga ju drejtpërdrejt, sepse shoqëritë tona padyshim që kanë vlera shumë pozitive, por kanë edhe momente, të cilat duhet të dimë t’i diagnostikojmë si fenomene, t’i kurojmë, dhe patjetër, të gjithë së bashku të japim më të mirën për vendet tona.

Edhe njëherë, ju uroj gjithë të mirat!”

Takimi vijoi me fjalën përshëndetëse të një prej përfaqësuesve të Parlamentit Rinor të Shqipërisë, zotit Rigels Xhemollari, Koordinator i Përgjithshëm, i cili pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, u shpreh: “Ne duam që shtetet tona dhe shtetarët tanë të angazhohen që, Kosova dhe Shqipëria të mos jenë dy shtete dhe dy popuj, por të jenë dy shtete dhe një popull. Ne duam që marrëveshjet dhe reformat midis këtyre dy shteteve të prodhojnë unifikim në arsim, unifikim në ekonomi, unifikim në reformat në pushtetet tona.

Është përgjegjësi e shteteve tona që të ndërtojnë të ardhmen e përbashkët mbi vlerat tona të përbashkëta dhe mbi traditën tonë, sepse historia kështu e vendosi. Përgjegjësi është gjithashtu edhe mbi ne, të rinjtë, që të ndërmarrim edhe ne ato masa e hapa drejt urave të bashkëpunimit midis dy shteteve. Dhe ne kemi menduar të ndërtojmë një panel kombëtar rinor që do të përballet me sfidat e shqiptarëve e të rinjve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë. Do të ndërmarrim aktivitete të përbashkëta midis dy kuvendeve rinore dhe do të ndërgjegjësojmë të rinjtë shqiptarë përkundrejt vlerave të Bashkimit Evropian, që të rinjtë shqiptarë të bëhen qytetarë të Evropës, krenarë për identitetin e tyre, por edhe të përqafojnë vlerat demokratike të Bashkimit Evropian. Ju faleminderit!”

Ndërsa Drejtori i Departamentit të Rinisë të Republikës së Kosovës, zoti Xhevat Bajrami, pasi falenderoi përzemërsisht Presidentin Topi për mikpritjen, theksoi ndër të tjera: “Kjo ide ka rrjedhur pas vizitës që ka bërë Parlamenti i të rinjve të Shqipërisë në Kosovë, dhe Parlamentit të të rinjve të Kosovës, në një bashkëpunim që të shkëmbejnë përvojat e tyre, që të jenë pjesë e Evropës. Besoj që ky integrim evropian do t’u shërbejë të rinjve, edhe Kosovës, por edhe të Shqipërisë, që të jenë të familjarizuar me të rinjtë e Evropës.

Kërkojmë që edhe institucionet tona të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, - të cilat na ka ndihmuar në të gjitha proceset që Kosova ka arritur të ndërtojë, - të ecim drejt familjes evropiane.

Unë edhe njëherë, falenderoj të rinjtë e Parlamentit nga Shqipëria që, megjithë angazhimet e tyre, kanë arritur që sot të na krijojnë një takim të përbashkët me Presidentin e Republikës, që, është ëndërr e çdo të riu të Kosovës të takojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, edhe për deklaratat e tij në të cilat gjithmonë është në krah të Kosovës! Dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet ndërkombëtare, asnjëherë nuk e lë anash, pa e përmendur Kosovën.

Edhe njëherë, ju falenderoj shumë nga zemra edhe shpirti i çdo të riu të Kosovës! Ju falenderoj për mikpritjen!”

Takimi i Presidentit Topi me përfaqësuesit e parlamenteve rinore të Shqipërisë e Kosovës, vazhdoi në formë bashkëbisedimi, ku të rinjtë shqiptarë e kosovarë bënë një prezantim të shkurtër të angazhimeve e projekteve të përbashkëta të së ardhmes, dhe konkretisht, atë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Kuvendit Rinor të Kosovës dhe Parlamentit Rinor të Shqipërisë, me synimin e përbashkët për ndërmarrjen e aktiviteteve të përbashkëta, hartimin e strategjive dhe politikave për rritjen e frymës së bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë, si dhe angazhimin për të ruajtur unitetin kombëtar, historinë, traditën dhe gjuhën tonë të përbashkët, gjuhën shqipe.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›