Kryeministri Berisha: Gramoz Pashko është arkitekti dhe themeluesi i ekonomisë së tregut në Shqipëri, një liberal i vërtetë frymëzues, një shpirt i lirë
-Të gjithë ne që e kemi njohur, të gjithë familjarët, humbën në thellësinë e Adriatikut, jo vetëm një mik, një shok, një engjëll, siç ishte djali i tij, por humbëm një pjesë të jetës sonë. Një mik është gjithnjë një pjesë e çmuar, e dashur, e ëmbël, e jetës, e shpirti, mendimit dhe zemrës tënde. I tillë ishte Gramoz Pashko për të gjithë ne.
Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Sali Berisha, u zhvillua sot pasdite ceremonia e përkujtimit të z. Gramos Pashko, personalitetit të shquar të jetës politike dhe botës intelektuale të vendit, një ndër themeluesit më kryesor të Partisë Demokratike, promotori i reformave të tregut në Shqipëri, në 5 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin bashkëshortja dhe vajza e z. Gramoz Pashko, familjarë të tjerë të tij, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, deputetë, ministra të kabinetit qeveritar, intelektualë të fushave të ndryshme, miq e dashamirës, bashkëpunëtorë të z Pashko.
Kryeministri u shpreh se ndihej i privilegjuar dhe krenar me njohjen dhe miqësinë me Gramoz Pashkon, njërin nga intelektualët më të shquar të kombit dhe të vendit, dallëndyshen ndoshta edhe më të vetmen, të shpirtit, të mendimit, të botës liberale.
“Të gjithë ne që e kemi njohur, kemi punuar me të, të gjithë familjarët, miqtë humbën në thellësinë e detit, jo vetëm një mik, një shok, një engjëll, siç ishte djali i tij, por të gjithë ne, në thellësitë e Adriatikut humbëm një pjesë të jetës sonë. Një mik është gjithnjë një pjesë e çmuar, e dashur, e ëmbël, e jetës, e shpirti, e mendimit, e zemrës tënde. I tillë ishte Gramoz Pashko për të gjithë ne këtu”, tha Kryeministri.
Duke u ndalur në kujtimet e tij për njohjen dhe bashëkëpunimin më tej me z. Gramoz Pashko, Kryeministri theksoi se Gramoz Pashko ishte arkitekti i programit të ekonomisë së tregut të PD-së dhe opozitës shqiptare në vitet 90. Për çdo aspekt ekonomik, të gjithë bashkëpunëtorët do ti drejtoheshin atij në mënyrë normale për nj përgjigje të duhur. Në këtë aspekt dhe në këtë koncept, ai është themeluesi i ekonomisë së tregut në Shqipëri, vijoi Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja kryetare e Kuvendit
E dashur Moza, e dashur Flonja,
Të dashur miq, dashamirës, bashkëpunëtor të mikut tonë të cilin e nderojmë sot, Gramoz Pashko.
Për mikun, për miqësinë nuk flitet me gjuhën e fjalëve, por flitet me gjuhën e mendimit, me gjuhën e zemrës. Sot ne këtu, të gjithë ndihemi krenarë që patëm një mik si Gramoz Pashko, që njohëm një personalitet si Gramoz Pashko.
Unë ndihem shumë i privilegjuar dhe e i nderuar, krenar me njohjen dhe miqësinë time me Gramozin, njërin nga intelektualët më të shquar të kombit dhe të vendit, dallëndyshen ndoshta edhe më të vetmen, të shpirtit, të mendimit, të botës liberale, në një vend, në një shtet, në një shoqëri, e cila ngjante si dy pika uji me atë që kishte përshkruar George Orwell në veprat e tij .
Të gjithë ata që kanë pasur miqësi dhe e kanë njohur, sigurisht e sjellin në mendjen e tyre gjithnjë Gramozin, karakterin, virtytet e tij, por në të gjitha aspektet, në të gjitha pamjet, kjo figurë poliedrike, ishte një liberal i vërtetë frymëzues, një shpirt i lirë.
Në vitet 90, para se të fillonte lëvizja studentore, u përpoqa të takoj ata intelektualë, jo të shumtë për hir të së vërtetës, që kishin shprehur ndonjë mendim disi ndryshe. I vetmi që më bindi se ishte shpirt i lirë, ishte Gramoz Pashko. Të dy ishim pedagogë, intelektualë, të dy ishim kalorës në fushat tona, por të dy kishim kuptuar se saga e poshtërimit me konformizmin tonë duhej të merrte fund, se ne duhej të rifitonim dinjitetin njerëzor që na mungonte. Ne nuk ishim të varfër, nuk ishim të “qyshkosur”, të dy kishim shëtitur, por në atë takim të paharruar përjetë për mua, në Hotel Dajti, të dy po i shprehnim hapur njëri -tjetrit, si me askënd tjetër, atë çka ne donim. Ne donim të ishim njerëz të lirë.
Ne nderojmë sot jo vetëm një ndër themeluesit më kryesorë të Partisë Demokratike, të partisë së parë opozitare. Unë dua të theksoj këtu se selia e parë e Partisë Demokratike shqiptare që do të themelohej pas 45 vitesh diktaturë, ishte shtëpia e Gramoz e Mimoza Pashkos. Pra, me të gjithë përkushtimin e tij, ato ditë dhjetori që në fakt ndanë epoka dhe sisteme, Gramoz Pashko do të ishte ndër themeluesit kryesorë të partisë, të programit të saj minimal dhe të programit të saj të plotë. Në intervistën që ju sapo ndoqët këtu, unë rrëfeva një copëz të vërtete lidhur me ekonominë. Çfarë duhej të bënim ne? Ne duhej të përmbysnim një sistem i cili ishte i falimentuar, por duhej të ndërtonim një tjetër sistem për të cilin, përveç se për të drejtat e njeriut, nuk dinim asgjë tjetër. Sistemi që ne do të ndërtonim nuk mund të mbijetonte as 5 ditë pa bazën e tij ekonomike. Gramoz Pashko ishte arkitekti i programit të ekonomisë së tregut të PD-së dhe opozitës shqiptare në vitet 90. Unë isha i sinqertë kur tregoja në atë intervistë se në atë kohë i thërrisja ekonomistët në takim, - madje njëri prej tyre ka qenë Genc Ruli – dhe në mënyrë më normale më përgjigjeshin: Do të pyesim Gramozin. Ne duhet të jepnim përgjigje, duhet të jepnim shpjegime. Pra, në këtë aspekt dhe në këtë koncept, ai është themeluesi i ekonomisë së tregut në Shqipëri.
Por Gramozi ishte një intelektual trim, i guximshëm. Promotor i pavdekshëm i energjisë, i guximit dhe heroizmit të lëvizjes sonë ishte Azem Hajdari, por në çdo moment kritik, dua t’ju rrëfej këtu, se unë do ta shoqëroja me Gramoz Pashkon, sepse duhej një kombinim. Në një sërë momentesh, ndër më kritiket, kur regjimi realisht donte të përballej me ne, ishte Gramoz Pashko. Një nga meritat tona më të mëdha ishte se ne bëmë betejën tonë, duke shmangur përballjet katastrofike, të cilat kërkonin trimëri shumë herë më të madhe sesa varianti tjetër. Por në çdo rast, Gramoz Pashko do të ishte ndër më të vendosurit, që në ditët e para të themelimit të opozitës. Ai ishte një intelektual, njeri i pasionuar pas dijes.
Në një moment të caktuar të një mendimi ndryshe, - edhe kjo dëshmi e faktit se ai është liberali më i madh i këtij vendi dhe i këtij kombi -, ai do rikthehej dhe do themelonte Universitetin e parë privat, një nga universitete më të mira të vendit. Mbaj në mendje si diçka të çmuar një bisedë që ai më bëri për universitetin, pasioni i madh , përkushtimi i madh, në fushën e dijes. Në këtë bisedë, më lindi mendimi se ai ishte rikthyer te vetja e tij, ishte rikthyer te shpirti i tij liberal, tek doktrina që e frymëzoi atë dhe, pa marrë parasysh asnjë sakrificë, iu përkushtua për ta shndërruar në një doktrinë për vendin dhe kombin e tij. Këto janë disa nga aspektet e tij. Aspektet më të mëdha të tij i njeh Flonja, i njeh Moza, i njohin njerëzit e tij më të dashur.
5 vjet më parë ai u nda nga ne. Të gjithë ne që e kemi njohur, kemi punuar me të, të gjithë familjarët, miqtë humbën në thellësinë e detit, jo vetëm një mik, një shok, një engjëll, siç ishte djali i tij, por të gjithë ne, në thellësitë e Adriatikut humbëm një pjesë të jetës sonë. Një mik është gjithnjë një pjesë e çmuar, e dashur, e ëmbël, e jetës, e shpirti, e mendimit, e zemrës tënde. I tillë ishte Gramoz Pashko për të gjithë ne këtu.
Vdekja është një fenomen i pashmangshëm, fizikisht është e njëllojtë për të gjithë, por dallon. Flonja dallon shumë nga ato që ai la nga veprat, kujtimet që ka lënë pas. Në fakt ato janë pjesë e pavdekësisë së njeriut. Në këtë kontekst, miku im, babai juaj i nderuar, bashkëshorti juaj, ka lënë kujtime, ka lënë vepra të pashlyeshme.
Edhe njëherë le të nderojmë mikun tonë me krenari të madhe, të bindur se vepra e tij do të nderohet gjithmonë.
Faleminderit.
20/07/2011